Punimet për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Pano Nikolla Meniko” në Himarë janë drejt përfundimit, ndërsa godina po bëhet gati të presë nxënësit në nisje të vitit të ri shkollor. Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, dhe kryetari i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo, inspektuan sot nga afër ecurinë e investimit.

Sipas Kumbaros, shkolla e rikonstruktuar do t'u ofrojë 115 nxënësve dhe mësuesve ambiente moderne për zhvillimin e procesit mësimor. Ajo tha se, në bashkëpunim me pushtetin vendor, po vijojnë ndërhyrjet në shkolla në të gjithë vendin për përgatitjen e vitit të ri shkollor, ndërsa këtë shtator do të hapin dyert edhe 42 terrene sportive dhe shkolla të reja me klasa, laboratorë, biblioteka dhe ambiente për aktivitete. Pas përfundimit të investimit, shkolla dhe kopshti do t'u shërbejnë në total më shumë se 150 fëmijëve, nxënësve, mësuesve dhe edukatorëve në Himarë.

"“Pamë nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Pano Nikolla Meniko”, e cila po bëhet gati të hapë dyert për nxënësit dhe mësuesit në këtë vit të ri shkollor. Shkolla e rikonstruktuar do t’u ofrojë 115 nxënësve dhe mësuesve ambiente bashkëkohore dhe moderne, për një proces mësimor më cilësor. Bashkë me pushtetin vendor, po bëhemi gati për vitin e ri shkollor duke realizuar ndërhyrjet e domosdoshme në shkolla, nga veriu në jug, për t’u siguruar nxënësve tanë kushte sa më të mira dhe optimale për të mësuar. Teksa 42 terrene sportive dhe shkolla të reja, me klasa, biblioteka, laboratorë, ambiente për aktivitete do të hapin dyert në këtë vit të ri shkollor për mbarëvajten e procesit mësimore dhe programit 'Pas Shkolle' me kushte dinjitoze për çdo nxënës”, tha Kumbaro.