DURRËS- Pas një konservimi 6 vjeçar në fondamentin e Muzet Kombëtar Arkeologjik Durrës,4 statujat prej bronzi të yjeve të rrokut janë shfaqur sërish në shëtitoren bregdetare në qytetit të Durrësit. Statujat e John Lennon,Tina Turner, Mick Jagger dhe Bob Dylan prej disa ditësh janë instaluar në shëtitoren Taulantia e cila ju nënshtrua një rikonceptimi të thellë.

4 statujat të njohura prej vitesh nga qytetarët e Durrësit dhe nga pushuesit nuk janë gjë e re pasi ato më parë kanë qenë të vendosura në lulishten mbi të cilën tashmë është ngritur Veliera, një tjetër instalacion në Durrës.

Në vitin 2016 statujat të cilat veç kënaqësisë estetike u ideuan për të dhënë idenë e lirisë te të rinjtë e viteve '80 e cila kulmoi me eksodin e famshëm në drejtim të vendeve perëndimore,u shkulën dhe u magazinuan në fondamentin e Muzeut Kombëtar Arkeologjik të Durrësit.

Pas 6 vitesh pritje ato u vendosën nga Bashkia në shëtitoren bregdetare në të njëjtin pozicion sikurse qëndronin edhe në lulishten tashmë të ezauruar nga Veliera.Statujat janë vepra të autorëve Qazim Kërtusha,Ilmi Kasemi,Arben Pajo dhe Dylber Neziri.

Qytetarë e pushues, jo vetëm që i soditin këto skulptura, por edhe pozojnë me to pasi  janë me gjatësinë e një shtati njeriu por krijojnë afrimitet sepse janë të vendosura dirket në shesh e jo në platforma apo piedestale të larta sikurse ngjet rëndom.