Ministria e Arsimit kërkon ringritjen e “Liceut Francez të Korçës”. Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin për ngritjen dhe funksionimin e këtij institucioni publik të arsimit të mesëm dhe të lartë, ku pritet të studiojnë deri në 360 nxënës.
Nisma synon rikthimin e traditës historike të bashkëpunimit arsimor mes Shqipërisë dhe Francës, duke krijuar një model arsimor me standarde ndërkombëtare, të orientuar drejt shkencës, inovacionit dhe gjuhëve të huaja.
Shkolla parashikohet të funksionojë në tre gjuhë shqip, frëngjisht dhe anglisht. Nxënësit do të kenë mundësinë të përfitojnë diplomë të dyfishtë, Maturën Shtetërore shqiptare dhe diplomën franceze Baccalauréat, duke rritur mundësitë për të vijuar studimet në universitetet europiane.
Institucioni do të ketë autonomi administrative dhe financiare dhe do të drejtohet nga një strukturë e përbashkët shqiptaro-franceze. Këshilli Administrativ do të kryesohet nga ministri i Arsimit dhe do të përfshijë edhe përfaqësues të autoriteteve franceze. Drejtori i liceut do të propozohet nga Ministria franceze e Arsimit, ndërsa zëvendësdrejtori nga pala shqiptare.
Modeli arsimor do të fokusohet në shkencë, teknologji dhe inovacion, me laboratorë modernë dhe përdorim të teknologjive digjitale në mësimdhënie.
Sipas analizës financiare, shpenzimet për pesë vitet e para të funksionimit llogariten rreth 11.3 milionë euro. Pjesa më e madhe e këtyre shpenzimeve, pra mbi 10 milionë euro, pritet të mbulohet nga buxheti i shtetit. Investimi fillestar për pajisje laboratorike dhe infrastrukturë digjitale vlerësohet deri në 2.3 milionë euro.
Sipas relacionit shoqërues, projekti vjen pas dialogut të nisur gjatë vizitës së Presidentit francez Emmanuel Macron në Shqipëri në vitin 2023, kur u diskutua mundësia e rihapjes së Liceut të Korçës. Ky institucion historik funksionoi në periudhën 1917-1939 dhe ka pasur një rol të rëndësishëm në formimin e elitave intelektuale shqiptare.
Komente











