Një rast i ngjashëm me atë të Mihal Kokëdhimës është përsëritur ditët e fundit në një plazh në jug të Sarandës.

Dy vajza të huaja, duke menduar se edhe në Shqipëri funksionon ideja e plazhit publik dhe mjafton të shtrojnë një peshqir e të shijojnë marrin rreze pranë detit, janë përplasur me punonjësit e shezlongeve.

Në rrjete sociale qarkullojnë imazhet e dy vajzave të reja që flasin me dy persona, të cilët i thonë që duhet të paguajnë cadrën me shezlonge që ndodhej pak metra larg tyre nëse duan të qëndrojnë në atë plazh.

Kjo duket se është kthyer në zakon në plazhet e jugut, për të cilat ka ankesa nga më të ndryshmet duke filluar nga cmimet e shtrenjta tek shërbimi dhe sjellja ndaj pushuesve vendas dhe turistëve.

Së fundmi ka nisur edhe aksioni i policisë për të larguar shezlonget e pronarëve që nuk paguajnë taksa por i marrin para pushuesve. Ngjarja e Sarandës është e njëjtë me atë të resortit të Mihal Kokëdhimës, i cili kishte vendosur shezlongë në bregun e detit dhe kishte kthyer ndërtesën e tij në hotel duke zhvatur pushuesit.