Pas suksesit të dy viteve të para, Muza Competition rikthehet në sezonin e tretë. Një konkurs për të rinjtë pasionantë dhe të talentuar në fushën e fashion-dizajnit nga mosha 18-35 vjeç, të cilët do të kenë mundësi që të prezantojnë koleksionin e tyre modern me elementë të etnografisë shqiptare në Muza Competition.
Jo vetëm një fashion show, por një katalizator talentesh, si dhe një katapultë për bizneset e reja në fushën e industrisë së modës dhe dizajnit.
Faza e parë e edicionit të tretë do të përfshijë shqyrtimin e të gjitha aplikimeve të ardhura në adresën e emailit [email protected] deri në datën 25 prill 2024. Ndërsa, gjatë fazës së dytë, anëtarët e jurisë do të dëgjojnë prezantimet nga çdo aplikant, që ka kaluar fazën e parë dhe do të bëjë një përzgjedhje ku vetëm 10 prej tyre do të kalojnë në fazën e fundit.
Finalja e madhe e Muza Competition do të mbledhë si çdo vit të gjitha trevat shqip-folëse në Tiranë, ku 10 finalistët do të mund të prezantojnë koleksionin e tyre në një spektakël madhështor i cili do të kurorëzojë dhe fituesin e madh të çmimit prej 20.000 Euro.
Muza Competition është një nismë e ndërmarrë nga Unioni i Bashkive Shqiptare në Rajon, i cili përfshin aktivizimin e të rinjve pasionantë dhe profesionistë në rijetëzimin e elementeve etnografikë në fushën e fashion-dizajnit dhe ekonomisë krijuese.