Gjyqtari i vettingut, Luan Daci rikthehet në detyrë.  Gjykata e Apelit ka shfuqizuar vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit, e cila pezulloi  Luan Dacin nga detyra e gjyqtarit të KPA. Pas këtij vendimi, nga e hëna Daci mund të rikthehet në detyrë.

"Nuk jam pyetur pse jam larguar apo nuk jam larguar. Asnjëherë në jetë", ky ishte komenti shkurt i Luan Dacit pas vendimit. Ndërsa avokatët thanë se vetëm Gjykata Kushtetuese përcakton pezullimin nga detyra.

"U vendos shfuqizimi i vendimit të shkallës së parë të Gjykatës së Posaçme. Thënë më thjesht zoti Daci vazhdon të jetë në detyrë. Hetimet vazhdojnë. Por ne jemi të bindur që gjyqet të bëhen si ky i sotmi. Këtu u zbatua akti normativ dhe detyrimi i ruajtjes së sekretit profesional. Nuk kishte interesim nga ONM", tha avokati Andi Duraj.

"Vendimi i sotëm që e shfuqizon tregon mos bazueshmërinë në ligj parimisht të gjykatës së shkallës së parë. Nuk shtrohet çështja për përgjegjësinë penale apo jo. Ndërkohë që kushtetuta e përcakton që vetëm mbledhja e Gjykatës Kushtetuese mund ta bëjë pezullimin. Shfuqizimi në tërësi kështu përkthehet që parimisht gjëja nuk qëndron pa hyrë farë në detaje", tha avokati tjetër, Jordan Daci.

Luan Daci u pezullua në 20 maj të këtij viti dhe u mor në hetim nga Struktura e Posaçme e Anti-Korrupsion pasi u akuzua për fshehu të kaluarën e tij duke gënjyer për një shkarkim nga detyra si i paaftë në vitin 1997.

SPAK e akuzon për falsifikim të dokumenteve Dacin, i cili në momentin që aplikoi për t'u bërë pjesë e trupës së KPA-së e fshehu këtë fakt, që kur ishte gjyqtar në gjykatën e Tiranës në 1997, KLD-ja me propozim të ministrit të Drejtësisë e shkarkoi nga detyra për shkelje të ligjit dhe paaftësi.

Luan Daci është gjyqtari i KPA i përfshirë në një skandal pasi rezulton se ka kryer falsifikim të dokumenteve. Pikërisht ky gjyqtar ka shkarkuar dhjetëra prokurorë e gjyqtarë duke u mbështetur në kriterin moral, profesional dhe pasuror.