Të dhënat e fundit të Shoqatës së Bankave tregojnë se në fund të muajit gusht huat me probleme mbetën në 21% të totalit, njësoj si në korrik.
Në fund të tremujorit të dytë, treguesi i huave të pakthyera në afat, kishte zbritur ndjeshëm, në 20%, nga 23% në mars. Arsyeja kryesore e kësaj rënieje lidhej më së shumti me fshirjen nga bilanci të huave të humbura, në vlerën e 11 miliardë lekëve për 6 mujorin e parë, sipas të dhënave zyrtare nga Banka e Shqipërisë.
Në huatë e humbura kategorizohen sipas rregullores së Bankës së Shqipërisë, ato kredi që janë më shumë se një vit vonesë dhe që banka nuk ka shpresë arkëtimi, për shkak se kreditori mund të ketë falimentuar, kredimarrësi mund të ketë vdekur dhe askush nuk mund të paguajë kredinë; banka ka nisur procesin e ekzekutimit të kolateralit, apo dhe kredia është ristrukturuar më shumë se dy herë dhe situata nuk ka ndryshuar.
Por, ndërsa bankat kanë “hequr qafe” në letra (pasi ato do të vazhdojnë përpjekjet për t’i mbledhur pavarësisht se nuk figurojnë më në bilanc), apo dhe kanë shitur kredi tek të tretë, që nuk shpresojnë t’i mbledhin më, shifrat tregojnë se janë detyruar të shtojnë kredimarrës të tjerë në listën e borxhlinjve të pashpresë.
Sipas statistikave të publikuara nga Shoqata e Bankave, pas një rënieje të fortë në qershor (kohë kur u krye fshirja e huave) dhe në korrik, në gusht kreditë pa shpresë arkëtimi u rritën sërish me rreth 2 miliardë lekë, duke arritur në 64 miliardë lekë, apo rreth 460 milionë euro.
Në korrik të këtij viti, Banka e Shqipërisë miratoi 13 masa për uljen e kredive me probleme, ku një vend të rëndësishëm zë trajtimi i 35 kompanive, të cilat zotërojnë rreth 60% të totalit të huave me probleme në vend.
Edhe ngadalësimi i ndjeshëm i huasë muajt e fundit është një nga arsyet që po mban të lartë raportin e huasë jo performuese. Në gusht, stoku i kredisë për ekonominë zbriti në 550.2 miliardë lekë, duke rënë 1.7% në raport me dhjetorin 2014, dhe 1.2% me bazë vjetore.
Së fundmi, është shtuar frika se presioni i tatimorëve ndaj bizneseve, në kuadër të aksionit ndaj informalitet (gjobat e larta, sekuestrot etj) mund të çojë në një cikël tjetër të rritjes së kredive të këqija, nëse bizneset që preken nga këto masa kanë një hua për të kthyer në banka.
Redaksia Online
(f.s/shqiptarja.com)