Pas rikthimit të tensionuar në kantierin e aeroportit të Vlorës që u shoqërua me përplasje mes punonjësve të saj dhe të “2A Group” të Valon Ademit, kompania “Mabco” ka lëshuar një deklaratë zyrtare për garantimin e vijimit dhe përshpejtimit të punimeve.

Sipas shkresës, Asambleja vendimmarrëse ka kërkuar që administratori të mos autorizojë palë të treta për të përfaqësuar shoqërinë. Gjithashtu, i është kërkuar institucioneve të garantohet zbatimi i vendimeve dhe ushtrimi i aksesit të ligjshëm në kantier.

Në deklaratë, “Mabco” shprehet se do të vijojë me punën në kantier, ndërsa çdo pengesë do t’u referohet institucioneve. Njësoj si në qëndrimin e një dite më parë të publikuar nga Pacolli, flitet për pengesa nga kompania e sigurisë dhe palë të treta që kanë pretenduar për një prokurë të lëshuar nga administratori, të cilën ‘Mabco’ e mohon.

Deklarata e plotë:

Asambleja e Përgjithshme e Ortakëve e shoqërisë "Vlora International Airport – VIA" sh.p.k., në mbledhjen e zhvilluar më datë 18 qershor 2026, bazuar në Vendimin e Gjykatës së Lartë, ushtroi kompetencat e saj ligjore dhe statutore si organi më i lartë vendimmarrës i shoqërisë, duke miratuar një sërë vendimesh që synojnë rikthimin e aktivitetit normal në kantier dhe përshpejtimin e punimeve për përfundimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës.

Këto vendime janë marrë në mbështetje të nenit 81 pika 1 të Ligjit nr. 9901/2008 "Për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare", si dhe nenit 17 të Statutit të shoqërisë, të cilat i japin Asamblesë së Ortakëve kompetencën për të përcaktuar politikat e shoqërisë dhe për të mbikëqyrur administrimin e saj.

Ndër të tjera, Asambleja vendosi garantimin e aksesit të plotë dhe të pandërprerë në kantier për ortakët, kontraktorët, nënkontraktorët dhe personat e autorizuar prej tyre, me qëllim vijimin e menjëhershëm të punimeve dhe kryerjen e veprimeve të nevojshme për administrimin e projektit. Gjithashtu, Asambleja vendosi që administratori të mos autorizojë asnjë palë të tretë për të përfaqësuar shoqërinë apo për të ushtruar kompetenca që bien ndesh me vendimet e saj.

Në zbatim të këtyre vendimeve, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. kërkuan zyrtarisht, përmes shkresave dhe komunikimeve elektronike, mbështetjen e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, Policisë së Shtetit dhe Avokatit të Shtetit për garantimin e zbatimit të vendimeve të Asamblesë dhe ushtrimin e aksesit të ligjshëm në kantier.

Pas këtyre njoftimeve institucionale, përfaqësuesit e Mabco Constructions S.A. u paraqitën sot në kantier dhe nisën procesin e inventarizimit të aseteve, pajisjeve dhe gjendjes aktuale të projektit, një proces i domosdoshëm për vlerësimin e situatës faktike dhe organizimin e fazës së mëtejshme të punimeve.

Megjithatë, gjatë zhvillimit të këtij procesi janë konstatuar pengesa nga përfaqësues të kompanisë së sigurisë dhe nga persona të tretë që kanë pretenduar të veprojnë mbi bazën e autorizimeve të lëshuara nga administratori aktual i regjistruar në QKB. Mes tyre ka qenë edhe z. Bujar Ejupi, i cili ka pretenduar ekzistencën e një prokure të lëshuar nga administratori.

Rikujtojmë se vendimet e Asamblesë së Përgjithshme të Ortakëve janë detyruese për administratorin, punonjësit e shoqërisë dhe çdo person që vepron në emër apo për llogari të saj. Për rrjedhojë, asnjë autorizim individual, asnjë prokurë dhe asnjë veprim i njëanshëm nuk mund të prevalojë mbi vendimet e organit më të lartë vendimmarrës të shoqërisë.

Mabco Constructions S.A. do të vazhdojë të ushtrojë të drejtat dhe detyrimet e saj kontraktore në funksion të përfundimit të projektit, ndërsa çdo pengesë ndaj zbatimit të vendimeve të Asamblesë, aksesit në kantier apo vijimit të punimeve do të dokumentohet dhe do t'u referohet institucioneve kompetente për trajtim sipas ligjit.

Objektivi ynë mbetet i pandryshuar: rikthimi i aktivitetit normal në kantier, respektimi i ligjit, respektimi i vendimeve të organeve të shoqërisë dhe përfundimi sa më i shpejtë i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, një projekt me rëndësi strategjike për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Shqipërisë.


Lajmi kryesor:

Tensione në Aeroportin e Vlorës, punonjësit e Behgjet Pacollit nxjerrin nga zyrat vartësit e Valon Ademit! Përplasen edhe me rojet e sigurisë (VIDEO)