Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka komentuar vendimin e parlamentit holandez, për rikthimin e vizave, sipas së cilit shanset që të ndodhë janë zero. Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Integrimit, zhvilluar në Fakultetin e Drejtësisë, Balla tha se Shqipëria është gati që të japë "provimin" në qershor, duke theksuar se vendi ynë i ka plotësuar kërkesat për t'u hapur negociatat me Bashkimin Europian.
"Ne jemi gati ta japim provimin në qershor dhe provimi jepet mbi bazën e një vlerësimi që bën termometri i Komisionit Europian. Sipas raportit të vlerësimit Shqipëria i ka përmbushur detyrat për të hapur negociatat. Sa të mbarojnë zgjedhjet e 26 majit për Parlamentin Evropian dhe sa kohë që ka një rritje të partive populiste, të cilat kondicionojnë qasjen e tyre me pengimin ndaj zgjerimit ka dhe vende si Hollanda. Ka zero shanse që Shqipërisë t'i vihen vizat. Vetë qeveria Hollandeze nuk është dakord me iniciativën e një deputeteje ekstremiste, ndërkohë që nuk është vetëm Hollanda që merr vendimet brenda BE-së. Para disa ditësh një përfaqësues i lartë i Parlamentit Francez tha në Tiranë që kjo nuk ndodh kurrë. Qeveria në këto 4 vite ka bërë një punë të shkëlqyer për të ulur një prej shqetësimeve që kanë vendet e BE-së, që është kërkesa për azil”, përfundoi Balla.