Rilindasi/ Nikaj-Mërturi, shkëlqimi dhe rënia e kulturës që nga koha e Turqisë

Rilindasi/ Nikaj-Mërturi, shkëlqimi dhe rënia e kulturës që nga koha e Turqisë

Për të folur për kulturën e një vendi ose të një komuniteti është një temë shumë e gjerë dhe përfshihen shumë aspekte jetësore të banorëve të njësisë që merret në analizë. Në kulturën e një zone përfshihen mënyra e veshjes, e ngrënies, e dasmave, e morteve, lojërat e ndryshme, këngët dhe vajet, eposi, mikpritja, e drejta zakonore, dhe shumë aspekte të tjera të jetës dhe veprimtarisë.

    Secila nga këto aspekte që përmendëm, mund të jetë subjekt i një teme të veçantë dhe gjatë kohës së kaluar, për shumë nga këto tema është folur dhe është shkruar në gazeta, revista madje edhe libra studimore nga autorë të ndryshëm.

   Objekt i këtij studimi modest do të jenë ndryshimet kulturore në Nikaj Mërtur gjatë gjithë periudhës që këto dy fise kanë jetuar në zonën me të njëjtin emër, vështruar nga ndryshimet e ndodhura si rezultat e futjes së shkollave, gazetave, filmit, radios dhe televizionit dhe arritjet në nivelin e kulturës në raport me këto zhvillime.

   Zona Nikaj Mërtur në të kaluarën ka qenë një zone e cila në shumë pikëpamje ka trashëguar një prapambetje të madhe. Nuk ka patur shkolla deri në vitin 1917, nuk ka patur rrugë të mira dhe lidhje me krahinat e tjera, emigracioni ka qenë një dukuri e rrallë deri afër shifrës zero gjë e cila reflektohet në ndryshimet në mënyrën e jetesës. Në më shumë se 80% të familjeve, kur shtëpia ishte me dy ose tre kate, në katin e parë strehoheshin bagëtitë, dhen, dhi, lopë dhe derra. Më vonë ka filluar të zvogëlohet ky fenomen por në vitin 1970, organet e pushtetit të kohës, kanë zmadhuar me detyrim dritaret e shtëpive në mënyrë që të futej drita dhe kanë detyruar të gjitha ato familje që jetonin në një banesë me kafshët, të ndërtonin shtëpi ose kasolle për kafshët larg ndërtesës së banimit të familjeve. Ky fakt është një tregues i qartë i prapambetjes së madhe që ka trashëguar zona jonë.

   Në këtë kumtesë do të trajtojmë kryesisht ndryshimet e ndodhura nga periudha e pushtimit turk dhe deri në ditët e sotme në kulturë dhe arte duke cekur kryesisht arsimimin, vallet, këngët, grupet artistike dhe kontributet zonale dhe kombëtare në këto fusha dhe gjera të tjera të lidhura me to.

   Në Nikaj Mërtur gjatë pushtimit turk, pra në kohën para vitit 1912, nëse bëhet fjalë për vlerat kulturore, duhet përmendur riti i dasmave dhe i varrimit, këngët që këndoheshin në dasma, vajet e burrave dhe të grave në rastin e vdekjes, kënga popullore maje krahu, këngët me lahutë dhe çifteli, këngët baritore, përdorimi i fyellit si vegël muzikore dhe argëtuese nga barinjtë dhe të tjerët. Gur themeli i trashëgimisë kulturore të Nikaj Mërturit mbetet pa dyshim trashëgimia gojore e këngëve të Ciklit të Kreshnikëve e mbledhur dhe e kodifikuar aq mirë nga studiues të ndryshëm për gati dy shekuj. Janë të botuara dhe të njohura në një numër të madh të publikimeve të ndryshme të këngëve për Mujin dhe Halilin, për bajlozë, orë dhe zana, në revistat Hylli i Dritës, Visaret e Kombit dhe në shumë publikime të tjera për tu kurorëzuar së fundi në përmbledhjen e Eposit të Kreshnikëve grumbulluar dhe botuar në 15 volume nga studiuesi kosovar Prof. Dr. Zymer Neziri. Vetëm në fshatrat Brisë dhe Curraj Epër janë regjistruar mbi 15000 vargje nga persona që nuk kanë ditur as të shkruajnë as të lexojnë. Mbas shpalljes së pavarësisë në vitin 1912, ashtu si për të gjithë shqiptarët, edhe për Nikaj Mërturin ka filluar një epokë e re, edhe në kulturë.

Nikaj-Mërtur nën perandorinë austro-hungareze
Në janar 1916, Perandoria e Austro-Hungarisë ka ardhur në Shqipëri me forcat e saj të armatosura dhe ka vendosur administrimin ushtarak në funksion të krijimit të shtetit shqiptar. Në zonën Nikaj-Mërtur ata qenë të pranishëm gjatë të gjithë kohës deri në largimin e plotë të tyre me 31 dhjetor 1918. Ndikimi i tyre në mënyrën e jetesës së kësaj zone ka qenë i dukshëm. Ata krijuan pronat e para publike mbas 500 vjet pushtimi duke blerë tokë me para shteti dhe duke ndërtuar shkollën e parë shqipe të zonës në vitin 1917 dhe postën e xhandarmërisë. Bënë pajtimin e gjakeve me pjesëmarrjen e parisë dhe të klerit katolik por duke paguar me para shteti paratë që nuk i përballonte pala agresore palës së dëmtuar. Bënë regjistrimin e popullsisë dhe ngulën këmbë për krijimin e “Emrit Familjar” ose të mbiemrit për secilën familje në kuptimin e sotëm të kësaj fjale. Ata ndërhynë me vendime zyrtare për zvogëlimin e shpenzimeve për rastet e vdekjeve me qëllim që familjet e këtyre zonave, në varfëri ekonomike të tejskajshme, të bënin sa më pak shpenzime për varrimin e njeriut të tyre. Për këtë ka vendime që janë publikuar nga studiues të tjerë më parë.

Hapja e shkollës shqipe në fshatin Gjonpepaj, me program të miratuar dhe në gjuhën shqipe, shënon fillimin e ndryshimeve të para në nivelin kulturor të zonës. Me shkollimin e të rinjve nga kjo zonë hapej rruga për kultivimin e fjalës së shkruar në gjuhë shqipe dhe për përhapjen e dijes me anë të librave dhe gazetave në tërë zonën.

   Me largimin e forcave Austrohungareze nga Shqipëria, vendi kaloi në një farë anarkie. Me formimin e Qeverisë së Lushnjës në vitin 1920, fuqia qeverisëse e sajë nuk arriti të kishte ndikim në zonën tonë. Në vitin 1921, ka filluar të ndihet sado pak efekti i shtetit edhe në Nikaj Mërtur.

Në kohën e pushtimit turk, në Nikaj Mërtur ndikimi i qeverisë ishte pothuaj inekzistent, por një farë ndikimi kishte feja e cila krahas problemeve fetare ndikonte edhe në mënyrën e jetesës duke ndikuar në martesat, gjakmarrjen, dhe duke zhvilluar edhe propagandë patriotike.

   Pjesë e kulturës së asaj periudhe është institucioni i betimit që jo gjithmonë kishte karakter fetar. Krahas betimit në kishë, në këtë zonë është përdorur riti pagan i betimit si “Marrja e Gurit”, “Betimi mbi Kokën e Djemve”, “Mbi dyllin e Bletës” etj. Kjo veprimtari përfaqëson kulturën e betimit në atë zonë. Për rastin e dasmave ka ekzistuar një rregull i cili është i përfshirë në të “Drejtën Zakonore”, tashmë të njohur nga lexuesi. Edhe studiuesit Frrok Vukaj dhe Myftar Memia kanë bërë në të kaluarën studime për dasmën në zonën Nikaj Mërtur të cilat janë të publikuara në revistat shkencore të asaj kohe.

   Në atë kohë nuk bëhej fjalë për koncerte por në rastet e dasmave dhe të festave popullore banorët visheshin me rrobat më të mira që kishin dhe këndonin këngë me ose pa vegla muzikore. Kënga “Majë Krahu” këndohej pa vegla muzikore por shumë herë shoqërohej me krisma armësh dhe emociononte shumë ata që e dëgjonin. Këngët këndoheshin me lahutë e cila ishte vegël muzikore tradicionale që banorët e përgatisnin vetë. Kanë ekzistuar edhe një numër jo shumë i madh i çiftelive por ishin primitive nëse krahasohen me çiftelitë që prodhohen sot. Telat ishin një gjë e rrallë dhe siguroheshin me vështirësi dhe në vend të tyre përdoreshin zorrët e kecit të përpunuar në mënyrë artizanale në formën e telave. Fyelli ka qenë vegël muzikore e përhapur por ishte prej metali të kushtueshëm dhe sigurohej me vështirësi. Është përdorur kryesisht nga barinjtë por edhe në rastet e dasmave dhe gëzimeve të tjera e shoqëruar me lahutë dhe me çifteli, nganjëherë të tria së bashku formonin një “orkestër” nëse mund ta quajmë të tillë. Veglat membranofone si tupani dhe defi konsideroheshin nga banorët tanë si “dajre gabelësh” dhe nuk janë përdorur kurrë nga banorët e kësaj zone edhe pse në zona të tjera kanë patur përdorim të gjerë.

   Gjatë regjimit të mbretit Zog shkolla në Nikaj-Mërtur u mbyll disa herë dhe përhapja e arsimit qe në përmasa të vogla. Në vitet e luftës së dytë botërore 1939 – 1944, arsimi në zonën tonë funksionoi por nuk pati ndonjë rritje me rëndësi as nga sasia as nga cilësia.

   Viti 1945 e gjeti zonën Nikaj Mërtur në mbi 99% analfabete.

   Janë të identifikuar rreth njëzet persona nga Nikaj Mërturi që kishin mbaruar shkolla të ndryshme, por asnjë me arsim të lartë. Shkollën fillore të Krumës e quajtur Internati në vitin 1945 rezulton ta kishin mbaruar Beqir Ndou, Ndue Marash Meshi, Zef Doda, Pashko Papleka, Gjelosh Noshi, Ded Zef Hasaj, Sokol Mëshi, Ndue Sokoli, Prël Mark Vatnikaj, Zef Isuf Prëbibaj, Uk Hamëz Kukaj dhe Marash Lepur Gjoklaj. Më përpara kishin mbaruar Mark Tunxh Vatnikaj shkollën për oficer dhe Syl Martin Markaj shkollë tip gjimnazi në Sarajevë. Edhe Marash Pjetër Martinaj nga Curraj, Kol Ademi nga Curraj Epër, Zef Sadria nga Kapiti dhe Kola Hajdari nga Raja kishin arsim fillor dhe kjo ju ka mundësue që të fillonin punë në radhët e ushtrisë menjëherë mbas vitit 1945. Këta persona dhanë kontributin e tyre të vyer në vitet e para mbas lufte por në krahasim me numrin e popullsisë, rreth 4000 banorë në atë kohë, ky numër i njerëzve të arsimuar ishte krejtësisht i pamjaftueshëm.

Regjimi që u vendos në këtë periudhë me mundësitë e asaj kohe, mori masat maksimale që mund të merreshin dhe i dha një rëndësi parësore arsimimit të popullsisë edhe në Nikaj Mërtur. Qysh në vitin 1946 filluan shkollat në fshatrat Rajë, Shëngjergj dhe Gjonpepaj por mangësitë ishin të mëdha. Për të dalë nga kjo gjendje katastrofike e arsimimit, qeveria e kohës përdori dy alternativa: Dërgimin e disa nxënësve në shkolla në vende të tjera larg Nikaj Mërturit dhe hapjen e kurseve kundër analfabetizmit. Mësuesi Ndoc Mark Malaj dhe ushtaraku Nikoll Pjetër Martinaj të cilët punuan si “mësues” në kurset kundër analfabetizmit të asaj kohe tregojnë se në atë periudhë mësimi zhvillohej nëpër shtëpitë e fshatit sipas një grafiku dhe detyroheshin të vinin moshat e reja nën 30 vjeç përfshirë edhe gratë e martuara. Mjete mësimore si banka, lapsa, letër, fletore dhe libra nuk kishte por mësimi bëhej me mjete rrethanore duke përdorur rrasat e gurit për të shkruar dhe objekti final i mësimit ishte që në fund të “studimeve” pjesëmarrësit të njihnin shkronjat e alfabetit dhe të mund të shkruanin dhe të lexonin. Mbas pak vitesh janë dërguar në shkolla në Kolgecaj (sot qyteti Bajram Curri) dhe në vende të tjera të rinj për të kryer arsim fillestar të rregullt me program të miratuar dhe me mjete minimale mësimore të kompletuara.

    Nga ky brez nxënësish, kanë filluar të dalin mësuesit e parë të cilët kanë filluar të japin mësim në vitet 1955 e në vazhdim. Nga Nikaj Mërturi mësim kanë filluar të japin Ndoc Malaj, Zef Tahiri, Gjon Jaha, Nikoll Marku, Nikoll Lushi, Nikoll Ramaj, Ded Martini, Pal Neçaj, Pjetër Ndou, Ndue Lepuri, Ndue Gjoka, Mark Gjoka dhe disa të tjerë. Ata mësues pregatiteshin në qytetet më të zhvilluara për kohën si Durrësi, Shkodra etj dhe si të tillë filluan të përhapin muzikën popullore qytetare duke përdorur fizarmonikën të cilin e kishin program mësimor në shkollë. Gjithashtu të asaj periudhe janë edhe grupet e para artistike amatore ku përgatiteshin programe me muzikë dhe me humor të ekzekutuara nga nxënësit dhe mësuesit. Lënda e muzikës ishte pjesë e programit arsimor në të gjitha nivelet e arsimit fillor dhe shtatëvjeçar që aplikohej në atë kohë.

   Ngritjes së nivelit kulturor i ka shërbyer edhe hapja e shtëpisë së kulturës në vitin 1955 në fshatin Lekbibaj me Nikoll Palin si drejtues i sajë. Në fillim në shtëpinë e kulturës janë vendosur disa libra në formë biblioteke ku lexuesit mund të merrnin me të drejtë kthimi libra për të lexuar dhe më vonë kanë ardhur edhe një radio me vajguri dhe disa vegla muzikore si fizarmonikë, çifteli dhe tupan. Mbas vitit 1970 në fshatin Lekbibaj ka funksionuar libraria dhe biblioteka.

Radja me vajguri funksiononte falë një baterie me termoçifte e cila kur ndizej feneri me vajguri, nga nxehja e çliruar, telat e termoçifteve prodhonin një tension 6 volt, mjaftueshëm për të funksionuar radioja. Kjo i përket vitit 1958. Në vitin 1960 kanë ardhur gramafonat me funksion mekanik, me një mekanizëm me sustë spirale dhe me pllaka ebaniti që mundësonin të dëgjohej muzikë e regjistruar në mënyrë mekanike mbi pllakat prej ebaniti.

    Mbas vitit 1962, ka filluar shfaqja e filmave bardh e zi nëpër fshatra. Kjo realizohej duke sjellë me kafshët e barrës aparatin e projektimit të filmit, një ekran prej bezeje dhe një gjenerator me motor me benzinë që prodhonte korrentin e nevojshëm për funksionimin e aparatit të filmit.

   Mbas vitit 1962 kanë filluar të shfaqen radiot e para me bateri dhe me datën 1 nëntor 1966 shteti ka sjellë në çdo fshat të zonës nga një radio me bateri prodhim hungarez të markës “Orionton” për të bërë të mundur ndjekjen e punimeve të Kongresit të katërt të PPSh. Këto ushqeheshin me dy bateri me 4,5 volt secila dhe ishin me tension punues 9 volt. Mbas kësaj date dëgjimi i radios ishte një ndodhi masive në Nikaj Mërtur dhe krijonte mundësi që të dëgjoheshin lajmet direkt dhe muzikë popullore kryesisht nga Radio Tirana dhe Radio Kukësi.

   Nga Nikaj Mërturi këngëtarët e parë që kanë debutuar në transmetimet radiofonike kanë qenë Zef Avdi Mrishaj nga Currajt e Epër dhe Shkurte Mark Përvataj nga Perajt. Më vonë, në transmetimet radiofonike kemi ndigjue edhe këngëtar dhe ansamle të tjera nga Nikaj Mërturi por edhe kronika për jetën ekonomike dhe kulturore. Në ato vite një zhvillim të madh ka patur ansamblet dhe estradat amatore nga shkollat dhe ndërmarrjet ekonomike të cilat organizoheshin me nxënës shkollash dhe me punëtorë që dinin të recitonin, këndonin dhe kërcenin. Edhe instrumentistët ishin nga radhët e artistëve amatorë.

Më vonë në vitin 1974 në filmin “Rrugë të Bardha” ka luajtur në film Gjelosh Marku nga fshati Salcë dhe në vitin 1977 ka luajtur në filmin “Yje mbi Drin” aktori Sokol Progni edhe ky nga Salca e Mërturit. Këto ngjarje konsiderohen arritje e madhe në lëmin e kulturës kur nga 99% analfabet në vitin 1995 kemi aktor filmash dhe këngëtarë profesionistë vetëm 30 vjet më vonë.

   Në vitin 1969 janë montuar në fshatin Shëngjergj në lagjen Fusha e Fierës dy gjenerator me motora diezel të prodhimit çek të firmës “Skoda” me fuqi 200 kilovat secili. Kjo ka bërë të mundur të futen radiot e para me tension 220 volt nëpër familje dhe më të parat kanë qenë radio prodhim polak të firmave “Iris” dhe “Figaro”. Mbas pak kohe tregu është furnizuar me radio prodhim kinez të prodhuara posaçërisht për tregun shqiptar të emërtuara “25 Vjetori”. Mbas pak vitesh rrjeti elektrik është lidhur me linjë tensioni të lartë nga Qafa e Kolçit me rrjetin kombëtar të energjisë elektrike dhe orari i furnizimit me energji elektrike ka ardhur në përmirësim me synimin e furnizimit pa ndërprerje 24 orë. Në vitin 1976 kanë filluar të vijnë televizorët e parë bardh e zi. Në fshatin Lekbibaj është ndërtuar një kinema dhe në fshatrat Curraj Epër, Shëngergj, Lekbibaj dhe Salcë kanë funksionuar Shtëpitë e Kulturës. Ka filluar kërkesa për ngritjen e muzeve në zona dhe shkrimin e historikut të zonës nga arsimtarët dhe nëpunësit e tjerë të shkolluar. Kanë filluar të botohen edhe poezitë dhe tregimet e para në gazeta dhe revista periodike kombëtare nga autorë nga Nikaj Mërturi.

   Në gazetat kombëtare Bashkimi, Zëri i Popullit, Ylli, Shkenca dhe Jeta ka filluar të botohen artikuj dhe kronika për Nikaj Mërturin, disa të shkruara nga autorë nga ky vend. Kanë filluar të botohen poezitë dhe tregimet e para me autor nga Nikaj Mërturi.

   Libri i parë i botuar nga autor nga Nikaj Mërturi është libri me poezi i Ndoc Paplekajt me titull “Zëri Im”. Në atë kohë botimi nuk mund të bëhej pa miratim nga organet shtetërore sepse shteti ishte pronari i vetëm i shtypshkronjave dhe çdo shkrim i nënshtrohej çensurës nga komisione të veçanta para se të botohej. Kjo lloj çensure ka penguar mjaft persona të aftë që të botojnë punime me vlera të shkruara në atë kohë. Disa nga ato nuk u botuan asnjëherë dhe disa u botuan mbas vitit 1990 me ndryshimin e sistemit politik në vendin tonë.

   Në festivalet lokale dhe kombëtare u dalluan një numër i madh i këngëtarëve amatorë si Mark Mitri, Pal Qerimi dhe Ded Sokoli me lahutë në shum koncerte në Tropojë dhe në Festivalet Folklorike në Gjirokastër. Këngëtarët Pjetër Kol Paplekaj, Ndoc dhe Pal Mark Ymeraj, Pjetër Nik Ymeraj, Syk dhe Gofile Paplekaj, Shkurte Përvataj, Gëzim Nikaj, Zef Beka, Nikolin Përpali, Ded Cani, Prël Qerimi, Bardhok Prëbibaj, Ndue Mulaj, Gjok Mulaj, Zef Avdia, Prëk Mrishaj, Prëk Milani, Nik Ramaj, Zef Markokaj,  dhe shum këngëtarë të tjerë amator janë bërë të njohur në të gjith vendin për këngët e bukura që kanë kënduar në koncerte, skena dhe festivale brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në kërcim është dalluar valltarja e talentuar nga Raja, Bub Micja.

   Krahas këngës popullore mbas vitit 1976 ka filluar të këndohen këngë të kompozuara nga kompozitori Kol Susaj dhe kompozitorë të tjerë me motive nga krahina jonë. Edhe instrumentistët kanë qënë kryesisht amatorë dhe janë dalluar në përdorimin me kompetencë krahas veglave popullore si lahutë, fyell, sharki dhe çifteli edhe të veglave moderne si fizarmonikë, violinë, piano, klarinetë, fagot,  etj, Janë dalluar disa persona si Sokol Mulaj me klarinetë, Prëk Mrishaj me fagot, Kol Susaj me piano, Ndue Nika me violinë, Pal Ymeri, Gjok Mulaj dhe Sokol Susaj me fizarmonikë etj. Me fyell kanë debutuar Lazër Paplekaj, Ded Ymeri, Mirash Coli, Prel Çuni, Ndue Mici etj.

   Në grupet e estradës amatore si humoristë janë dalluar artistët amatorë si Pjetër Kol Paplekaj, Gjergj Pashk Paplekaj, Ndrec Pali, Pal Kokrri, Marie Demushi, Shkurte Marku etj. 

   Nga zona Nikaj Mërtur deri në vitin 1991 kishin mbaruar studimet e larta shtatqind e tridhjetë persona pothuajse në të gjitha degët shkollave të larta të vendit. Deri në këtë vit fakultetin e mjekësisë në degët mjekësi e përgjithshme, farmaci dhe stomatologji e kishin mbaruar dyzet e tre persona. Fakultetin e inxhinierisë në degët, gjeologji, miniera, ndërtim, mekanike, elektrike, pyjore, kimi industriale në Shqipëri dhe jashtë shteti e kishin mbaruar dyzet e dy persona. Kurse Shkollat e larta ushtarake, agronomi, pyje, veterinari, zootekni, mësuesi në degët matematikë, fizikë, kimi, gjuhë, gjuhë e huaj, histori, muzikë etj ka qenë një numër shumë i madh. Gjithë ky numër i madh i specialistëve nuk mund të punësoheshin në vendlindja prandaj një pjesë e mirë e tyre kanë dhënë kontribute në vende të tjera si pedagogë, kryeinxhinjera, drejtora dhe detyra me rëndësi në sektorë jetik të ekonomisë shqiptare të kohës. Në nivel kombëtar nga Nikaj Mërturi ka patur anëtar të Presidiumut të Kuvendit Popullor, Nënkryetar Parlamenti, Ministër, Sekretar të Përgjithshëm në Ministri, Drejtor të Përgjithshëm të Pyjeve, Kryetar të Gjykatës së Apelit, Shef i Hetuesisë së Përgjithshme të Shtetit, drejtor spitali rajonal, drejtora uzinash, kryetar të degës së punëve të brendshme dhe shefa seksionesh në rrethe, drejtora policie në Prefektura dhe detyra të tjera me rëndësi.

   Nga shkrimtarët profesionist dhe amatorë nga Nikaj Mërturi janë botuar më shum se 300 libra me poezi, tregime, monografi, romane, me krakter historik dhe politik. Disa autor nga Nikaj Mërturi kanë botuar libra në gjuhët angleze, italjane dhe franceze. Mund të përmendim autorët Lush Susaj, Zef Mulaj, Ndoc Paplekaj, Feride Paplekaj etj. Lek Ymeraj ka përkthyer dhe botuar 14 libra nga gjuha gjermane në gjuhën shqipe duke çuar në 20 tituj numrin e librave të botuara nga ai. Si autor të njohur në të gjith Shqipërinë për botime në gjuhën shqipe mund të përmendim shkrimtarët Ndoc Paplekaj, Feride Paplekaj, Frrok Vukaj, Lek Ymeraj, Marash Hajati, Ndue Ukcamaj, Fran Ukcamaj, Kol Tahiri, Mark Palnikaj, Gjon Markokaj, Jak Përpali, Gjon Neçaj, Murat Gecaj, Ndue Gjoka, Pal Neçaj, Pjetër Meta, Kol Progni, Dod Progni, Zef Doda, Gjin Gjonpalaj, Prel Martinaj, Col Qokaj, Migena Ramaj, Nikoll Ulndreaj, Alfred Susa, Lulash Niklekaj, Dritan Niklekaj, Zef Mulaj, Gjin Niklekaj, Gjin Progni, Ndue Malaj, Lush Përpali, dhe disa të tjerë.

   Pa pretenduar se të gjitha këto libra kanë të gjitha nivel të lartë shkencor dhe artistik, një numër kaq i madh i botimeve me autor nga Nikaj Mërturi mund të konsiderohet një arritje e lartë në lëmin e kulturës me vlera kombëtare dhe ndërkombëtare.

   Në vitin 2006 ka filluar të botohet gazeta “Nikaj Mërturi”, disa herë edhe me 20 faqe dhe më shum, ku janë trajtuar shkrime nga aspekte të ndryshme të jetës dhe veprimtarisë së zonës. Edhe kjo mund të konsiderohet një arritje në kulturën e zonës.

   Nga Nikaj Mërturi janë edhe disa specialistë që kanë shkruar dhjetëra libra teknike dhe shkencore. Profesori i fakultetit të mjeksisë Gjin Ndrepepaj nga Gjonpepajt ka botuar tekste mësimore universitare për fakultetin e mjeksisë së përgjithëshme në UT dhe qindra artikuj në gjuhët angleze dhe gjermane në revistat shkencore më në zë të mjeksisë anembanë botës. Profesori i Universitetit Bujqësor në Kamëz, Lush Susaj nga Lekbibaj ka shkruar deri sot tridhjetenjë  libra shkencore. Nëntë nga këto libra janë tekste mësimore në Universitetin Bujqësor të Kamzës,  veçanarisht për vreshtarinë. Përveç këtyre ai ka botuar edhe disa libra në gjuhë të huaj dhe dyzet e katër punime shkencore në revista kryesisht jashtë shteti. Specialisti i veterinarisë Lek Dedndreaj nga Salca ku shkruar tre libra shkencore për blegtorinë në shkallë vendi dhe veçanarisht për racat e veçanta në Nikaj Mërtur. Inxhinieri Mark Palnikaj nga Curraj ka shkruar më shum se njëzet libra për qarkullimin rrugor, sinjalistikën rrugore dhe autoshkollat. Ka shkruar edhe disa tekste teknike për shkollat e mesme. Për universitetin ka botuar librin Autronika për përshkrimin e automjeteve dhe për përdorimin e elektronikës në automjete. Ka shkruar edhe disa monografi dhe libra me karakter historik. Profesori i Universitetit Bujqësor Geg Sokoli nga Brisa ka shkruar disa tekste për pyjet për lëndën që ka trajtuar. Prof. Dr. Lush Përpali nga fshati Peraj ka shkruar pesë tekste mësimore për Universitetin Bujqësor në Kamëz dhe pesë libra shkencore mbi profesionin e ekonomistit. Profesori Kol Tahiri nga Shëngjergji ka shkruar tekstin e psikologjisë në Universitetin e Tiranës në kohën kur jepte mësim aty. Dr. Shk. Rajmonda Kolpepaj nga Palçi ka botuar tekstin “Biokimia Klinike” për studentët e degës teknik laboratori në Universitetin e Mjeksisë në Tiranë. Inxhinieri Shtjefën Dedndreaj nga Salca me titull doktor i shkencave ka shkruar disa libra shkencore në lëndën e kimisë dhe të prodhimit të lëndëve  plastike si PVC etj. Veterineri Filip Mëshi doktor i shkencave, nga fshati Lekbibaj, ka qenë tre mandate deputet i zonës dhe ka zbuluar vaksinën për bagëtitë e imëta të njohur nga UNESKO në atë kohë. Këto punime janë kontribute me rëndësi kombëtare por edhe më gjerë.

   Me origjinë familjare nga Nikaj Mërturi janë figura të njohura në kulturën kombëtare si Dom Ndoc Nikaj romancieri i parë i gjuhës shqipe, At Pjetër Mëshkalla, Tinka Kurti aktore e njohur, Mark Krasniqi Akademik, Dom Gaspër Jakova Mërturi klerik dhe studiues, Bajram Curri Hero i Popullit dhe disa persona të tjerë me aktivitet të njohur në shkallë kombëtare. Duhet vënë në dukje se këta kolosë të kulturës kombëtare, për Nikaj Mërturin kontributet e tyre kanë qënë në vlera minimale. 

    Nikaj Mërturasit janë krenarë që nga kjo krahinë tridhjetë e pesë persona kanë dhënë mësim në universitete brenda dhe jashtë Shqipërisë. Profesora nga Nikaj Mërturi kanë dhënë leksione në universitete në Kosovë, Maqedoni, Itali, Angli dhe Amerikë.

Këto arritje tregojnë për një hap cilësor shumë të madh të zonës në kulturë por edhe forcën e mendjes dhe vitalitetin e jashtëzakonshëm të popullsisë së kësaj zone.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK

Hetimi pasuror, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj paraqitet në SPAK