Ka hyrë në fuqi lista e re e barnave të rimbursueshme për vitin 2019, gjë e cila zgjeron mbulimin me barna të kushtueshme për sëmundjet tumorale, Hepatitin C dhe sëmundje të tjera të rënda.
Në një komunikim me median, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu deklaroi se me hyrjen në fuqi të Listës së re të Barnave të Rimbursueshme, janë zgjeruar kategoritë përfituese, duke ulur barrën e pagesave nga xhepi për qytetarët.
“Në listën e re të barnave të Rrmbursueshme janë shtuar 14 barna të reja, prej të cilave, 9 janë principe aktive të reja, për barna mjaft të shtrenjta dhetë vështira për t’u përballuar nga qytetarët, që mbulojnë sëmundje si Hepatiti C, trajtimi i limfomave, artridi rheumatoid, sëmundjet kardiovaskulare, sëmundjet autoimmune, etj”, tha Manastirliu.
Risia e kësaj liste është përfshirja e barnave me marrëveshje të posaçme, duke ulur çmimin e barit me proces negociimi me kompanitë më të mëdha multinacionale dhe për rrjedhojë, duke zgjeruar numrin e qytetarëve përfitues.
“Ja kemi dalë të zgjerojmë përfitimet për qytetarët, për t’u trajtuar me barna shumë të kushtueshme për sëmundje të rënda, duke ulur çmimin e të njëjtit medikament, falë një procesi negociimi me kompanitë prestigjoze ndërkombëtare, nëpërmjet marrëveshjeve të posaçme, njësoj siç bëmë vjet me herceptinën”, deklaron Manastirliu.
Në medikamentet e reja, janë shtuar barna për trajtimin e sëmundjeve malinje të gjakut apo hepatitit C.
Sipas ministres me zgjerimin e skemës me barna për hepatitin C, pacientët, mund ta përfitojë falas barin e shtrenjtë, që i kushtonte 10 mijë euro në muaj. Apo për sëmundjet malinje të gjakut, mjafton të përmendin barin Mabthera që i kushtonte pacientëve 39 mijë euro një trajtim i plotë, me zgjerimin e LBR 2019 sot është falas. Apo bari Keytruda i cili trajton melanomat, që i kushtonte çdo pacienti.
Por edhe me shtimin e formëdozave të reja që janë përfshirë në LBR 2019 lehtësohen pacientët, siç është rasti i pacientëve me sëmundje psikiatrike, që më parë merrnin mjekimin çdo muaj, ndërsa me formë dozën e re, e marrin trajtimin e plotë, 1 herë në 3 muaj.
Ministrja Manastirliu deklaroi në komunikimin me median, se në këto 6 vite lista e rimbursimit ka patur një zhvillim cilësor jo vetëm për nga zgjerimi i mbulimit me alternative të reja por edhe zgjerimi i përfituesve nga skema e rimbursimit, me përparësi grupet e margjinalizuara.
Sot, 600 mijë të pasiguruar që më parë përjashtoheshin nga mundësia për të përfituar barnat me rimbursim, Manastirliu bën me dije se familjet shqiptare i marrin tashmë falas.
Ndërkaq, mësohet se është rritur me 30 milion dollarë financimi i listës së barnave të rimbursueshme, duke siguruar mbi 1150 alternativa mjekimi falas nga të cilat, përfitojnë rreth 499 mijë qytetarë.