RIMINI – Pesë anëtarët e së njëjtës familje, bashkëshortët dhe djemtë e tyre janë arrestuar mbrëmjen e së shtunës nga policia e Misano Adriaco në rajonin e Riminit. Ata akuzohen për trafik dhe shpërndarje kokainë. Pas informacioneve të dhëna nga informatorët, policia ka hyrë në shtëpinë e familjes Murati ku ka gjetur plot 560 gram kokainë.
Për pasojë në pranga kanë përfunduar: Fatmir Murati 54 vjeç, Fatmire Murati 50 vjeç, Samedi 24 vjeç, Hidajet 21 dhe Bilali 21 vjeç.
Vlera e drogës së gjetur shkon në 200 mijë euro, ndërkohë që “nëna” e familjes ishte ajo që mbante me vete çelësat e lavanderisë dhe ambienteve në shtëpi ku mbahej dhe përpunohej droga.
Fatmir Murati kishte mbërritur në Itali në vitin 1999, bashkë me familjen. Prej kohësh ata jetonin me qera, madje kishin bërë të mundur që në katin e tyre të gjitha apartamentet e tjera të ishin të lira duke siguruar kështu zonë të pastër për shpërndarjen e drogës.
Sipas hetuesve, Muratët kishin lidhje të forte për të marrë kokainën nga Shqipërina, nga ku babai i familjes ishte kthyer më 11 prill.
Por, policët pavarësisht dyshimeve nuk kanë mundur të gjejnë para të thata në banesë, vetëm dokumenta për transferimin e parave jashtë Italisë.

(aq/shqiptarja.com)