Rina Bilurdagu: Në rrugëtimin tim
kisha si qëllim fitoren

Rina Bilurdagu: Në rrugëtimin tim <br />kisha si qëllim fitoren
Është vetëm 18 vjeç dhe është shpallur zëri më i mirë i Shqipërisë. Rina Bilurdagu nga Prizreni, u shpall fituese e e edicionit të parë të spektaklit “The Voice of Albania”,i zhvilluar në Top-Channel. Në një intervistë për suplementin ThASH & THEM, Rina tregon se, po përjeton ende emocionet e fitores dhe se e pret një rrugë e gjatë dhe e vështirë drejtë botës së artit. Për Rinën “The Voice”, ishte një nga eksperiencat më të bukura që i hapi shumë dyer në fushën artistike. Ajo vlerëson shumë edhe punën me trajneren e saj Alma Bektashi, ndërsa nuk heziton të thotë që do të ndihej e nderuar nëse në të ardhmen do të bënte një duet me të. Këngëtarja kosovare Rina Bilurdagu, flet edhe për momentet më të bukura që ka kaluar gjatë 17 javëve të spektaklit, ndërsa shton se këtë vit do të marr pjesë edhe në “Top Fest 9”.

Keni qenë 17 javë në konkurrim, si ndiheni tani që jeni ju fituese e edicionit të parë të spektaklit “The voice of Albania?

Vet fakti që zgjati 17 javë, ishte pak e lodhshme por kur përfundoi me sukses më bëri shumë të lumtur. Gjithë këtë rrugëtim e kam bërë me qëllimin për të fituar në “The Voice of Albania”, dhe ndihem shumë e vlerësuar jo vetëm nga trajnerët por edhe nga publiku.

Si e morët vendimin për të konkurruar në “The Voice”?

Për spektaklin e “The Voice of Albania” më ka njoftuar një mikja ime, më pas u interesova vet dhe kur pashë që bëhej fjalë për një juri profesioniste mendova që duhet të isha pjesë e tij.

Ju studioni në Liceun Artistik në Kosovë për piano, mendoni që ka qënë ky një nga avantazhet tuaja?

Piano ka luajtur rol në veshin tim muzikor pasi pianistat kanë vesh të mirë muzikor, por nuk mendojë që kjo ka qënë përparësia ime kryesore.

A keni miq në “The Voice”?

Duke kaluar shumë kohë sëbashku unë kam patur marrëdhënie të mira me gjithë konkurrentët. Kanë qënë marrëdhënie miqësore dhe konkurrimin në “The voice”, ne jemi përpjekur të mos e reflektojmë në shoqërinë tonë.

Cili është miku juaj më i ngushtë?

Nuk do të veçoja dikë, sepse kemi kaluar të gjithë shumë kohë bashkë me njëri-tjetrin.

Si do ta cilësonit punën me trajneren tuaj Alma Bektashi?

Alma ka bërë një punë të palodhshme me secilin prej nesh. Ajo kuptoi shumë mirë preferencat e mia muzikore dhe kjo bëri të mos kishim probleme me zgjedhjet e këngëve. E vlerësojë shumë profesionalizmin dhe njohurinë e saj për muzikën. Por përvec anës artistike kemi pasur edhe marrëdhënie shumë të mira miqësore.

Në audicionet e fshehura, për ju u kthyhen 3 trajnerë, Miriami, Eltoni dhe Alma, pse zgjodhët pikërisht Almën?

Më ka pëlqyer gjithmonë si këngëtare. Më ka pëlqyer zhanri me të cilin është paraqitur dhe fakti që ajo nuk ka bërë asnjëherë muzikë komerciale. Në këtë pikë mendova që do ta gjeja veten në skuadrën e saj. Alma Bektashi është profesoreshë e kantos dhe mendova që do të më ndihmonte shumë edhe në aspektin e të kënduarit.

A mendoni që është edhe Alma pjesë e suksesit tuaj?

50 përqind të suksesit tim e ka edhe Alma, sepse ka punuar me mua për një kohë shumë të gjatë.

Do t’iu pëlqente të realizonit në të ardhmen një duet me trajneren tuaj?

Pse jo do të kisha nderin dhe kënaqësinë të bëja një duet më të.

Përveçse u zgjodhët si zëri më i mirë i Shqipërisë, ju së shpejti do të lidhni një kontratë 2 vjeçare me “Universal Music”, sa e rëndësishme është kjo për ju?

Të lidhësh një kontratë më ‘Universal Music’ që në fillimet e karrierës është shumë e rëndësishme dhe këtë mundësi ma dha “The Voice”. Ndërkohë që ka shumë këngëtarë që përpiqen me vite dhe nuk e kanë arritur një kontratë të tillë.

Çfarë mund të na thoni për pjesëmarrjen tuaj në “Top Fest 9”?

Për Top Fest nuk kam akoma asgjë konkrete, por do të jem pjesë e tij. Për këtë ndihem shumë e lutmur sepse e kam ndjekur gjithmonë Top Fest-in, si spektatore dhe këtë vit do të jem pjesëmarrëse në të.

Në “The Voice” keni kënduar shumë zhanre muzikore , por më tepër jeni përqëndruar tek muzika soul, pse kjo zgjedhje?

Më pëlqen kjo rrymë muzikore dhe duke qënë paraqitja ime e parë në një skenë, si ajo e “The voice of Albania”, kam dashur të paraqitesha me atë rrymë që më përfaqëson. Megjithëse është një rrymë jo shumë e parapëlqyer në Shqipëri, për mua do të mbetet një nga muzikat më të bukura. Por ndonjëherë duhet të përshtatesha edhe me shijet e publikut, sepse ata vinin aty për të dëgjuar atë ç’ka ju pëlqente atyre dhe jo për të dëgjuar atë që më pëlqente mua. (qesh)

Cili ka qënë momenti më i vështirë dhe më i bukur që keni kaluar në “The Voice”?

Momente të bukura ka pasur shumë por nata finale ka qënë kulminacioni. Atë natë kam ndier emocionet më të forta dhe më të mëdha. Ndërsa momenti më i vështirë, do të thoja se ka qënë momenti kur kam qënë sëmurë me grip, sepse zëri më ka kufizuar dhe nuk kam dhënë në skenë atë që kisha punuar aq shumë.

Patët frikë kur ishit përballë konkurrentes tjetër Marselës, pasi duhet thënë që ajo ka qënë një nga konkurrentet e preferuara të publikut shqiptar?

Gjithmonë ka ekzistuar ai dyshimi në vetvete, posaçërisht kur mbeta vetëm me Marselën, që ishte një konkurrente shumë e fortë dhe me një zë shumë të mirë. Mund të them që kur publiku thërriste herë Marsela herë Rina, emocionet mu shtuan më tepër.

Si kanë qënë marrëdhëniet tuaja me trajnerët e tjerë të “The Voice”?

Kemi pasur marrdhënie shumë të mira dhe miqësore. Jam ndierë shumë e vlerësuar nga komentet e tyre dhe ju jam shumë mirënjohëse.

Keni këngëtare të preferuar?

Kohët e fundit po ndodh diçka e çuditshme sepse të gjitha këngëtaret e mira të preferuara kanë ndërruar jetë. Në fillim Amy Winehouse, Etta James dhe tani afër edhe Whitney Houston. Por ka edhe emra të tjera si Aretha Franklin, Tina Turner që më pëlqejnë dhe që do të mbeten gjithnjë diva të muzikës botërore. Jam e lumtur sepse këngë të Aretha Franklin, Tina Turner, dhe të Whitney Houston i këndova edhe gjatë netëve të “The Voice”, dhe u ndjeva shumë mirë.

Po sa i përket shkollës ju jeni maturantë këtë vit , sa po i përkushtoheni asaj?

Unë jam maturente në lice dhe të them të drejtën e kam lënë pak pas dore, në një moment jo shumë të përshtatshëm pasi më presin edhe provimet e Universitetit. Por do të gjejë kohë dhe do ti përkushtohem pasi edhe Universitetin do ta vazhojë për piano.

Ku dëshironi ti vazhdoni studimet e larta?

Ka kohë për të vendosur, por do të kisha dëshirë ti vazhdoja studimet në Universitetin e Arteve në Tiranë.

Në ç’moshë keni filluar ti bini pianos për herë të parë?

Paraqitja ime e parë skenike ka qënë në moshën 5 vjeçare. Meqënëse mamaja ime është profesoreshë e pianos ajo më ka mësuar në fillimet e mia. Më pas kam marr dhe vazhdojë të marr mësim nga profesoresha Lule Elezi.

E doni pianon aq shumë sa këngën?

Piano ka qënë dashuria ime e parë dhe në të ardhmen do të bëhet profesioni im, ndërsa kënga mbetet gjithnjë një dëshirë.

Si ka ndryshuar jeta juaj pas “The Voice”?

“The Voice” ka bërë një kthesë në jetën time, pasi pas gjërave të zakonshme tani më pret shumë punë përpara në fushën e muzikës.

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë

Caktimi i datës së zgjedhjeve në Kosovë, Kurti nuk i shkon në takim Vjosa Osmanit! Presidentja: Mund ta pyesni atë, supozoj se është në zyrë