Rreth 150 apartamente kanë përfunduar ndërtimin në Kombinat, por familjet nuk kanë hyrë ende brenda. 75 janë në pritje të procesit të shortit, ndërsa për një pjesë tjetër vijojnë ndërhyrjet e nevojshme për ujësjellës-kanalizimet, me qëllim përfundimin e tyre dhe kalimin në fazën e shpërndarjes.

 Pritja prej gati 7 vitesh nga tërmeti i 26 nëntorit, për tu futur në shtëpi, është një situatë, që kërkon përgjigje më të shpejtë – thanë ministri i Brendshëm Ervin Demo dhe zv/kryeministrja Albana Kociu, teksa inspektuan punimet në zonë.

 Ata nënvizuan se do të ndërhyhet për financim nga buxheti i qeverisë qendrore që të përshpejtohet procesi i rindërtimit.

 “Njerëzit kanë të drejtë, pas kalimit të gjithë këtyre viteve, tashmë shtatë vite, ne duhet t’u japim një përgjigje përfundimtare. Ne do të ndërhyjmë në Tiranë edhe me financim nga buxheti i qeverisë qendrore që të përshpejtojmë procesin e rindërtimit në Tiranë" tha ministri Demo. 

“Procedurat kanë nisur, por ritmi është shumë i ngadaltë. Kanë kaluar shtatë vite, ne duhet të marrim masat, ta përmbyllim këtë proces me ritëm shumë të shpejtë. Njerëzit kanë nevojë të kenë shtëpinë e tyre ashtu siç e kishin përpara asaj tragjedie të vitit 2019 dhe ne kemi detyrimin që t’u përgjigjemi dhe të mos fshihemi me justifikimin e procedurave. Bashkërisht, do të duhet që ta shtyjmë sa më shpejt këtë proces, të marrë fund këtu edhe në të gjithë Bashkinë e Tiranës” tha Albana Koçiu.  

Deri më tani janë shpërndarë mbi 340 apartamente për familjet e prekura nga tërmeti, ndërsa rreth 650 familje vijojnë të trajtohen me bonus qiraje dhe presin të marrin banesat e tyre.

Ndërkohë në një tjetër shesh ndërtimi në Kombinat ku procedura e prokurimit ka përfunduar, pritet të ndërtohen 223 apartamente të reja dhe tashmë ka nisur procedura për ndërtimin e 100 apartamenteve.