Qyteza e Thumanës në Bashkinë e Krujës, një nga zonat më të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit, ka hyrë në fazën përfundimtare të procesit të Rindërtimit, si me shtëpitë individuale, ashtu edhe me banesat kolektive. 14 pallate dhe 156 shtëpi individuale pritet të jenë gati në fund të këtij viti për të gjithë banorët që humbën shtëpitë e tyre.
Kryeministri Rama u ndal në kantierin e Thumanës, për të parë nga afër ecurinë e procesit, bashkë me ministrin e Shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.
“Janë 156 njësi individuale që janë në fazën e fundit, qoftë në ambientet e brendshme, por dhe në ambientin e jashtëm. Ambienti i jashtëm do investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, një lot i madh që do trajtojë të gjitha ambientet e jashtme që ka filluar të procesohet nga Fondi. Objektivi është që në 26 nëntor të këtij viti të jetë i përfunduar kantieri i shtëpive individuale. Ndërkohë janë 278 apartamente në 14 pallate. Gjithashtu, në krah të pallateve kemi edhe shkollën. Kati i parë i të gjitha pallateve është konceptuar si ambient për shërbime komunitare, edhe ekonomike, të hapura e me një lartësi të diferencuar nga apartamentet, nga kati i dytë e sipër”, u shpreh ministri Ahmetaj.
Përveç njësive të banimit, lagjja e re në Thumanë do të ketë edhe ambiente të gjelbra dhe terrene sportive për komunitetin, ku përfshihen fusha basketbolli, volejbolli dhe futbolli, të cilat do t’i shërbejnë edhe shkollës së re.
“Kjo është si një lagje në çdo qytet të Europës. Njësoj si lagjet me standarde europiane”, tha Rama.