Rindërtohet shtëpia e Kadaresë
kryeministri dhe Meta në përurim

Rindërtohet shtëpia e Kadaresë<br />kryeministri dhe Meta në përurim
Shtëpia në Gjirokastër e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare është rindërtuar. Në hapjen e saj për publikun, mori pjesë kreu i qeverisë, Edi Rama, kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ministrja e kulturës dhe një sërë funksionarësh lokalë e qendrorë.

Në një shënim të tijin në facebook, Rama shkruan se kjo është një arsye më shumë që turistët të vizitojnë Gjirokastrën. “U çelën dyert e shtëpisë së Kadaresë! Pas restaurimit plot shije, një arsye më shumë për të vizituar Gjirokastrën; qytetin që po rilind hap pas hapi pas tatëpjetës së rrënimit rrëqethës të njëzet e kusur viteve pa shtet...”-shkruan Rama.
rama

Me rastin e ditëlindjes së tij të 80-të, Ministria e Kulturës ka ndërmarrë një sërë aktivitetesh festive. Të pranishëm në këtë ceremoni ishin dhe Kryeministri Edi Rama, Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, deputetë të qarkut të Gjirokastrës, Kryetarja e Bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami

“Pikërisht në harkun kohor të ditëlindjes së Ismailit, ne jemi sigurisht të kënaqur që mundëm falë punës këmbëngulëse të Ministres dhe të Kryetares së Bashkisë të çelin dyert e kësaj shtëpia me rëndësi të madhe për kujtesën historike të Gjirokastrës, por edhe të vetë kombit shqiptar. Por do të vazhdojmë me fazën tjetër, sepse shtëpia ka nevojë që të popullohet me librat e Ismailit, me dorëshkrime, dhe sende personale që jam i bindur do të na i japë, edhe pse si gjirokastrit, do të na i japë me pikatore, pak nga pak. Dhe nga ana tjetër, unë kam folur edhe me Elenën që është gjysma më e mirë e Ismailit për të shtuar edhe një bibliotekë me librat e shkrimtarëve të dashur për Ismailin e miqtë e tij të vetmisë. Dhe kështu për të pasur brenda mureve të shtëpisë gjithë botën letrare të Ismailit. Shtëpia të mos jetë thjesht një muze, por të jetë një mjedis i gjallë që të rrijë hapur, të tërheqë njerëz jo vetëm për ta vizituar, por edhe për të studiuar dhe për të lexuar. Është një sfidë më vete të marrësh fjalën kur ke parasysh që po flet për njeriun që me fjalën shqipe ndërtoi një muze të tërë monumentesh të letërsisë, jo vetëm shqiptare, por dhe të letërsisë botërore”, - tha z. Rama.

Ndërkohë në fjalën e tij përshëndetëse të mbajtur në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit,Meta vlerësoi figurën e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare duke e cilësuar si përfaqësues të denjë të kulturës së kombit tonë dhe të identitetit europian të tij.

meta

“Dua të falënderoj shumë Ministrinë e Kulturës, qeverinë, Bashkinë e Gjirokastrës për këtë përkushtim që kanë treguar dhe që më në fund kanë sjellë një institucion kaq të rëndësishëm kulturor, që nuk është vetëm gjirokastrit, që nuk është vetëm shqiptar, por është evropian, është ndërkombëtar dhe që do t’i japë një dimension tjetër edhe qytetit të Gjirokastrës. Sa i takon kësaj dite të rëndësishme, këtij momenti të rëndësishëm, mund të them se të gjithë ndihemi krenar, sepse Kadare përfaqëson kulturën e kombit tonë, identitetin tij europian dhe natyrisht që kjo është shumë e rëndësishme, sidomos në këto momente për vendit tonë dhe për kombin tonë. Kështu që i uroj mbarësi, suksese dhe jetë të gjatë e të pafundme”, - tha  Meta

meta
Sipas ministrisë, “Shtëpia Kadare”  do të nisë të gjallojë duke promovuar artin, kulturën, botimet, artistët, me synimin për t’u kthyer në një qendër muzeale dhe kulturore.  “Ajo do  të shërbejë për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit të Gjirokastrës , për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave, turistë me interesa kulturore , etj.

“Shtëpia Kadare” është jo thjesht një projekt rijetëzimi, jo thjesht një qendër muzeale dhe kulturore, por mëton të tregojë krijimin e një modeli të ri të suksesshëm, që në vazhdimësi mund të ndiqet nga bashki të tjera të Shqipërisë. “Shtëpia Kadare” do të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetit, duke zhvendosur aktivitete të metropolit drejt qytetit historik, duke shtuar numrin e vizitorëve dhe si rrjedhojë duke prodhuar një ekonomi në rritje në zhvillim të turizmit”-sqaron Ministria e Kulturës.

Marrëveshja e bashkëpunimit mes Ministrisë së Kulturës dhe Bashkisë së Gjirokastrës për rijetëzimin e Qendrës “Shtëpia Kadare” ka hartuar edhe shumë aktivitete në ditën e lindjes dhe gjatë gjithë vitit 2016, i shpallur si viti i Kadaresë. Aktiviteti i fundit është në dhjetor, kur albumi “Ismail Kadare dhe editimet” do të paraqesë të skanuara kopertinat e të gjitha botimeve të para të  Kadaresë në shqip, të cilat kanë dalë nga vëmendja e publikut për shkak të largesës kohore, por edhe kopertina të librave të përkthyer në gjuhë  të huaj.
 
Ndërsa, Ministrja e Kulturës znj. Kumbaro tha se shtëpia e shkrimtarit Ismail Kadare do të kthehet në një qendër kulturore.

“Në fakt shtëpinë ia ka dhuruar shumë bujarisht Ministrisë së Kulturës për ta ndarë atë me të gjithë, jo vetëm me Gjirokastrën. Ishte një shtëpi, e cila në vitin 2000 u dogj dhe me kontributin e UNESCO-s dhe të shtetit u rindërtua. Vetë Ismaili ka një dyzim mes shtëpisë që ishte dhe shtëpisë së dytë. Ne jemi sot për jetën e dytë, jetën kulturore, të artit, të shkrimtarëve, jo vetëm të Kadaresë, por të gjithë shkrimtarëve pa dallime të pasaportës që kanë. Do të jetë një qendër kulturore e cila do të menaxhohet së bashku nga bashkia dhe Ministria e Kulturës, si një vend ekspozite”, - tha znj. Kumbaro

kumbaro

Edhe kryetarja e Bashkisë së Gjirokastrës, znj. Zamira Rami shprehu mirënjohjen për shkrimtarin e njohur gjerësisht.

“Askush nuk mund t’i latonte kaq ëmbël gurët me të cilët është ndërtuar, siç e ka bërë Kadare me penën e tij. Askush s’mund ta zbuste me aq finesë ngjyrën gri të tij dhe t’i jepte herë të qeshurën apo të qarën e një fëmije, psherëtimat e dashurisë së pamundur të një të riu. Gjirokastra i kapërcen kufijtë dhe merr të tjera përmasa edhe falë birit të saj të cilit do t’i jetë përherë mirënjohës. I nderuar Kadare! Jetë të gjatë për vete, për familjen dhe për gjithë adhuruesit që dëshirojnë ta shijojnë sa më gjatë magjinë e penës suaj”, thaRami. 


Redaksia online
(s/m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Personi që sulmoi bashkëshortin e Nancy Pelosit dënohet me 30 vjet burg

Personi që sulmoi bashkëshortin e Nancy Pelosit dënohet me 30 vjet burg