Pas prezantimit të gjeneratës së re të celularëve, Samsung ka sjellë edhe një veçori të re për sigurinë, e cila tani është e disponueshme në pajisjet e serisë Galaxy S26.

Veçoria e re, e quajtur “inactivity restart”, mbron celularin duke e rindezur atë automatikisht pas 72 orësh nëse ka qëndruar i kyçur.

Përdoruesit mund të vendosin nëse duan ta aktivizojnë apo jo këtë funksion duke shkuar te Settings, duke zgjedhur Security and Privacy dhe duke aktivizuar ose çaktivizuar opsionin.

Nëse është i aktivizuar, funksioni do të shkaktojë një rindezje të pajisjes nëse nuk përdoret për 72 orë.

Pasi pajisja të ‘zgjohet’ nga gjumi teknologjik, përdoruesi do të duhet të përdorë kodin e hyrjes dhe kartën SIM për të marrë mesazhe, telefonata dhe njoftime.

Arsyeja e këtij funksioni është t’i ofrojë pajisjes një shtresë shtesë sigurie, pasi pas një rindezjeje celulari duhet të zhbllokohet përpara se të shfaqë ndonjë përmbajtje.

Veçoria e re është pjesë e paketës së sigurisë të muajit që sapo lamë pas dhe përditësimeve të reja të programit.