Rinis ndërtimi i segmenteve rrugore nga Delvina në Dibër

Rinis ndërtimi i segmenteve rrugore nga Delvina në Dibër

Rruga e Arbrit

Pas një periudhe relativisht të gjatë lënieje në plan të dytë të korridoreve rrugore kombëtare, duket se këtë vit do të rifillojnë punimet në disa segmente njëherësh. Përveç vazhdimit me ritme shumë të ngadalta në aksin Qukës-Qafë Plloçë dhe Korçë-Ersekë, si dhe përpjekjes për të përfunduar autostradën Tiranë-Elbasan, tashmë pritet fillimi i punimeve edhe në Rrugën e Arbërit.

Ndërkohë, dje ka qenë vetë kryeministri Edi Rama që ka shpërndarë pamjet e projektit të rrugës Kardhiq-Delvinë, e projektuar për të nisur nga puna brenda vjeshtës së këtij viti. Segmenti i gjatë 32 kilometra, nga të cilat 16 kilometra kanë përfunduar, konsiderohet si një nga projektet më të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë dhe turizimit në të gjithë zonën, pasi mundëson lidhjen më të shpejtë të Gjirokastrës me bregdetin, duke evituar Qafën e Muzinës, për të vijuar përmes Nivicës. Për pjesën të papërfunduar të rrugës, është parashikuar ndarja në 4 lote, që do të thotë se do të jepen 4 tendera.

Projekti nis nga kryqëzimi i urës së Kardhiqit me rrugën Tepelenë-Gjirokastër, ndërkohë që në lotin e 7-të parashikon edhe ndërtimin e Tunelit të Skërficës, gati 1 kilometër të gjatë. Ndërkohë, fundi i projektit përkon me kryqëzimin në Urën e Gajdarit.

Po kështu, Rama lajmëroi nga Gjirokastra se Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderin për ndërtimin e lotit të parë të Bypass-it të Tepelenës. Projekti përfshin lidhjen e dy segmenteve rrugore, atë të segmentit Levan-Tepelenë në hyrje me segmentin në dalje Tepelenë-Gjirokastër-Kakavijë, si pjesë e korridorit Veri-Jug. Fondi limit nga buxheti i shtetit, caktuar për kryerjen e punimeve është rreth 2.4 miliardë lekë, ose rreth 18.9 milionë euro.

Ndërkohë që kohëzgjatja e punimeve do të jetë 22 muaj pas nënshkrimit të kontratës, që llogaritet që segmenti të jetë i përfunduar në Qershor të vitit 2020. Klasifikimi i rrugës bie në kategorinë ndërurbane dytësore, ndërsa shpejtësia maksimale është projektuar në 100 kilometra në orë.

Projekti parashikon zgjerimin e rrugës në krahun e shpatit në zonën e Kalasë, pastrimin e mureve të kalasë dhe rikonstruksionin e një ure ekzistuese. Punimet nisin javën e arshshme, tha kryeministri.

Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur një tjetër procedurë prokurimi lidhur me rrugët dytësore në Nyjen e Milotit, me fond limit 10 milionë euro i ndarë në tre vite. Ndërtimi i nyjes lidhëse të rrugës Milot – Lezhë – Rrëshen – Thumanë është pjesë e rrjetit rrugor kombëtar dhe i përket njëkohësisht, si korridorit Veri – Jug, ashtu dhe aksit Durrës – Kukës – Morinë. Projekt-preventivi i kontratës parashikon ndërtimin e një shkëmbimi rrugësh në kryqëzimin e autostradës Milot – Rrëshen – Kukës – Morinë dhe asaj Fushë Krujë – Milot – Lezhë. Punimet në këtë projekt pritet që të zgjasin 15 muaj nga nënshkrimi i kontratës.

Rrugët
Megjithëse vitet e kaluara u investua në punë të mëdha publike në infrastrukturën rrugore, si Rruga e Kombit dhe ajo Tiranë – Elbasan me një faturë mbi 1.4 miliardë euro, këto rrugë ende janë të papërfunduara dhe vendi ynë ka nevoja të mëdha për investime të mëdha. Aktualisht rrugët për të cilat janë hapur punimet kapin një faturë prej 102 miliardë lekësh dhe deri më tani janë financuar vetëm 32 miliardë lekë ose 30% e totalit të shumës.

Thumanë-Kashar është një tjetër projekt për të cilin kanë nisur edhe procedurat për dhënien me koncesion PPP. Qeveria ka premtuar se brenda vitit 2018 do të bëhet ndërtimi i aksit Milot-Balldren, i cili parashikon edhe një bypass në qytetin e Lezhës. Ndërkohë që është në proces tenderimi i bypass-eve të bllokuara të Fierit dhe Vlorës dhe brenda verës pritet lidhja e kontratave. Brenda 2018-ës pritet edhe përfundimi i aksit Tiranë-Elbasan.

Ndërkohë, përfundimi i Rrugës së Arbrit, një prej rrugëve më të rëndësishme në vend kërkon 33 miliardë lekë, ose 242 milionë euro investim, teksa pjesa më e madhe prej gati 200 milionë eurosh do të financohet nëpërmjet një koncesioni.

/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit

Bashkëshortja e Netanyahut nën hetim, akuzohet se ka frikësuar kundërshtarët politikë në gjyqin për korrupsion të liderit izraelit