Procesi i rinumërimit të votave për qarkun e Tiranë dhe të Fierit, vendim që u mor nga dy anëtarët e PD në KAS, pritet të nisë javën e ardhshme. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi, në një konferencë për mediat, u shpreh se do të rishqyrtohen 610 301 vota të të dyja qarqeve, dhe procesi pritet që të zgjasë deri në 20 ditë.

Procesi do të zhvillohet në ambientet e Pallatit të Sportit “Farie Hoti” dhe se do të realizohet nga stafi i KQZ, dhe jo nga subjektet politike. Kryekomisioneri sqaroi se për Tiranën, janë angazhuar 208 grupe numërimi ose 104 tavolina, ndërkohë që për qarkun e Fierit, 92 grupe numërimi ose 46 tavolina. 

Kompetencat për procesin do të jenë të KAS, tha Celibashi, duke marrë parasysh se vendimmarrja ka ardhur me kërkesë të dy anëtarëve të këtij organi, konkretisht të PD, Ledio Braho dhe Elvis Çefa. 

"KAS do të vendosë dhe disponojë mbi çdo element të këtij procesi të rinumërimit. Bëhet fjalë për rinumërimin e rreth 610301 vota për të dy qarqet, Tiranën dhe Fierin. Parashikojmë që të fillojë të hënën ose të martën e javës që vjen.”, u shpreh Celibashi, duke shtuar se nuk do të ketë nevojë për fonde shtesë. 

Celibashi tha se janë kursyer rreth 2 milionë euro nga procesi i votimit nga jashtë, nga kontrata me kompaninë postare DHL. 

“KQZ s’do kërkojë fonde shtesë për këtë proces, kemi kursyer fonde nga procesi i votimit nga jashtë, nga kontrata që kemi me operatorin e shërbimit postar dhe aspekte të tjera të këtij procesi dhe procesit zgjedhor më tërësi. Nga një vlerësim paraprak, s’do kemi nevojë për fonde shtesë për këtë proces”, tha Celibashi duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares së Report Tv, Daniela Maloku. 

Celibashi adresoi edhe pretendimet e opozitës për procesin e diasporës, teksa tha se është zhvilluar në mënyrë model. Sipas tij, pavarësisht disa problematikave të raportuara në Greqi, integriteti i këtij procesi të votimit nga jashtë nuk cenohet. 

“Procesi i votimit nga jashtë pa asnjë lloj droje e hezitimi them se ka shkuar shumë mirë. I kuptoj pretendimet  e kujtdo subjekti zgjedhor, ka pasur problematika por duke i kalkuluar dhe efektin e këtyre problematikave, mendoj se procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model. Episodet, veçanërisht ato të shpërndarjes së zarfeve në Greqi, me bindje për mua nuk e cenojnë këtë proces. Për mënyrën se si u organizua procesi dhe për integritetin e këtij procesi.", tha Celibashi.

Një ditë më parë, KAS, me votat e dy anëtarëve të PD në këtë organ, vendosi rinumërimin e të gjitha votave për subjektet politike edhe në qarkun Fier, ndërsa ditë më parë vendosi hapjen e kutive edhe për Tiranën. Deri më tani ka shkuar në 1,914 numri i kutive që është vendosur të rihapen dhe të numërohen, nga 5225 në të gjithë vendin. Megjithatë, votat e Tiranës e Fierit, që përbëjnë mbi 35% të qendrave të votimit, mund të mos jenë të vetmet që do të rinumërohen.

Në KAS po shqyrtohen edhe ankimimet e PD për qarqet e tjera, për të cilat me votën e dy anëtarëve të opozitës mund të vendoset për hapje të kutive në të tjera qarqe. Të mërkurën, në KQZ do të hapen edhe 44 kutitë e qarkut të Dibrës, vetëm për votat e Partisë Demokratike, pasi do të verifikohen votat preferenciale me kërkesë të kandidatit Xhemal Gjunkshi. Cilido qoftë rezultati, kjo nuk do të ndikojë në marrjen e mandatit, pasi PD ezauroi vetëm listën e mbyllur në këtë qark.

Në Fier PD mori vetëm 4 mandate, kundrejt 12 të tjerëve që fitoi PS. Koalicioni i ‘Nisma Shqipëria Bëhet’ e Adriatik Lapajt, ishte shumë afër marrjes një mandati në këtë qark, por e humbi për një grusht votash. Ndërsa në Qrkun e Tiranës, PD mori 13 ndërkohë që PS siguroi 19 mandate. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:36
PD lë dhe stafin e KQZ pa pushime, Celibashi: Kemi anuluar lejet vjetore, deri në gusht të angazhuar me procesin zgjedhor

 

KQZ do të jetë deri në dy javët e para të muajit gusht e angazhuar me procesin zgjedhor. Në një konferencë për mediat, ndërsa dha detaje për rinumërimin, Ilirjan Celibashi tha se kanë anuluar edhe lejet vjetore për stafin. Procesi i rinumërimi pritet të zgjasë deri në 20 ditë.

“Do vazhdojmë pa ndërprerje, gjithë administrata do jetë në punë, kemi anuluar dhe lejet vjetore për gjithë stafin, për të qenë në punë edhe gjatë korrikun edhe gushtit. Me siguri që sikurse e thashë vetëm për këto dy qarqe do duhen 18-20 ditë, për të përfunduar procesin e rinumërimit, shto edhe ditët që do mund të duhen për ankimet në Kolegj. Edhe gjysma e parë e muajit gusht do na gjejë të angazhuar me procesin zgjedhor të 11 majit. Të dyja qarqet për 18 deri në 20 ditë”, u shpreh Celibashi.

Ora 10:27
Celibashi: Votimi nga jashtë ishte model, me bindje them se Greqia s’e cenoi procesin! Rreth 2 mln euro u kursyen nga kontrata me shërbimin postar

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi tha se procesi i votimit nga jashtë ka qenë model. Në konferencën për mediat, Celibashi theksoi se problematikat e raportuara në Greqi nuk e cenojnë integritetin e procesit. Ai tha gjithashtu se janë kursyer rreth 2 mln euro nga ky proces dhe kontrata me kompaninë postare.

“Procesi i votimit nga jashtë pa asnjë lloj droje e hezitimi them se ka shkuar shumë mirë. I kuptoj pretendimet  e kujtdo subjekti zgjedhor, ka pasur problematika por duke i kalkuluar dhe efektin e këtyre problematikave, mendoj se procesi i votimit nga jashtë është zhvilluar në mënyrë model. Episodet, veçanërisht ato të shpërndarjes së zarfeve në Greqi, me bindje për mua nuk e cenojnë këtë proces. Për mënyrën se si u organizua procesi dhe për integritetin e këtij procesi. Jam i ndërgjegjshëm që për opozitën kjo gjë nuk qëndron kështu, por jam i bindur për këtë gjë. Kursimi i parave në lidhje me votimin nga jashtë, s’e ka cenuar standartin e këtij procesi. Nëse nuk gaboj janë tek rreth 1.5-2 mln euro të kursyera vetëm për pagesën e shërbimit postar. Sikurse thashë kemi kursime edhe nga aspekte të tjera të procesit të votimit dhe brenfda vendit.”, tha ai.

Ora 10:26
Rinumërimi, Celibashi: Kemi kursyer para, s’do të kërkojmë fond shtesë

 

KQZ nuk do të kërkojë fonde shtesë për procesin e rinumërimit. Pyetur nga gazetarja e Report Tv, Danjela Maloku, se sa do të kushtojë procesi, Ilirjan Celibashi tha KQZ ka kursyer para dhe s’do kërkojnë fond shtesë.

“Nuk do të angazhojë fonde të tjera shtesë, KQZ s’do kërkojë fonde shestë për këtë proces, kemi kursyer fonde nga procesi i votimit nga jashtë, nga kontrata që kemi me operatorin e shërbimit postar dhe aspekte të tjera të këtij procesi dhe procesit zgjedhor më tërësi. Nga një vlerësim paraprak, s’do kemi nevojë për fonde shtesë për këtë proces”, tha Celibashi për Report Tv.

Ora 10:19
Rinumërimi, Celibashi: Do zhvillohet tek Pallati i Sportit ‘Farie Hoti’, ja sa njerëz kemi angazhuar

1749543012_celibashi.jpg

Procesi i rinumërimit për qarkun e Tiranës dhe Fierit do të zhvillohet tek Pallati i Sportit ‘Farie Hoti’. Kryekomisioni Ilirjan Celibashi dha detaje se sa njerëz kanë angazhuar për këtë proces.

"Kërkon përgatitje logjistike. Në një kohë rekord ia kemi dalë ta kemi gati infrastrukturën dhe kapacitete njerëzore për ta nisur këtë proces të hënën ose të martën e javës që vjen. Do zhvillohet tek Pallati i Sportit Farie Hoti. Nuk mund të zhvillohet te Parku Olimpik për shkak të rrethanave objektive aty është parashikuar të zhvillohet kampionat europian i volejbollit dhe kemi qenë të detyruar të shikojmë një opsion tjetër. 99.9% procesi i sportit do zhvillohet tek Pallati i Sportit Farie Hoti. Për Tiranën, procesi i rinumërimit ka angazhuar 208 grupe numërimi ose 104 tavolina, për Fierin 46 tavolina ose 92 grupe numërimi. Shkojnë gati 150 tavolina. Kemi rreth 6 herë më pak tavolina, do na duhet 6 herë më shumë kohë, për të numëruar dhe vlerësuar votat dhe për të bërë tabelimin e rezultatit. Kompetencë e plotë e KAS, do jetë KAS që do të vendosë mbi çdo elementë të këtij procesi, përfshirë edhe vlerësime mbi fletë të caktuara votimi", tha Celibashi.

Xh.D/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • emigranti: 10/06/2025 10:35

    Zoti Celibashi! Ju keni kursyer para,por keto para te kursyera ne vend qe te perdoren per dicka pozitive,shkojne per te permbushur deshirat paranoiaje te Salih Rame Udebashit.Megjithate,kjo pune nuk mbaron ketu,sepse javen tjeter,ata te dy komisioneret e PD ne KAS do marrin urdher te kontestojne rezultatet ne qarqet e tjere e keshtu me radhe.Kjo pune eshte me nje njeri konfliktual te vazhdueshem qe nuk mendon gje tjeter vec se se te krijoje probleme kunder popullit e vendit te tij.Megjithate suksese ne rinumerimin e pritshem,rezultati i te cilit eshte i ditur dhe nuk do ndryshoje asnjemandat te subjekteve politike,vec nese ka ndonje tjetersim te votes brenda vete partise anti-demokratike te vete perbindeshit Berisha.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës: 20 Qershor, 11:01

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?