Kreu i Shtetit Islamik Abu Bakr al-Baghdadi e tregoi fytyrën e tij për herë të parë në pesë vjet, duke u shfaqur në një video të postuar në internet të hënën nga sektori mediatik "al-Furqan" i grupit terrorist.
Videoja më shumë se 18 minuta e gjatë, e tregon udhëheqësin e ISIS-it të ulur, me një sfond të bardhë, duke folur me anëtarë të tjerë të ISIS-it, fytyrat e të cilëve nuk duken qartë, ose janë të mbuluara me maskë.
Bagdadi pranon rënien e territorit të fundit nën kontrollin e ISIS-it në Baghuz të Sirisë dhe gjithashtu flet për sulmin terrorist të së dielës së Pashkëve në Sri Lanka, ku u vranë më shumë se 250 vetë, duke thënë se ai ishte ndërmarrë “si shpagim ndaj kryqëzorëve në ditën e tyre të Pashkës, për vrasjen e vëllezërve tanë në Baghuz”.
Abu Bakr al-Baghdadi e përshkruan luftën e grupit terrorist tani si një "betejë të tërheqjes" dhe premton se ISIS do të kërkojë të hakmerret për vrasjen dhe burgosjen e luftëtarëve të saj.
Kjo është videoja e parë e Bagdadit, që pasi ai iu drejtua një turme bestimarësh në Xhaminë e Madhe të al-Nurit në Mosul të Irakut në vitin 2014.
Në mesazhe të tjera të liderit ISIS-it të regjistruara në audio dhe të postuara në internet në gusht 2018 dhe në shtator 2017, ai u bën thirrje pasuesve të tregohen këmbëngulës, edhe pse në atë kohë grupi po humbte terren ndaj forcave të koalicionit me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara.
Zyrtarët amerikanë të zbulimit janë të vetëdijshëm për videon e re, por ende nuk e kanë verifikuar vërtetësinë e saj.
Mungesa e paraqitjeve në publik dhe e mesazheve sporadike të Abu Bakr al-Bagdadit kanë çuar në spekulime rreth vendndodhjes së tij dhe kanë nxitur gjithashtu zëra të shumtë për vdekjen e tij. Por zyrtarët ushtarakë dhe të zbulimit amerikan, prej kohësh besojnë se Bagdadi është gjallë dhe se ai fshihet në zona të thella të Sirisë apo Irakut, ku ISIS vazhdon të ekzistojë, ndoshta me mbështetjen lokale.
Disa ish-zyrtarë të antiterrorizmit paralajmërojnë se publikimi i videos së re mund të përbëjë shqetësim, pasi ajo ka rrezik të shërbejë për të frymëzuar mbështetësit e ISIS-it.
"Është e rëndësishme që ai u shfaq," tha Koloneli në pension Chris Costa, i cili shërbeu si drejtor për kundërterrorizmin në fillim të administratës së Trump.
"Ai është padyshim fytyra e ISIS-it dhe ne nuk e kishim parë prej disa kohësh. Tani ai rishfaqet, duke përmendur Sri Lankën, këtë duam të dimë, madje edhe më tepër se kaq,” - tha koloneli Chris Costa./VOA/