Vendimi i Kolegjeve të Bashkuara, i marrë në unanimitet parashikon se kufizimi më i rëndë i lirisë personale, masa e arrestit në burg, duhet të merret pasi më parë të jenë shqyrtuar realisht masat e tjera alternative. Po ashtu, kërkohet arsyetim rast pas rasti për personin e përfshirë dhe që të jetë prokuroria ajo që të ketë barrën e provës për të justifikuar nevojën e masës ekstreme.

"Rastisi që kur po bënim anketimin në terren Gjykata e Lartë ishte afër vendimit për të unifikuar kriteret për paraburgimin. Pa e dhënë vendimin gjykata, ishin pro atij vendimi që eventualisht gjykata mori. Këtu kemi një duartrokitje të fortë të publikut ndaj Gjykatës së Lartë, me 82% mbështetje", thotë Eduard Zaloshnja, autor i raportit.

SPAK, vijon të gëzoj një mbështetje të gjerë, me pothuajse 72% e të rriturve kanë opinion pozitiv ose që anon pozitiv për. Por vlerësimi është ndjeshëm më i ulët, 56.5 përqind, kur bëhet fjalë për luftën kundër korrupsionit, dhe mbi 70 përqind e të anketuarve mendojnë se ky institucion nuk ka bërë sa duhet për të goditur dhe sekuestruar pasuritë e zyrtarëve të korruptuar apo kriminelëve.

Gati gjysma e të pyeturve mendojnë se lufta ndaj korrupsionit duhet të jetë përparësia kryesore për Drejtësinë e ndjekur nga mbrojtja e të drejtave të qytetarëve.

10 vjet pas reformës në drejtësi, mbi dy të tretat kanë vlerësim pozitiv apo që anon drejt pozitive, megjithatë vetëm 25 përqind mendojnë se ajo ka patur ndikim ne jetën e tyre të përditshme.

Për mjaft aspekte, raporti direkt me Drejtësinë, duket i pandryshuar.

Sipas vrojtimit, ngjashëm me një dekadë më parë, vetëm dy në pesë çështje gjyqësore të përjetuara nga shqiptarët në dhjetë vitet e fundit, rezultojnë të jenë zgjidhur. Ndërsa nga rastet e zgjidhura vetëm tre në pesë qytetarë janë shprehur të kënaqur me vendimin.

Po ashtu, mbi 62% e të rriturve deklarojnë se do ta konsideronin një pagesë nën dorë për gjyqtarë apo prokurorë, nëse kjo do të ishte e nevojshme për të zgjidhur një problem, ndërsa më shumë se gjysma thonë se njohin persona në rrethin familjar ose shoqëror që e kanë bërë një gjë të tillë.

Harta gjyqësore e vënë në jetë këtu e tre vite më parë, për shumicën e qytetarëve (60 përqind e të anketuarve) jo vetëm që nuk ka sjellë përmirësim, po rezulton të ketë vonuar zgjidhjen e problemeve gjyqësore për popullatën në zonat e tyre.

Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, kreu studimin bazuar në një kampion të rastësishëm prej 1,111 të rriturish në të gjithë vendit, me një marsh gabimi statistikor nën 2.9%.