Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka reaguar ndaj rishikimit të buxhetit, duke akuzuar qeverinë se ka ndërmarrë një vendim të papërgjegjshëm me uljen e fondeve për arsimin dhe shëndetësinë.
Në një postim në rrjete sociale, deputetja thotë se vetëm për ministrinë e Arsimit, fondet janë shkurtuar me 851 milionë lekë krahasuar me qershorin, dhe me rreth 1 miliard lekë më pak se buxheti fillestar i vitit 2025 ekuivalente me rreth 10 milionë euro. Sipas saj, kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj mësuesve, nxënësve dhe studentëve.
Deputetja kritikon gjithashtu qeverinë për mosinvestim në përmirësimin e kushteve në shkolla, ndërsa thotë se “miliarda lekë shkojnë në koncesione për klientët e qeverisë”. Ajo thekson se shumë shkolla nuk kanë ngrohje dhe më shumë se gjysma janë pa internet.
Xhixho nënvizon gjithashtu se situata është po aq e rëndë në shëndetësi, me mungesë ilaçesh bazike, aparatura jashtë funksionit dhe kushte të vështira pune për mjekët e infermierët, veçanërisht në Spitalin Onkologjik.
"I papërgjegjshëm vendimi i qeverisë për uljen e buxhetit të arsimit dhe shëndetësisë, në një kohë kur vendi ka nevojë jetike për më shumë investime në dije dhe në kujdesin shëndetësor. Vetëm për Ministrinë e Arsimit, fondet janë shkurtuar me 851 milionë lekë krahasuar me qershorin, dhe me 1 miliard lekë më pak se buxheti fillestar i vitit 2025 — rreth 10 milionë euro, ose 1.6% më pak për mësuesit, nxënësit dhe studentët shqiptarë. Në vend që të përmirësojë kushtet në shkolla, qeveria po i shkurton fondet për të ardhmen e brezit të ri, ndërsa miliarda lekë shkojnë në koncesione për klientët e qeverisë. Qindra shkolla nuk kanë as ngrohje ndërsa dimri po afron; më shumë se gjysma nuk kanë internet, kur qeveria flet për laboratorë smart.
E njëjta situatë tragjike përsëritet në shëndetësi, ku mungesat dramatike në spitale, veçanërisht në Spitalin Onkologjik, e kanë kthyer dhimbjen e pacientëve në vuajtje pa mbarim. Mungojnë ilaçe bazike për trajtimin e sëmundjeve të rënda, aparaturat janë jashtë funksionit, dhe mjekët e infermierët punojnë në kushte të papranueshme, ndërsa qeveria mbyll sytë dhe ul fondet publike.
Kjo nuk është vetëm paaftësi qeverisëse, është shpërfillje e qytetarëve dhe abuzim monstruoz me paratë e tyre. Asnjë vend nuk mund të ecë përpara duke shkatërruar themelet e tij: arsimin dhe shëndetësinë!". shkruan Xhixho.
Komente










