Një element esencial, në ekspozimin e artit, aspekti kuratorial trajtohet tanimë përmes një programi edukativ. Nisma “Kurimi me përkujdesje” e Qendrës së Artit Bashkëkohor “Tirana Art Lab”, ka ftuar këtë fundjavë pranë Institutit Italian të Kulturës si mbështetës, Ludovico Pratesin. Kuratori dhe kritiku italian i artit prezanton projektin kuratorial 3-vjeçar ‘Spazio Taverna: Një hapësirë për të ndërtuar të ardhmen’ që ai vetë drejton në Romë duke u ndalur edhe tek praktika e tij kuratoriale ‘genius loci’.
“Spazio taverna lindi gjatë pandemisë, prej bashkëpunimit midis meje dhe ortakut tim Marco Bassan. Është një projekt shumë ambicioz që mbështetet në idenë kontaminimit ndërmjet artit bashkëkohor dhe fushave të tjera të kulturës, shkencës dhe teknologjisë. Është një projekt që lind në një vend preciz, me një histori precize dhe që synon të krijojë mundësi, veçmas për promovimin e artistëve të rinj”- u shpreh Pratesi.
Spazio Taverna është partner në këtë iniciativë, ku Pratesi, këtë prezantim të dytë të programit, vlerëson bashkëpunimin mes kuratorëve shqiptarë e atyre italianë.
“Këto iniciativa janë të nevojshme, sepse Shqipëria nuk ka institucione ndërkombëtare që merren me artin bashkëkohor në një nivel të lartë, ndonëse ka një sërë hapësirash alternative me programe interesante, që mendoj se është e domosdoshme ti bësh bashkë dhe ti konfrontosh me hapësira të ngjashme që ka në Itali apo më gjerë”- shtoi ai.
Ndërsa programi mbahet çdo fundjavë, janë 12 pjesëmarrës nga Shqipëria e Kosova.
“Nevojë për pjesëtarë të skenës së artit, që kanë nevojë të njihen më shumë me strategji të kurimit në Shqipëri, në rajon por edhe në bashkëbisedim me skenën e artit”- u shpreh Adela nw fushwn e kurimit tw artit viziv.
“Kurimi me përkujdesje” do të vijojë deri në dhjetor.