Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë ndeshjen e parë të play-off-it të Botërorit 2026 ndaj Polonisë më 26 mars në Varshavë, në orën 20:45. Trajneri Sylvinho ka bërë publike listën me 26 lojtarët e ftuar për këtë përballje, si edhe për ndeshjen e mundshme ndaj Ukrainë/Suedisë më 31 mars. Për herë të parë me kombëtaren shqiptare kanë marrë ftesë mbrojtësit Stavro Pilo dhe Bujar Pllana. Sot në orën 11:00 trajneri do të shpjegojë për mediet këtë listë, pritshmëritë dhe analizën e rivalëve.

Lista e plotë me 26 lojtarë:

Portierë: Thomas Strakosha, Elhan Kastrati, Mario Dajsinani

Mbrojtës: Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser Aliji, Berat Gjimshiti, Bujar Pllana, Klisman Cake, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Elseid Hysaj, Ivan Balliu

Mesfushorë: Kristjan Asllani, Adrion Pajaziti, Ylber Ramadani, Juljan Shehu, Qazim Laçi, Nazmi Gripshi, Arbër Hoxha, Anis Mehmeti, Jasir Asani

Sulmues: Myrto Uzuni, Ernest Muçi, Nedim Bajrami, Armando Broja

SYLVINHO I KUSHTËZUAR

Mungesat - Medon Berisha, Marash Kumbulla, Rey Manaj dhe Mirlind Daku nuk janë në këtë listë për shkak se futbollistët kanë probleme me dëmtimet. Berisha mungon prej një kohe të gjatë, ashtu si Kumbulla dhe Daku. Ndërkohë, Manaj u dëmtua disa ditë më parë dhe do jetë jashtë për të paktën tetë javë.

Rikthimet - Ernest Muçi është i konfirmuar në ekip, teksa sulmuesi i Trabzonsporit e sheh veten në grumbullim pas tetë muajsh. Duke parë problemet në sulm, një vend ka edhe për Anis Mehmetin.

Risitë - Mbrojtësi qëndror i Lechia Gdansk në Poloni, Bujar Pllana është në listën e Sylvinhos për herë të parë, njësoj si mbrojtësi i majtë i AEK-ut të Athinës, Stavros Pilios.

Shqipëria përballet kundër Polonisë në Varshavë më 26 mars, teksa duhet të fitojë ndeshjen teke për të marrë të drejtën që të luajë në finalen play-off (31 mars) kundër fituesit të çiftit Ukrainë - Suedi. Në rast se tanët do kalojnë Poloninë, në bazë të shortit të hedhur nga UEFA, edhe ndeshjen e radhës play-off tanët do e luajnë në transfertë. 

Kuqezinjtë janë dy fitore larg ëndrrës së madhe, kualifikimit për herë të parë në histori në finalet e një Kupe Bote, që këtë vit do zhvillohen nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Meksikë dhe Kanada. Në rast se Shqipëria fiton në play-off, atëherë do vendosej në Grupin F të Kupës së Botës, së bashku me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë.

Grumbullimi zyrtar i Kombëtares do të nisë më 23 mars, ditë e hënë, kur do të zhvillohet dhe seanca e parë stërvitore në prag të sfidës me Poloninë. Kuqezinjtë do të zbresin në fushë më 26 mars në orën 20:45 për t’u përballur me Poloninë në Varshavë, ndërsa më 31 mars Shqipëria do të luajë ndeshjen e radhës ndaj fituesit (finale play-off) ose humbësit (miqësore) të çiftit Ukrainë - Suedi.

Lista e Kombëtares për ndeshjet play-off

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 10:29
Dy risitë e Sylvinhos në Kombëtare, njihuni me Stavro Pilon dhe Bujar Pllanën

1774085419_bujarpllanastavrospilios.jpg

Trajneri Sylvinho zbardhi sot listën me 26 emrat e futbollistëve që do përfaqësojnë Shqipërinë në play-off-in e Kupës së Botës 2026. Bie në sy se mes tyre janë edhe Stavro Pilo (mund ta hasim edhe si Stavros Pilios për shkak se ka lindur në Greqi) dhe Bujar Pllana. Pilo luan si mbrojtësi i majtë me AEK-un e Athinës, ndërsa Pllana luan si mbrojtës qendre me Lechia Gdansk në Poloni.

Stavro Pilo - I lindur në ishullin Rhodos (Greqi) më 10 dhjetor 2000, Stavros Pilios (Stavro Pilo) është i biri i dy prindërve me origjinë nga Dropulli që kanë emigruar herët në vendin fqinj. Fillimisht ai spikati si mbrojtës i majtë te Pas Janina, për të kaluar më pas për një sezon te Iraklis. Verën e 2023 AEK-u i Athinës i besoi të riut dhe e afroi në ekip. Gjatë kësaj kohe, Pilio ka luajtur me verdhezinjtë 66 herë, duke shënuar një gol dhe dhuruar shtatë asistime. Vlera e tij në 'Transfermarkt' është 1.5 milion euro. Njësoj si Mario Mitaj, i cili doli po nga AEK-u, edhe Stavros Pilios po ndjek të njëjtën rrugë teksa këtë sezon ka bërë 33 paraqitje.

Bujar Pllana - 24-vjeçari ka luajtur në Superligën e Kosovës te skuadrat; Trepça, Feronikeli dhe Prishtina, para se në vitin 2023 të kalonte te Slaven Belupo në Kroaci dhe më pas te Lechia Gdansk në Poloni ku luan prej një viti e gjysmë. Këtë sezon në Superligën polake Bujar Pllana ka luajtur 12 ndeshje për 839 minuta në total. Veç qendrës së mbrojtjes, ai luan edhe në krahun e djathtë dhe duket si një përforcim i Hysajt dhe Balliut.