Pas përfundimit të procedurave të konkursit për pozicionet drejtuese në Policinë e Shtetit për disa qarqe në vend, me firmën e kryepolicit Skënder Hita, janë bërë emërimet e reja në Vlorë, Lezhë, Fier.
Ermal Muça është emëruar drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, ndërsa Edvin Ndreu do të drejtojë Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas komandimit të pak ditëve më parë, kur u shkarkua Elidon Çela pas skandalit me protestën në Zvërnec. Erion Ahmeti, i cili prej disa kohësh ushtronte detyrën si drejtues i komanduar i Policisë së Fierit, ka marrë tashmë emërimin zyrtar si drejtor.
Emërimet vijnë në kuadër të procesit të ristrukturimit dhe konsolidimit të drejtimit të strukturave policore në qarqe, pas vlerësimit të kandidatëve në garën e zhvilluar për pozicionet drejtuese. Tirana dhe Durrësi vijojnë të jenë pa drejtues të emëruar, proces që pritet në vijim.
Komente






