TIRANË- Grupi i Rithemelimit kritikoi sërish nismën e Ballkanit të Hapur, duke pretenduar se i shërben vetëm pushtetit të Edi Ramës dhe Aleksandar Vuçiç. Për Aldo Bumçin, anëtar i Kryesisë së PD-së, kjo nismë minon rrugën europiane të rajonit, thellon ndasitë në Ballkan dhe cenon pavarësinë e Kosovës dhe Bosnjë Hercegovinës. 

"Një studim i ditëve të fundit i Institutit Rockefeller mbi Ballkanin e Hapur, rikonfirmon edhe një herë alarmin e ngritur nga Partia Demokratike se, kjo nismë synon t’i shërbejë pushtetit personal të Edi Ramës dhe Aleksandër Vuçiç. Më shume se kaq është pjesë e axhendës së tyre të përbashkët për ta mbajtur rajonin jashtë Bashkimit Europian, thekson studimi.  Studimi nxit edhe më tej dyshimet mbi axhendën e fshehtë të kësaj nisme, kur evidenton se Bosnje Hercegovina e refuzon pjesëmarrjen në Ballkanin e Hapur për shkak se i trembet cënimit të pavarësisë së saj. Ky vend, bashkë me Kosovën e Malin e Zi, e shohin Ballkanin e Hapur si rrezik që minon rrugën e tyre europiane. Studimi rikonfirmon shqetësimet e pësëritura se Ballkani i Hapur priret të thellojë edhe më shumë ndasitë mes vendeve të rajonit, në vend që të rrisë bashkëpunimin gjithëpërfshirës, sikundër pretendojnë Rama dhe Vuçiç", tha Bumçi. 

Në deklaratën e tij nga selia e PD-së, Bumçi e ka etiketuar Ramës dhe Vuçiç si “vasal” dhe “padron”, duke theksuar se kjo nismë e tyre është në ‘non sens’ politik.

“Ballkani i Hapur dëshmohet edhe njëherë një non sens politik dhe ekonomik nga qendrat prestigjioze ndërkombëtare. Një grup analistësh amerikanë dhe europianë të gjeopolitikës, si Ed Jospeh e të tjerë, kanë artikuluar kundër kësaj nisme. Vetëm Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç e konsiderojnë gjënë e duhur. Njëri si vasal e tjetri si padron”, tha Bumçi.

Opozita ka dalë kundër Ballkanit të Hapur, teksa ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se ‘çdo marrëveshje e nënshkruar në kuadër të kësaj nisme do të hidhet poshtë kur PD të vijë në pushtet’.