TIRANE- Kryeministri Berisha zhvilloi homazhe para arkivolit të Mbretit Zog, të vendosur sot paradite në Pallatin e Brigadave. Duke vlerësuar figurën e tij si një burrë shteti i cili vendosi integritetin territorial të Shqipërisë, jetësoi pavarësinë e Shqipërise,  tha se në rrethanat ku mbretërori përpjekjet e tij ishin mbinjerëzore.

“Shqiptarët përlulen para burrit që jetësoi pavarësinë e Shqipërisë. Flamuri shqiptar u ngrit në Vlorë në 28 nëntor 1912 nga Ismail Qemaili dhe atdhetarë të tjerë, por për vite të tëra u pengua vendosja e një shteti shqiptar. Në një moshë të re së bashku me atdhetarë të tjerë shqiptarë do të vendoste integritetin territorial të Shqipërisë. Është koiçidencë e mrekullueshme që kthehet sot në dheun e tij në ditën e çlirimit të Tiranës. Tirana kryeqytet është vepër e këtij burri. Zogu nderohet nga të gjithë shqiptarët për ndërtimin e shtetit dhe kontributin historik në ndërtimin e këtij shteti që nga koha e Skënderbeut gjer në vite 20. Zogu do të nderohet për kontributin historik në zhvillimin e konsolidimit të vokacionit perëndimor të Shqipërisë. Në periudhën e mbretërësisë së tij bëri përpjektjet e jashtëzakonshme për zhvillimin e infrasktrukturës, arsimit, kulturës, bujqësisë dhe konturoi diplomacinë shqiptare si diplomaci aktive. Shqiptarët do të ndihen krenarë me Mbretin Zog. “- tha Berisha duke shtuar se “sikundër shumica e monarkëve, u largua nga Shqipëria për të vazhduar betejën në të gjitha frontet në krahun e koalicionit antifashist botëror”

Kryeministri shtoi se vlerësimi historik i figurës së mbretit duhet të bëhet në raport me rrethanat kur mbretëroi. “Në historinë tonë nuk kemi figura eterike, nuk kemi dhe nuk do kemi të pagabueshëm. Ata që studiojnë historikun e kombeve të zhvilluar gjejnë njerëz që kanë bërë gabime. Në këtë konktest nëse do të bënim një vlerësim në raport me rrethanat ku mbretëroi përpjekjet e tij mund të konsiderohen mbinjerëzore për zhvillimin e shqiptarëve. I shpreh mirënjohje Francës e cila e pranoi në gjirin e saj, në një kohë kur qeverisej nga gjenerali De Gol. Gjenerali nuk refuzoi kërkesën e një njeriu që gjatë luftës bëri çdo gjë për mobilizimin e një beteje të armatosur kundër pushtimit të vendit të tij.”- tha Berisha.

Duke iu referuar figurës së Mbretit Zog në historinë e Shqipërisë, Berisha tha ”Kontributi dhe vepra madhore e Zogut duhet të bashkojë të gjithë shqiptarët, sepse pavarësisht nga indokritinimet, të vërtetat historike më mirë t'i mësosh vonë se kurrë. Ndonjë që ka frikë nga eshtrat e monarkut ka mbetur nën lëkurën e Enverit. Le t’i lëmë diskutimet historianëve, dhe ne të vlerësojmë kontributin dhe vlerat që ky burrë shteti dha për këtë komb.”
Eshtrat e Mbretit Zogu I, mbërritën dje në Tiranë. Në nderim të tij, u zhvilluan sot, homazhe në Pallatin e Brigadave ku morën pjesë zyrtarët më të lartë të shtetit. Më pas, arkivoli me eshtrat e Mbretit Zog shoqëruar nga kortezhi është drejtuar drejt Mauzoleumit mbretëror, ku u zhvillua dhe ceremonia e rivarrimit të eshtrave, me të shtëna topi.
(sg/shqiptarja.com)