Robert Radoja: Komunizmi
mohoi 70 vjet muzikë

Robert Radoja: Komunizmi <br />mohoi 70 vjet muzikë
TIRANE - Nëse lexon historinë e muzikës që jepet sot në shkollat e artit, mungon ende një pjesë e rëndësishme e saj. Gati 70 vjet histori muzikore e mohuar, që nis me vitin 1881, mbulohet me pluhurin e harresës. Ajo qëndron ende "e konfiskuar" prej bibliotekës së Kolegjit Françeskan te arkivat e shtetit. Por, ai material që qëndron në arkiva nuk është thjesht një histori muzike, është edhe pjesë e rëndësishme e historisë kombëtare. Nuk ka sesi të jetë e rastit që vepra e parë muzikore marshi "Bashkimi Kombëtar" të kompozohej pikërisht kur u bë Lidhja e Prizrenit (1878 - 1881). Ndaj është çasti të themi "më mirë vonë se kurrë" për të trokitur në kujtesën e humbur të historisë së muzikës së kultivuar shqiptare apelojnë muzikantët e njohur. Historia e muzikës së kultivuar shqiptare "nis në vitin 1946", thotë me keqardhje pianisti i njohur Robert Radoja. Në këtë bisedë interesante me Radonë, duke i shtyrë pak nga pak tej në histori datat e zanafillës së muzikës së kultivuar shqiptare kemi zbuluar rishtas autorë, vepra të panjohura, të dhëna interesante, një pjesë e të cilave lidhen me koncertin që u dha mbrëmë në teatrin e Operas dhe Baletit në Tiranë. Radoja thotë se i ka ndjerë e prekur vetë këto vepra të harruara, duke i përpunuar me dashuri dhe emocion tingujt në piano për koncertin që u quajt "Pena e muziktarëve rilindës".
Duke marrë shkak nga surprizat e këtij koncerti në këtë intervistë rishkruhet edhe njëherë historia e muzikës shqiptare të kompozuar nga Palok Kurti, Fan Noli, Lec Kurti, Martin Gjoka, Thoma Nasi, Murat Shehu, Mikel Koliqi, Prenk Jakova dhe Kristo Kono, etj. Kjo histori muzikore ende e pashkruar zbulohet pasi Zhani Ciko u ka hequr pluhurin disa veprave të ruajtura në arkivat e shtetit. Publiku duartrokiti pjesë që historia e derisotshme e muzikës shqiptare nuk i ka ende të shkruara.

Ajo që u theksua gjatë organizimit të këtij koncerti është dokumenti i parë i muzikës shqiptare që daton në shekullin e 19-të. A mund të na thoni se deri ku shtyhet historia zanafillore e muzikës së kultivuar shqiptare?
-Unë ruaj në kujtesë disa autorë të nivelit të profesionistëve, që kanë filluar historinë tonë të muzikës. Shembull ne kemi një kompozitor profesionist Palok Kurtin që lindi në Shkodër më 1860-n dhe ka vdekur më 1920-n. Ai ishte kompozitori dhe muzikanti i parë që dha sinjalin ? lindjes së artit të ri të kultivuar. Ai është autori që kompozoi edhe "Bashkimi i Shqipnís" më 1881-shin. Të parët e mi tregojnë se ai përpunonte dhe aranzhonte këngët popullore, kryesisht ato qytetare. Në vitin 1880 ai u bë drejtuesi i parë i një bande muzikore, ku ishte dhe kompozitor i saj.

A kishte një traditë të mëhershme ku u kultivua Palokë Kurti?
-Sigurisht. Palokë Kurti ka qenë mjeshtër i muzikës. Ai ka dhënë mësime me piano në Shkodër. Ka një dokument ku thuhet se rreth 11 familje të kamura në Shkodër kishin piano. Njiheshin në atë kohë edhe mjediset e ahengut të njohur shkodran dhe muzikantët mësoheshin nga françeskani i njohur, Pater Toma. Aftësitë e Palokë Kurtit si muzikant i flaktë, e bënë atë që shihte si drejtuesin e bandës muzikore të qytetit. Banda sapo kishte nisur të ngrihej. Disa vegla muzikore i solli nga Napoli vite më parë Pater Toma. Një mjeshtër italian Giovanni Canale i ka dhënë edukimin muzikor Palokë Kurtit, duke i mësuar pianon dhe disa instrumente frymorë. Në të parën orkestër frymore e qytetit të Shkodrës 18-vjeçar, Palok Kurti ishte një ndër të 31 orkestrantët e këtij formacioni muzikor. Pra, Shkodra vetë në ato vite ka pasur një zhvillim muzikor. Në veprat e tij renditen shumë vepra të muzikës shqiptare të kultivuar, por një nga ato që është gjetur në arkiva është marshi që titullohet "Bashkimi i Shqipërisë" dhe sigurisht bëhet fjalë në 1881, dhe ky marsh është lindur me Lidhjen e Prizrenit. Të çudit fakti se vepra e gjetur është e shkruar në një mënyrë të përsosur profesionalisht. Atmosfera e atij marshi është për t'u çuditur se është si gjithë marshet e tjera të kohës evropiane.

Është dhënë ndonjëherë në publik ky marsh?
-Asnjëherë.

Ka pasur tekst?
-Jo është pa tekst. Është thjesht muzikë.

Çfarë dini për kompozitorët që shkruan historinë e muzikës shqiptare?
-Në Shkodër ka katër breza kompozitorësh. Palok Kurti është i pari, pastaj vjen prapë një tjetër Lec Kurti, që edhe ai është marrë me muzikë, ka studiuar shumë romanca, ka shkruar shumë pjesë muzikore, edhe ai ka studiuar në Itali në konservatorin e Venecias. Është marrë me diplomaci në gjithë kohën e vetë dhe deri në '78-ën është marrë me muzikë. "Aria Arbëreshe" e shkruar prej tij në italisht. Nënteksti është një performancë patriotike. Këtë më ka qëlluar ta njohë mirë se ma besoi Zhani ta luaja për piano. Ta punoja për orkestër dhe të shohim të presim përshtypjen e publikut. Tjetër bashkëkohës është Frano Noja. Edhe ai ka shkruar muzikë interesante, Ka një korale për zëra burrash, që quhet "Vdekja e Pirros". Është si të thuash një si baladë, si marsh, si marsh funebër. Ka një nëntekst shumë më të fuqishëm patriotik. Martin Gjoka një nga kompozitorët më të mirë 1898-1940. Ai ka qenë në Austri, ka qenë prift françeskan, por të gjithë françeskanët kanë filluar kulturën profesioniste në Shkodër, në kolegjin françeskan. Ai ka shkruar shumë vepra. Një nga këto vepra që u gjet rastësisht në arkiva është një baladë për lirinë, me një tekst në gjermanisht me autor një poet gjerman i shkruar në mënyrë shumë profesionale dhe polifonike. Ai është në arkiva, dhe si e tillë është shumë interesante. Kjo u këndua nga Vikena Kamenica. Pastaj është një rapsodi e një periudhe pak më të vonshme Murat Shehu, pastaj "dy lule mbi varr të Skënderbeut" dhe disa kompozitorë të tjerë që ende kanë muzikë të paekzekutuar ende. Është kardinali ynë Mikel Koliqi që ka shkruar tri melodrama dhe kanë një muzikë shumë interesante. Në këtë kontekst unë do të thosha se historia jonë e muzikës ka nevojë të rishikohet, sepse nuk fillon kur fillon historia e muzikës, ka filluar më përpara.

Ju thatë se kemi një histori shumë më të hershme muzikore se ajo që prezantohet zyrtarisht?
-Shumë më të hershme. Ka nisur emrat e rilindësve të muzikës që iu thashë më sipër, pastaj është kthyer në traditë. Vetëm Familja Kurti ka trashëguar katër breza muzikantësh. Ka qenë Palokë Kurti, pastaj Lec Kurti, pastaj vjen Zef Kurti, pastaj vjen prapë Palok Kurti i ri. Unë kam pasur fatin që njoha personalisht këta dy të fundit. Zef Kurti ka qenë drejtor i bankës, por unë e mbaj mend sepse ai ishte tepër serioz si muzikant mbas çdo mbrëmjeje të diele kishte në atë Lulishten e Shkodrës gjithmonë një koncert me bandën. E bënte me shumë pasion. Tradita vazhdoi edhe mbasi ai vdiq. Kurse Palokë Kurti i riu u bë edhe ai muzikant, por pak më modest. Ai ishte burri i aktores Tinka Kurti. Kështu që familja Kurti për gati një shekull ruan në rëndësinë e vetë një kulturë që i ka dhënë shumë muzikës profesioniste në Shqipëri, muzikës së shkruar me nota.

Si mundi të ruhej në arkiva të shtetit kjo traditë, a nuk kishte censurë për autorët si anëtarë të bandave kishtare në diktaturë?
-Ka dy kujtesa, kujtesa e shkruar dhe ajo pjesë kujtesës që e ruan tradita, që e transmeton brez pas brezi. Tradita e muzikës vazhdoi në Shkodër, pavarësisht sesi u soll diktatura me autorët dhe pjesët e censuruara. U hoqën nga qarkullimi pjesët muzikore, sepse ishin edhe produkt i institucioneve fetare në Shkodër, që në të vërtetë ishin institucione shumë serioze, por që diktatura nuk i vlerësoi sepse kompozitorët dhe autorët e muzikës së kultivuar kanë qenë priftërinj. Biblioteka muzikore e kolegjit françeskan në Shkodër, nga e cila më ka ngelur edhe mua një libër që e kam kujtim nga Dhora Leka, ka qenë një nga më të pasurat jo vetëm në Shkodër, por edhe në Ballkan.

Në tekstet shkollore të muzikologjisë kur nis historia jonë e Muzikës?
-Në 46-ën. Sa keq!!! Shtyhej edhe pak më tej, sepse nuk mund të mohohej Tefta Tashko, Marije Kraja, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, që një pjesë të mirë të aktivitetit të tyre e kanë bërë përpara 40-s, pra kanë qenë ato vitet '30, që tashmë po dalin në dritë. Eno Koço ka shkruar një libër shumë interesant, i cili është thelluar në studimin e muzikologjisë. Muzika në vite '30 ka filluar vërtetë të jetë profesionale dhe me njerëz të përgatitur që kanë prodhuar muzikë, siç është Kristi Kono, i cili ka dhanë kontributin e tij dhe më vonë, por bazat ia vuri muzikës më herët. Ishte një shkollë e nisur tashmë dhe s'mund të thuhet se shkolla profesionale muzikore u bë në '46-ën. Po të kërkosh arkivat ato të thonë shumë mbi këtë histori.

Përmendët censurën, prej vitesh është përmendur censura në letërsi, në arte të tjera, pak është bërë për të riparë censurën në muzikë. Pse?
-Muzika ka një natyrë që njeriu ia merr emociononin e jashtëm, edhe ai që nuk e ka kulturën e muzikës e shijon atë, por një nga shkaqet që çdo pjesë instrumentale duhej të kishte një titull ishte pse i mungonte teksti. Ata që drejtonin censurën nuk ishin aq të aftë të kuptonin se çfarë do të thoshte ajo muzikë instrumentale. Sepse ngaqë nuk kishte tekst mendonin se duhet të ishte diçka që kishte lidhje me fenë dhe nuk e kuptonin që mund të ishte një muzikë atdhetare, patriotike. E dyta, censura nuk ka qenë vetëm muzikë, ka qenë edhe njeri, bashkë me personin që dënohej, burgosej e largohej nga jeta publike zhdukej edhe kujtesa edhe vepra. Sigurisht që ka zhvillime muzikore pas '45-ës, sepse ka pasur një komunikim të heshtur nga tradita e françeskanëve të Shkodrës si Prek Jakova, Tonin Harapi, etj. Ata kanë qenë gjithë dije nga të traditës pa i sollën pas '45-ës Shqipërisë vepra.

Ju përmendët lulishten ku luhej muzikë. Mund të na thoni pak më tepër?
-Në Shkodër ka qenë tradita e koncerteve. Për shembull në sallën e Bashkisë Shkodër janë bërë koncerte deri në vitin 1941-'42. Ka qenë një kompani italiane "Carro di tespi", shëtitëse, dhe ata kanë bërë katër opera në Shkodër e Tiranë. Kam qenë vetëm katër vjeç dhe ka qenë një vizion për mua "Don Paskuale", "Bohema" "Kavaleria Rustikana" dhe "Berberi i Seviljes". Isha fëmijë dhe s'i mbaja mend tamam. Mandej ma përforcuan kujtesën të tjerët kur ua tregoja. Në Shkodër Lulishtes i kanë thënë një emër turk "Milet Bahçe", dom¬ethënë, lulishte popullore. Atje çdo të diel luanin marshe, opera, gjëra nga më të larmishmet. Kjo ka pas qenë muzika që s'ka munguar asnjëherë në Shkodër.

Informacione të tjera interesante a keni gjetur në arkiva?
-Kam vajtur për punë të miat ose për kureshtje si artist, por nuk jam studiues. Për informacion të saktë është mirë me shku te Kisha Françeskane në Shkodër. Ata i kanë gjetur dhe organizuar mjaft mirë informacionet.

Pse do të duheshin këto informacione. Kujt i duhen më tepër?
-Universiteteve. Unë do të thosha që Universiteti i Arteve edhe pse studion Muzikologji nuk ka një strukturë sado të vogël fillestare të kritikës artit. Çfarë domethënë kritikë arti, muzikë.. Ne s'kemi kritikë arti, pastaj vjen studimi, por nuk kemi edhe hulumtues. Një nga ata p.sh. Sokol Shupo ka bërë një gjë unike si Sektori i informacionit Ballkanik dhe bënë këto studime. Sokol Shupo ka botuar për Lec Kurtin. Pra njëherë duhet të studiohen, të botohen të publikohen këto dhe të lindi interesi për studimin, sepse me gjetë një dokument dhe me shkrue në gazetë nuk bëhet puna. Arkiva ka plot por nuk e ka të sistemuar në mënyra profesionale muzikën. Shembull ishte kur në përvjetorin e operës "Mrika" gjetëm katër dosje të Prenk Jakovës, por asnjë pjesë të Prenkës nuk kishte brenda. Me siguri që janë veprat, por janë të pasistemuara.

(dhh/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot

Kthjellime në të gjithë territorin, si parashikohet moti sot