SPAK ka zbardhur rolet e dy drejtuesve të organizatës kriminale që trafikoi 61 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë. Ervis Çela ishte ai që siguronte kokainën në Amerikën Latine dhe koordinonte transportin me avionë të vegjël nga Bolivia në Paraguaj, ndërsa Franc Çopja financonte ngarkesat, organizonte transportin drejt Europës, nxjerrjen nga portet dhe shitjen e drogës

Në nivelin e parë drejtues ishte edhe Fadil Balla, që bashkëpunonte kryesisht me Çelën. Petrit Lakatos, krahu i djathtë i Çopjas, merrej me nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Anversës dhe shpërndarjen me shumicë në Holandë, ndërsa Mikolvan Mullaj koordinonte operacionet nën drejtimin e Çelës dhe Ballës.

Sipas SPAK, Lakatos dhe Mullaj kishin secili njerëz në varësi që transportonin e dorëzonin drogën dhe mblidhnin paratë.

Ja rolet e Farnc Çopjas dhe Ervis Çelës sipas SPAK

Nga analiza e komunikimeve dhe e të dhënave të tjera të administruara, Ervis Çela dhe Franc Gergely rezultojnë të kenë pasur funksione me rëndësi të veçantë në organizimin dhe koordinimin e aktivitetit të dyshuar kriminal.

Ervis Çela merrej me furnizimin në vendet e origjinës, përfshirë kontaktet me furnizuesit në Amerikën Latine, sigurimin dhe financimin e sasive të kokainës, diskutimin e cilësisë dhe çmimeve të saj, organizimin e transportit nga zonat e prodhimit drejt Paraguait, si dhe koordinimin e transportit rrugor dhe ajror me avionë të vegjël nga Bolivia drejt Paraguajit, në bashkëpunim me persona të tjerë të përfshirë. Ervis Çela rezulton gjithashtu i lidhur me procesin e grumbullimit, magazinimit dhe përgatitjes së ngarkesave për eksport, si dhe me ngarkimin e lëndës narkotike në portin e Villetës, Paraguaj.

Franc Gergely merrej kryesisht me financimin dhe koordinimin e fazave të mëtejshme të aktivitetit, duke përfshirë organizimin e transportit ndërkombëtar, sigurimin dhe koordinimin e kompanive porositëse për mallrat e ligjshme që përdoreshin për kamuflimin e kokainës, organizimin e nxjerrjes së ngarkesave nga portet europiane, kryesisht nga porti i Anversës, Belgjikë, si dhe menaxhimin e shitjes së lëndës narkotike në Europë, për llogari të Ervis Çelës dhe bashkëpunëtorëve të tjerë.

Nga analiza e të dhënave të administruara, Franc Gergely dhe Ervis Çela rezultojnë si drejtues të nivelit të parë të organizatës kriminale, me role qendrore në koordinimin e trafikut të kokainës. Në këtë nivel drejtues përfshihet edhe Fadil Balla, i cili rezulton të ketë vepruar kryesisht në bashkëpunim me Ervis Çelës dhe persona të tjerë objekt hetimi. Në nivelin e dytë drejtues përfshihen Petrit Lakatos, bashkëpunëtor i afërt dhe krahu i djathtë i Franc Gergelyt, me rol në nxjerrjen e ngarkesave nga porti i Antëerp-it, magazinimin, shpërndarjen me shumicë në Holandë dhe administrimin e të ardhurave, si dhe Mikolvan Mullaj, i cili rezulton të ketë koordinuar aktivitetin operacional nën drejtimin e Ervis Çelës dhe Fadil Ballës. Secili prej tyre kishte bashkëpunëtorë në varësi, të angazhuar në transportin e lëndës narkotike, dorëzimin e saj, grumbullimin e parave dhe dërgimin e ngarkesave drejt destinacioneve të tjera. Këto të dhëna evidentojnë një strukturë të organizuar në disa nivele drejtuese dhe operacionale.


Lajmi kryesor:

Trafikuan 61 tonë kokainë nga Amerika e Jugut në Europë, SPAK çon për gjykim organizatën kriminale të Franc Çopjas dhe Ervis Çelës! 16 të pandehur, 9 mln € pasuri të sekuestruara