Duke dëgjuar recitimin e ndjerë të Margarita Xhepës, shohim sesi në emocionet e rolit të Ledit përzihen natyrshëm talenti me dhimbjet e brengat e saj personale. Thelbi i këtij roli shpreh në mënyrë simbolike dramën e gruas që e ka humbur shpresën në gjetjen e një dashurie të re, pas një fatkeqësie në jetë.

Edhe vet aktorja Xhepa mbeti e ve në moshë shumë të re, por gjeti forca dhe iu përkushtua aktrimit dhe fëmijëve të mbetur jetim, Njërin prej tyre, Ndriçim Xhepa, u bë aktor i talentuar, tjetri mjek. Roli i Ledit i dramaturgut amerikan Tenesi Uilliams (1911-1983) e trazoi në vitin 1973 ndërgjegjen e kësaj gruaje të bukur.

Ajo ndoqi me emocion rebelimin e Ledit, e cila pa një fik të tharë në kopsht, që pas dhjetë vitesh kishte lëshuar fryte. Lindi shpresa e re për gruan që i mungonte dashuria. Margarita tregon se u dashurua shumë pas rolit, sapo ia propozoi regjisori Mihallaq Luarasi. Ndërsa ishte bërë njësh me rolin dhe priste shfaqjen, censorët e ndaluan dhe nuk e lejuan kurrë të ngjitej në skenë.

I mbeti peng tërë jetën roli i Ledit. Ajo e mban mend përmendësh dhe sot e kësja dite. Komisioni i Komitetit Qendror që gjykonte dramat, i vuri kryq, duke e quajtur të frymëzuar nga “pikëpamje frojdiste”. Dhe aktorja Xhepa e ka ende aq shumë për zemër këtë rol, saqë aty për aty e improvizon sikur të jetë para një publiku të madh, duke na emocionuar.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 23.07.2013
 
Rdaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)