ITALI - Shqipëria dhe shqiptarët janë të qartë se objektivi i tyre për t’u integruar në Bashkimin Evropian është që të hyjnë në BE si kontribues dhe jo si konsumatorë. Marrja e statusit të vendit kandidat është tashmë përgjegjësi e klasës politike shqiptare. Kështu është shprehur Presidenti i vendit Bujar Nishani i shoqëruar nga Zonja e Parë, Odeta Nishani dhe anëtarë të Kabinetit pas një takimit të zhvilluar në Romë me Presidentin e Republikës së Italisë, Giorgio Napolitano.

Nishani pasi vlerësoi kontributin e shtetit italian në demokratizimin e Shqipërisë u shpreh se marrja e Presidencës së radhës së BE-së nga Italia në vitin 2014 do të ketë një impakt shumë të rëndësishëm në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë.

Presidenti Napolitano nga ana e tij vlerësoi rolin që Shqipëria ka luajtur dhe luan në rajon duke nënvizuar se Italia është e interesuar që Shqipëria të luajë rolin e saj edhe në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Në këtë kontekst, kreu i vendit tonë theksoi se Shqipëria dhe institucionet e saj janë të vendosura të luajnë rolin e tyre si një faktor i stabilitetit dhe paqes në Ballkan.

Siç bën të ditur zyra e shtypit e Presidencës, dy krerët e shteteve gjatë këtij takimi ndanë mendimin se rritja e sigurisë dhe stabilitetit në rajon mund të realizohet më shpejt, nëpërmjet një bashkëpunimi më të koordinuar rajonal mes vendeve, bashkëpunimit të ngushtë, fqinjësisë së mirë, të cilat janë rruga e vetme për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Në fund të takimit Presidenti Nishani i përcolli Presidentit Napolitano ftesën për të vizituar Shqipërinë përpara pranverës së ardhshme, kohë që përkon me fundin e mandatit të Presidentit italian. Gjatë vizitës në Romë, të dy krerët e shtetit vizituan ekspozitën “Thesaret e Trashëgimisë Kulturore Shqiptare”, e çelur nën kujdesin e Presidentit italian dhe Kryeministrit të Shqipërisë në Kompleksin “Vittoriano”, në kuadër të veprimtarive kushtuar 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)