ROME- Si rrallë ndonjëherë, fundi i 2012 ka bashkuar dhjetëra shoqata e media shqiptare që veprojnë në Itali. Qëllimi I përbashkët është të bindin sekretarin e përgjithshëm të Partisë Demokratike, Pierluigi Bersani, forca politike më e madhe e të majtës italiane, që në zgjedhjet e ardhshme të kandidojë për deputet një shqiptar.

Bëhet fjalë për Ismail Ademin, ose Issin, siç e quajnë miqtë, një i ri nga Vlora që prej shumë vitesh jeton në vendin fqinj e që tashmë ka fituar edhe nënshtetësinë italiane. I kontaktuar përmes telefonit nga A1Report, Ademi tha se për të më i rëndësishëm se rezultati në vetvete, është fakti se përmes kësaj inisiative komuniteti shqiptar në Itali po tregon se di të bëjë skuadër.

“Para pak ditësh PD-ja italiane vendosi të ketë në listat e saj edhe kandidatë me orgjinë të huaj dhe që prej vitesh jetojnë në Itali. Pas këtij lajmi, pothuajse 40 shoqata shqiptare përfaqësuese të gjithë krahinave italiane, i kanë nisur sekretarit të PD-së, Pierluigi Bersani një letër ku propozohet emri im si kandidat i mundshëm për deputet në zgjedhjet italiane që do mbahen në 24 e 25 shkurtin që vjen. Sido që të jetë rezultati i këtij aksioni gjithpërfshirës, përfitoj të falenderoj nga zemra të gjitha shoqatat dhe individët që pavarësisht bindjeve të tyre politike, po japin ndihmën dhe kontributin e tyre. Kjo është një shenjë që komuniteti yne në Itali di të bëjë skuadër dhe të lëvizi bashkarisht për të arritur një rezultat, për të cilin jemi të bindur se ka ardhur momenti i duhur. Ndërkohë letra është bërë publike dhe tashme mund të firmoset nga kushdo online, duke ndjekur faqet e Albanianeës dhe Shqiptari i Italisë, dy mediat kryesore te shqiptareve ne Itali qe mbeshtesin kete iniziative.”- deklaron
Ismail Ademi.

Anëtar i Partisë Demokratike italiane, Issi Ademi, është shumë i interesuar pas tematikave sociale dhe një njohës i mirë i problematikave të emigracionit, mbi të cilat ka folur edhe në emisionin Urbanika që transmetohet në A1Report.

Ketu mund te firmosni peticionin drejtuar Bersanit

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)