Rosela Gjylbegu:“Pafundësi”
kam vetëm dashurinë për familjen

Rosela Gjylbegu:“Pafundësi”<br />kam vetëm dashurinë për familjen
Zëri i saj melodioz ka qenë një nga më të veçantët në edicionin e parë të talent show-t “Ethet e së Premtes Mbrëma”. Që prej asaj kohe këngëtarja shkodrane Rosela Gjylbegu nuk ka rreshtur së qëni aktive në fushën e muzikës, duke dhuruar hite të cilët janë pëlqyer nga publiku. Vetëm pak kohë më parë ajo ka publikuar këngën dhe klipin e saj më të ri “Pafundësi”, në të cilin Gjylbegu, paraqitet me një stil dhe pamje ndryshe. Klipi me ritme verore transmeton gjithashtu edhe mesazhe të shumtë për pafundësinë e vlerave të rëndësishme në jetë. Në një intervistë për suplementin “THASH&THEM”, këngëtarja shprehet për realizimin e këtij klipi si dhe për mesazhet që ka dashur të përçojë. Gjithashtu Rosela rrëfen dëshirën e saj për të qenë më aktive në jetën sociale në shërbim të njerëzve në nevojë.


Pafundësi titullohet kënga juaj më e re, kujt i dedikohet ?

Nuk ka një dedikim të personalizuar, thjesht është motivuar për të transmetuar sa më shumë energji pozitive që mendoj se kemi të gjithë pafundësisht nevojë.

A Beson Rosela në pafundësi?

Po, varet në çfarë aspekti. Them se secili ka nevojë të besojë në pafundësinë e diçkaje.

Çfarë është e pafundme për ju?

Padyshim që dashuria për familjen.

Këtë herë sillni ritme house, mos ndoshta është fillimi i braktisjes së baladave nga ana juaj?

Jo nuk është kjo, muzika përbëhet nga zhanre të ndryshme dhe unë thjesht vendosa të vija pak me ndryshe, por kurrsesi nuk do t’a quaja braktisje, pasi nuk ka rëndësi vetëm ritmi por emocioni që transmeton muzika e mirë e çfarëdo zhanri të jetë ajo. Ky është qëllimi im prej shumë vitesh tashmë.

Është një eksperiment apo është thjesht një risi verore?

Nuk më duket se kam bërë ndonjë eksperiment. Unë kam vite, që nga “Ethet”, që kam kënduar në zhanre të ndryshme. Fatmirësisht ia dal t’i përshtatem lehtësisht çdo lloj zhanri, kështu që nuk kam asnjë vështirësi në këtë pikë. Thjesht më pëlqen që të jem gjithmonë sa më koherente dhe t’i përshtatem shijeve të të gjithëve, e si e tillë unë këtë këngë me ritme ndryshe nga zakonisht dëshiroja të sillja një risi verore.

Pse ia besuat Threetdots këtë herë realizimin e këngës suaj?P

Sepse ishte dëshira ime të bashkëpunoja me Kledi Bahitin, një kompozitor të ri e shumë të talentuar , që ka tërhequr vëmendjen e të gjithëve për thjeshtësinë e stilin e tij tejet të ndjeshëm. E dija që nga ky bashkëpunim do të dilte një këngë e mirë ndaj nuk hezitova të bashkëpunoja.

Sa kujdes keni treguar për pamjen tuaj në këtë këngë?

Siç vihet re, në të gjitha daljet e mia unë përpiqem të jem sa më e thjesht e sa më vetvetja sepse kështu ndihem mirë. Kam treguar kujdes siç do herë tjetër që të sinkronizoja muzikën, me idenë e klipit dhe veten time po ashtu edhe me mesazhin që doja të transmetoja.

Në fakt sa kujdeseni edhe në përditshmërinë tuaj për veten?

Kujdesem aq sa kam mundësi. Nuk është diçka primare, përpiqem të jem sa më komode në përditshmërinë time duke kombinuar sportiven me klasiken.

Pëlqeni më tepër veshjet serioze apo veshjet ku ndiheni rehat me veten?

Më pëlqen diçka në mes të dyjave, duke iu përshtatur ambjentit dhe vendit.

Sa këngë keni në repertorin tuaj dhe cilën keni më përzemer?

Në fakt tani që e mendoj them se janë goxha. Në 10 vjet punë repertori im është fatmirësisht shumë i kompletuar, nuk do dija të ndaja apo të veçoja ndonjë, sepse të gjitha kanë të veçantën e vet.

Keni menduar për një album muzikor?

Sigurisht, por mendoj që ka ende kohë deri në realizimin e një albumi. Është një punë impenjative ndaj kërkon kohë e durim për të bërë diçka vërtetë cilësore.

Ju kemi parë të bashkëpunoni me emra të njohur të muzikës shqiptare, cilin do të cilësonit si bashkëpunimin më të mirë?

Po si mund të veçoj një kur ju sapo thatë se janë emrat më të njohur të muzikës shqiptare (qesh). Kanë gjithsecili vlerën e tyre të pakrahasueshme dhe shumë të rëndësishme.

Përveç këngës këtë vit keni marrë pjesë si prezantuese në Festivalin e Fëmijëve në Shkodër, si ishte kjo eksperiencë?

Në fakt kjo është hera e dytë që prezantoj një festival fëmijësh e kam bërë edhe para 9 vitesh, por festivali i 50 ishte një përgjegjësi akoma më e madhe dhe një eksperiencë fantastike.

U ndjetë komode pranë një shkodrani si Julian Deda?

Absolutisht shumë komode dhe e nderuar. Juli është i jashtëzakonshëm dhe si i tillë bëri që kjo eksperiencë të ishte e paharrueshme, si një bashkpunëtor shumë i mirë, si një mik i vërtetë që bëri të mundur që çdo gjë të shkonte mirë dhe me shumë humor e batuta.

Keni thënë që ky ishte një amanet i babait tuaj, mendoni se e keni përmbushur dëshirën e tij?

Po e vërtetë. Ftesa për ta prezantuar Festivalin e Fëmijëve më erdhi pak javë më parë se im atë të ndërronte jetë dhe kur i thashë u gëzua pamasë dhe ma la amanet që unë të vazhdoja me çdo projekt çfarëdo që të ndodhte. Nuk ka qenë aspak e lehtë per mua e gjithë kjo periudhë, por uroj ta kem bëre krenarë edhe atje lart në qiell.

Sa ju mungon Shkodra?

Shumë. Atje jam rritur e formuar, është pjesë e imja e pandashme.

Shkodra është shquar gjithnjë për talente në fushën e artit. Si e shihni evolumin e këtyre talenteve nga koha kur ishit ju pjesëmarrëse?

Shkodra ka shfaqur e do shfaqi gjthmonë talente në fushën e artit. Është monument kulture ai qytet, jo vetëm për traditën por edhe për vlerat e kulturën qytetare, e sidomos për dashamirësinë ndaj arti. Burim i pashtershëm talentesh të cilët kryesojnë në fusha të ndryshme e na bëjnë të ndjehemi krenarë.

Në fakt kur ka qenë dalja juaj e parë në skenë?

Kur kam qenë 13 vjeç, në festivalin e fëmijëve (qesh)

E kujtoni këngën tuaj të parë si dhe emocionet që keni përjetuar?

“Të Evropës jemi ne” titullohej. E kam kënduar bashkë me dy fëmijë të tjerë, emocione të mëdha. Isha shumë e vogël e më dukej gati e pabesueshme që unë tashmë këndoja në një skenë aq të madhe e prestigjoze.

Kush ju ka mbështetur më tepër në muzikë?

Prindërit e mi më kanë rritur me dashurinë për artin, më kanë edukuar, më kanë motivuar dhe çdo gjë që unë kam arritur deri më tani, është vetëm falë tyre.

Përveç muzikës një tjetër fushë ku jeni aktive është edhe politika, çfarë hapësira zë ajo në ditën tuaj?

Nuk do thoja që jam aktive në politikë, thjesht kam fatin të punoj në një institucion të lartë shtetëror, gjë që jo detyrimisht më lidh me politikën. Unë jam një artiste ku si të gjithë kam bindjet e preferencat e mia. Do më pëlqente që të më thonit që jam aktive në një tjetër fushë, siç ajo sociale ku unë me të vërtetë jap kontributin tim si qytetare, si një artiste e mbi të gjitha si njeri.

Nëse do të bënit një krahasim mes tyre, kush ju mbush më shumë profesionalisht?

Unë jam shumë e re për të aspiruar për politikën, por asnjëherë s’duhet thënë kurrë. Megjithatë unë ndihem e lumtur që kam një punë shumë të mire, e kam fatin të punoj me njerëz që më kanë mësuar shumë nga eksperienca e tyre, ku arrij të alternoj më së miri edhe pasionet e mia e ku të gjitha së bashku më ndihmojnë të formohem e të përmbush pritshmëritë e mia.

Çfarë pasioni tjetër të fshehur doni të ndani me ne?

Pasionet si kam mbajtur ndonjëherë të fshehura. Siç e dini unë kam studiuar për Çështjet Sociale dhe të Drejtat Gjinore. Jo rastësisht, por sepse realisht pëlqej të jem mes njerëzve, të komunikoj, t’i ndihmoj dhe uroj që në një të ardhme do të arrij të jap një kontribut më konkret rreth asaj çka mungon në përditshmërinë tone, e të jem në shërbim të njerëzve që kanë nevojë.


Pushuat ndopak këtë verë, apo morët pjesë në koncerte verore?

Ka qenë një verë jo si gjithë të tjerat në fakt, e si e tillë ka qenë e ngarkuar ndaj dhe pushimet e mia kanë qenë shumë të kufizuara.

Me kë i kaluat pushimet dhe ku?

Me miqtë, si gjithmonë.

Nuk jeni shprehur asnjëherë për jetën tuaj sentimentale, ndodhet dikush special në jetën e Rosela Gjylbegut?

Sepse e konsideroj si diçka shumë të shenjtë jetën time private. Mendoj se ndaj me publikun mjaftueshëm, ndaj preferoj të jem e rezervuar në këtë pjesë.

Po përsa i përket miqësisë, sa e lidhur është me miqtë Rosela?

Unë kam miq shumë të mirë, e sot duhet të jesh me shumë fat të kesh afër njerëz që të duan vërtetë fort. Unë jam shumë e lidhur me to. Janë pjesë e familjes dhe si ndaj dot për asgjë që unë bëj.

Cilat janë gjërat që vlerësoni më shumë në jetë?

Shëndetin, dashurinë e mirënjohjen.

Jetoni vetëm në Tiranë?

Akoma jo. Jetoj ende me familjen time.

Sa amvisë është Rosela?

Se di në fakt përpiqem, edhe pse nuk kam shumë kohë.

Ju pëlqejnë kafshët?

Shumë.

Keni apo dëshironi të mbani ndonjë kafshë shtëpiake?

Dikur kur jetoja në Shkodër, në shtëpinë tonë të madhe atje kisha mace e qen. Këtu jetoj në pallat që do ishte e pa drejtë të ngujoja një kafshë brenda, sepse ato duan e kanë nevojë për lirinë e tyre, duan kohë nga koha jote, gjë që momentalisht e shoh të vështirë.

Sa i përdorni rrjetet sociale?

Jam aktive në Facebook. Përpiqem t’u jem afër e të falenderoj nga zemra gjithë ato që më mbështesin. Është një mënyrë e mirë komunikimi që të bën më të afërt me publikun.

Cili ka qenë libri që iu ka shoqëruar gjatë këtyre pushimeve?

Jam duke lexuar një Triologji të Steig Larsson, autori librit “Burrat që urrejnë grate” etj.

Cili është autori juaj i preferuar?

Kahled Hosei, autori i librit “Gjuetari i balonave” etj.

Si do të jetë shtatori për Roselën?

Po besoj aktiv me projekte e gjëra të reja.

(xh.k/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Ftesa e Ramës, a duhet të kthehen emigrantët që punojnë në turizëm?



×

Lajmi i fundit

Situata e zjarreve ende kritike, 29 vatra të rëna gjatë 24 orëve të fundit! 15 ende aktive, problematike ato në Tomor, Prespë dhe bjeshkët e Dibrës

Situata e zjarreve ende kritike, 29 vatra të rëna gjatë 24 orëve të fundit! 15 ende aktive, problematike ato në Tomor, Prespë dhe bjeshkët e Dibrës