TIRANË - I ftuari i sotëm në emisionin Tete a Tete në A1 Report, ishte kreu i Partisë Balli Kombëtar Demokrat, Artur Roshi.

Përballë gazetarit, Artur Roshi bëri të ditur se, PBKD-ja do të ketë bashkëpunim edhe me partitë simotra në vende të tjera.

“Nëpërmejt miqve ne do të shtrijmë bashkëpunimin edhe me partitë simotra, si në Francë, Austri dhe vende të tjera”, ka thënë Roshi.

Duke folur për konservatorizmin europian në Tiranë. Roshi tha se, “Balli Kombëtar Demokrat, është një parti që përveç të shkuarës, konservatorizmi është në themel të saj”.

Lidhur me reformën terrotoriale Roshi u shpreh se opozita po ngurron pasi gjykon se, nuk janë dhënë garancitë e duhura. 

“Së pari është pozitive ajo që mazhoranca pavarësisht se i ka numrat sërish kërkon konsensus e për këtë më vjen mirë që politika shqiptare ndoshta po shkon drejt një dakordësie për të bërë reformë territoriale.

Opozita po ngurron pasi gjykon se, nuk janë dhënë garancitë e duhura. Do të thotë që ishte një konsensus, dhe maxhoranca me të ardhur në pushtet e prishi atë konsensus. Nga kjo opozita humbi garancitë dhe tani nuk ka garanci”, ka thënë Roshi.
 
Sipas kreut të PBKD-së, “reforma është parësore, ajo duhet të jetë determinuese, të ulë shpenzimet. Kemi një opozitë më të përgjegjshme dhe vizionare për çështje me interes të madh. Kështu që opozita e sotme do të bjerë dakort. Balli Kombëtar vlerëson se reforma duhet të ketë specialistë të huaj në plan të parë dhe pastaj të vijë prapavija politike, "pra ne duhet të jemi në fund të kësaj reforme”, thotë Roshi

Sa u përket aksionit të  Ministrisë së Brendshme për mbylljen e qendrave të bixhozit, Roshi vlerëson se kjo nuk ishte e nevojshme. E nevojshme sipas tij ishte verifikimi i ligjshmërisë së këtyre bizneseve.
 
“Për mua qeveria nuk u soll në mënyrë të matur. Ajo që bie në sy është se shteti duhet të vejë sanksione ndaj këtyre bizneseve”, u shpreh ai.

Zoti Roshi është shprehur edhe kundër taksës progresive. Ai shprehet se taksa e aplikuar nga e majta, bën që biznesi i madh të humb motivimit dhe të kërkojë rrugë të tjera për të mos paguar taksë të lartë në krahasim me biznesin e mesëm dhe të vogël.

“Unë mendoj që taksa progresive që bën shpërndarjen e drejtë të të mirave materiale, tenton të bëjë shoqërinë të barabartë. Une gjykoj se nuk ndodh kështu. Nuk kemi asgjë nëpërmjet kësaj takse. Biznesi i madh humb motivimin se paguan më shumë taksë. Atij i humbet motivimi për të zhvilluar një biznes të madh”, tha kreu i Ballit Kombëtar Demokrat.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)