Dhimbje e madhe për vdekjen e Dashuri Rrapajt, të cilën e vrau i shoqi në banesë. Nëntë fëmijët e çiftit Rrapaj po përcjellin sot në banesën e fundit nënën e tyre. Asnjë fjalë, asnjë pikë loti për babanë vrasës, trupin e të cilit e kanë lënë në morg dhe që do të varroset nga bashkia.

Motivi i krimit është tejet banal, i justifikuar vetëm nga një mendësi patriarkale, ku burri i shtëpisë vendos edhe për gjëra të përditshme, si mbjellja e tokës. Shefit Rrapaj kishte raportuar një konflikt familjar në Policinë e Roskovecit disa ditë më parë, pas një debati me djalin dhe bashkëshorten për mbjelljen e patateve.

“Dje kam marrë vesh lajmin, më ka marrë në telefon nipi. Më bie telefoni, përtova ta hap fillimisht, por po më bluante diçka. Pa kaluar një minutë ngrihem e marr në telefon dhe telefonova nipin. Më tha ‘kanë vdekur të dy dajë, e ka vrarë’. Mora vëllain tjetër në telefon të shkonim mos i shpëtonim, mos e gjenim gjallë. Policia nuk na la të hynim brenda, bëjnë punën e tyre, shteti nuk ka faj. Ai ka qenë problematik. 50 vjet motra jonë për atë ka qenë mbulesë. Kishte hije të rëndë, jo si baba. Të përqafonte një herë fëmijët ose gruan. Se jemi familjarë vetë. Para 10 ditësh e denoncoi në polici, erdhi policia, mori motrën dhe nipin sepse i kishte denoncuar ai, krimineli. Kishin mbjellë disa patate dhe i thoshte ‘përse i mbolle këtu dhe jo atje’. Janë konflikte koti. Ai ishte problematik, ka qenë i dhunshëm. Por nuk menduam që do të arrinte deri këtu. Para 20 vitesh ka tentuar vetëvrasjen, në mars të 2006. Ne kemi marrë motrën tonë, do e varrosim aty ku kemi nënën dhe babanë. Ai të groposet në kanalin më të thellë. Nuk më intereson fare. Nuk i ka ardhur asnjë njeri”, tha vëllai i Dashuri Rrapaj, Ermal Hazizaj.

Konflikti duket se nuk ishte zgjidhur, derisa mesditën e së martës qëlloi të shoqen me pushkë, më pas edhe veten. Ngjarja tronditi komunitetin e vogël të Kumanit në Roskovec. Fqinj dhe të afërm tregojnë për një burrë autoritar dhe një grua të urtë, që duronte bashkëshortin dhe sakrifikonte gjithçka për fëmijët.

“Shkonin shumë burrë e grua. Përpara 25 viteve ka marrë truallin e burrit tim këtu, hynim e dilnim më përpara. Kanë qenë njerëz shumë të mirë. Nuk e di nga i erdhi. Herën e fundit që piu kafe tek unë, më tha ‘pak do rri se do iki se kam Shefitin sëmurë’, nuk e di nga i erdhi. Të gjithë fëmijët i ka në Greqi, një djalë e ka në Angli, tre vajzat i ka në Greqi, vetëm njërën ka në Shqipëri. Qante gjithmonë për vajzën e madhe se nuk kishte fëmijë, qante sa herë; ajo është në Berat. Muajin e fundit djali i vogël ka qenë në Greqi tërë kohën, por muajin e fundit ka qenë këtu me këta. Bën vaki të jetë hedhur për djalin, se çdo nënë për fëmijën bëhet copash. Vetëm Dashuria është tek kjo shtëpi, djemtë babain e tyre e kanë lënë në morg, sa të qetësohet situata. Fisi i Shefitit nuk ka ardhur fare këtu, janë vetëm njerëzit e Dashurisë. Kur ika nga toka ishte qetësi, por kur u ktheva po ulërinin. Kam qarë për atë grua se ishte shumë zonjë”, tha fqinja e tyre, Natasha Vrapi.

Policia e Fierit dhe ekspertët mjekoligjorë konfirmuan se 80-vjeçari vrau bashkëshorten me një armë zjarri tip pushkë, të cilën e mbante të fshehur nën tokë pranë banesës. Ndërkohë, djali i çiftit, Artur Rrapaj, në dëshminë e tij në polici ka deklaruar se nuk ndodhej në banesë në momentin e ngjarjes.

E ndjera Dashuri Rrapaj do të prehet në fshatin e lindjes, në Allambres të Beratit. Në ceremoninë mortore ishin të pranishëm nëntë fëmijët e saj, vëllezërit dhe motrat. Ndërsa të afërmit e autorit, Shefit Rrapaj, nuk morën pjesë në ceremoni. 9 fëmijët nuk kanë pranuar ta tërheqin nga morgu trupin e 80-vjeçarit, i cili tashmë do të përcillet për në banesën e fundit nga bashkia.

K.B/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 14 Prill, 11:13

    Samiti i Diasporës, mendoni se është bërë mjaftueshëm për shqiptarët jashtë?