Një ngjarje e rëndë u regjistrua pasditen e djeshme në fshatin Kuman të Roskovecit ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj qëlloi për vdekje me pushkë bashkëshorten e tij Dashuri Rrapaj 75 vjeçe e më pas dhe veten e tij. Për kryerjen e krimit ai ka përdorur një armë të vjetër që dyshohet të ketë qenë e fshehur në tokë pasi ishte me dhe.
Sot familja Rrapaj ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë. Varrimi i dy viktimave do të bëhet i ndarë, 75-vjeçarja Dashuri Rrapaj do te përcillet për në banesën e fundit në Allambreas të Beratit , ku është bijë, në orën 13:00, ndërkohë që Shefit Rrapaj ndodhet ende në morgun e Fierit dhe trupi i tij ende nuk po tërhiqet nga familjarët.
Vëllai i 75-vjeçares, Ermal Azizaj rrëfen momentin kur nipi e telefoni për t’i dhënë lajmin. Azizaj tregon se Sheifit ka qenë gjithmonë problematik në familje, por askujt nuk i kishte shkuar në mendje që situata do të shkonte deri në këtë pikë.
“Dje kam marrë vesh lajmin, më ka marrë në telefon nipi. Më bie telefoni, përtova ta hap fillimisht, por po më bluante diçka. Pa kaluar një minutë ngrihem e marr në telefon dhe telefonova nipin. Më tha “Kanë vdekur të dy dajë, e ka vrarë”. Mora vëllain tjetër në telefon të shkonim mos i shpëtonim, mos e gjenim gjallë. Policia nuk na la të hynim brenda, bëjnë punën e tyre shteti nuk kanë faj. Ai ka qenë problematik. 50 vjet motra jonë për atë ka qenë mbulesë. Kishte hije të rëndë, jo si baba. Të përqafonte një herë fëmijët ose gruan. Se jemi familjarë vetë. Para 10 ditësh e denoncoi në polici, erdhi policia mori motrën dhe nipin sepse i kishte denoncuar ai, krimineli. Kishin mbjellë disa patate dhe i thoshte përse i mbolle këtu dhe jo atje. Janë konflikte koti. Ai ishte problematik ka qenë i dhunshëm. Por nuk menduam që do të arrinte deri këtu. Para 20 vitesh ka tentuar vetëvrasjen. Në mars të 2006. Ne kemi marrë motrën tonë do e varrosim atë ku kemi nënë dhe babanë. Ai të groposet në kanalin më të thellë. Nuk më intereson fare. Nuk i ka ardhur asnjë njeri”, tha ai.
Fqinja e viktimave në Roskovec, Natasha Vrapi thotë në një prononcim për mediat se viktimat ishin njerëz të mirë. E pyetur për shkaqet e mundshme të krimit, ajo tha se nuk e dinte, por ndoshta Dashuria ishte hedhur për të mbrojtur të birin pas ndonjë konflikti të tij me të atin 80-vjeç.
“Shkonin shumë burrë e grua. Përpara 25 viteve ka marrë truallin e burrit tim këtu, hynim e dilnim më përpara. Kanë qenë njerëz shumë të mirë. Nuk e di nga i erdhi. Herën e fundit që piu kafe tek unë, më tha pak do rri se do iki se kam Shefitin sëmurë, nuk e di nga i erdhi. Të gjithë fëmijët i ka në Greqi, një djalë e ka në Angli, tre vajzat i ka në Greqi, vetëm njërën ka në Shqipëri.
Qante gjithmonë për vajzën e madhe se nuk kishte fëmijë, qante sa herë, ajo është në Berat. Muajin e fundit djali i vogël ka qenë në Greqi tërë kohën, por muajin e fundit ka qenë këtu me këta. Bën vaki të jetë hedhur (mbrojtur) për djalin, se çdo nënë për fëmijën bëhet copash. Vetëm Dashuria (trupi) është tek kjo shtëpi, djemtë babain e tyre e kanë lënë në morg, sa të qetësohet situata. Fisi i Shefirit nuk ka ardhur fare këtu, janë vetëm njerëzit e Dashurisë. Kur ika nga toka ishte qetësi, por kur i ktheva po ulërinin. Kam qarë për atë grua se ishte shumë zonjë”, tha fqinja e tyre, Natasha Vrapi.
Çifti kishte 9 fëmijë, 3 vajza dhe 6 djem të cilët ndodhen në banesën ku ka ndodhur krimi në një gjendje të rënduar emocionale, së bashku me të afërmit nga ana e mamasë. Asnjë prej familjarëve të 80-vjeçarit nuk ka shkuar. Çifti jetonte prej rreth 20 vitesh në këtë zonë, pasi ishin zhvendosur nga fshati Levan.
Njëri prej djemve, i cili jetonte me prindërit, ka rrëfyer në polici se në familje ka pasur konflikte të vazhdueshme, kjo për shkak të babait. Vetëm disa ditë më parë në banesën e tyre kishte ndërhyrë edhe policia për të sqaruar një tjetër përplasje mes çiftit. Gjithashtu, mësohet se rreth 10 vite më parë, i moshuari kishte tentuar t’i jepte fund jetës me armë zjarri.
Komente











