Një 75-vjeçare, Naile Sadiku ka mbetur e plagosur mëngjesin e sotëm në Roskovec, pas shpërthimit të një bombole gazi në banesë. Siç shihet edhe në pamjet që sjell Report Tv, shpërthimi ka qenë aq i fuqishëm saqë ka shkatuar dëme të mëdha në banesë, ndërsa xhamat shihen të thyer përtokë.

Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë rrjedhja e gazit nga bombola, ndërsa shpërthimi ka ndodhur në momentin kur e moshuara ka ndezur sobën.

Naile Sadiku ka pësuar lëndime dhe djegie dhe është transportuar në Spitalin Rajonal të Fierit, ku po merr trajtim mjekësor.

Nga shpërthimi është dëmtuar rëndë dhe pjesërisht është shkatërruar një kat i banesës. Sipas të afërmve, çifti Sadiku jetonte i vetëm, ndërsa djemtë e tyre ndodhen në emigracion.

Në vendngjarje ka mbërritur policia, e cila po kryen verifikimet për të përcaktuar rrethanat dhe shkakun e saktë të shpërthimit.