Presidentja e Brazilit, Dilma Rousseff duket se është personi më i kënaqur në vend. Eliminimi i turpshëm i Brazilit nga Gjermania me rezultatin më të thellë në histori 7-1 nuk është i rëndë, pasi më i rëndë sipas saj do të kishte qenë dështimi jashtë fushës së blertë në organizimin e Botërorit. Edhe pse pati vonesa në përfundimin e punimeve nëpër stadium, “Brazil 2014” është vlerësuar maksimalisht për atmosferën që përcolli.

Sipas Rousseff, Brazili ia arriti që të realizonte një event të mrekullueshëm duke realizuar punimet në kohë. Rousseff është duke e shfrytëzuar popullaritetin nga Botërori për fushatën presidenciale që nis në muajin tetor, pasi shpreson te një mandat i dytë në krye të Brazilit. Sondazhet tregojnë se Rousseff vazhdon të jetë favorite për zgjedhjet e 5 Tetorit.

E ndërsa një grua pretendon për një tjetër mandat, një tjetër është më e fuqishme e Botës. Kancelaria Angela Merkel ka vendosur që të jetë në finalen e madhe që do të zhvillohet sonte në ‘Maracana’ për të mbështetur ekipin Kombëtar.

Merkel, gruaja më e fuqishme e botës beson se Gjermania do të ia arrijë qëllimet që të ngjitet në majën e Olimpit. Mbështetja për ekipin e futbollit ka qenë maksimale nga Merkel, pasi edhe në ndeshjen e parë në kampionatin Botëror përballë Portugalisë ishte në tribunë, teksa ‘pancerat’ ia shpërblyen me një fitore spektakolare.

A gënjeu Neymar?
Mediat braziliane kanë publikuar një video ku shihet një person që besohet të jetë Neymar, një ditë pas aksidentit me Zunigan. Sipas shtypit në Brazil, personi i cili shihet duke hyrë në spital, nuk kishte tatuazh si të Neymarit, teksa edhe më dyshuese këtë punë e bënë fakti se të gjitha të dhënat për yllin e Barcelonës janë fshirë në spitalin ku u trajtua. Po sipas mediave, Neymar nuk dëshiroi të luante kundër Gjermanisë dhe lëndimin e shfrytëzoi si justifikim. Dyshimi lidhur me Neymar mbetet një mister, i njëjtë me atë të fenomenit Ronaldo në finalen e kampionatit botëror të 1998 mes Brazilit dhe Francës. Megjithatë të tilla deklarata nuk janë pranuar nga sulmuesi dhe Federata Braziliane duke theksuar edhe njëherë se dëmtimi ishte i vërtetë dhe se Neymar rrezikoi jetën.
 
Redaksia online
(e.s/shqiptarja.com)