Rrëfimi i Elidës: Ditët e fundit
të poetit Perikli Jorgoni

Rrëfimi i Elidës: Ditët e fundit <br />të poetit Perikli Jorgoni
Ka bërë një mal me përkthime dhe keqardhja më e madhe është se nuk i kanë bërë jehonë veprës së tij, nuk i kanë marrë në analizë vlerat". Kështu tha dje në ceremoninë e përcjelljes së Perikli Jorgonit shkrimtari i njohur Faslli Haliti, duke shprehur keqardhjen më të thellë për humbjen e mikut të letrave. "Është një gjë e çuditshme të punosh aq shumë dhe të mos kesh vëmendjen e shoqërisë për të cilën kontribuon.

Kjo është dramatike", u shpreh Faslli Haliti, duke shtuar se "edhe botuesit nuk janë treguar të ndershëm me të, nuk e kanë ndihmuar dhe shpërblyer për punën e madhe dhe përkthimet që ai bëri". Dhimbjen për ikjen e papritur të Perikli Jorgonit e kanë shprehur pothuajse të gjithë krijuesit më të njohur si Maks Velo, Muntaz Dhrami, Nasho Jorgaqi, Shpend Topollaj, Sulejman Mato, Zhani Ciko, Abaz Hado, etj.

Shkrimtari Shpend Topollaj tha se e ka pasur Perikli Jorgonin mësues të letërsisë në Shkollën Ushtarake "Skënderbej". Dhe thotë se "prej një shkolle ushtarake ai ka nxjerrë një plejadë shkrimtarësh, poetësh, dramaturgësh". Mësuesin e pasionuar të letërsisë dhe studiuesin mendjehollë Jorgoni, të gjithë njerëzit e artit dhe kulturës e kujtojnë si njeriu me një natyrë tepër energjike, vital e zemërmadh. "Ai ka qenë edhe futbollist, tip sportiv. Fliste për dashurinë si një djalosh 20-vjeçar", thotë Topollaj, duke theksuar ashtu si të tjerët se Perikli Jorgoni "bëri të flasë shqip shumë nga kolosët botërorë, duke sjellë përkthime me atë dashurinë Noliane për gjuhën shqipe".

Ndërsa Elida Jorgoni, bashkëshortja e tij e fundit, njeriu që për dhjetë vjet i ka ndenjur pranë, rrëfen profilin e panjohur të thjeshtësisë madhështore të njeriut që e shkriu jetën për letërsinë. Ajo rrëfen se cila ishte poezia e fundit e mbetur më mes, si dhe detaje të panjohura të dashurisë së fundit të poetit përkthyesit dhe studiuesit Perikli Jorgoni. Elida me lot në sy rrëfen veprat e pabotuara dhe ato që do të shkruante gjatë jetës. Tregon poezinë e fundit në laptopin e saj, ai që do ta vijonte të nesërmen po të mos kishte ndodhur ai aksident fatal...

Zonja Elida, pse kishte ardhur nga Durrësi në Tiranë profesor Perikliu ditën që ndodhi aksidenti?
Perikliu kishte ardhur në Tiranë atë ditë të takonte gazetarët, për të folur për një aktivitet. Ai donte që në datën 13 janar, që është njëqindvjetori i themelimit të policisë shqiptare dhe gjyshi i tij Hilë Mosi ishte njëri nga 39 drejtorët në 100 vjet të policisë shqiptare. Në periudhën e viteve 1916-'17 në Shkodër Hil MOsi ishte drejtori i policisë. Pra ishte menduar që pasardhësit e 39 drejtuesve në 100 vjet të ishin të pranishëm në këtë jubile të 100-vjetorit të themelimit të policisë. Dhe një arsye tjetër që kishte ardhur për të folur me botuesit për veprat e tij për botim.

Kishte ndonjë libër në dorë ditët e fundit?
Së fundi, një natë më para se të ndërronte jetë, ai tha që do të bëj një poemë për Llukë Kaçaj, tenorin e famshëm, sepse e kishte në zemër gjatë gjithë jetës së tij. Ai e nisi dhe unë e shtypja në laptop. Përjetimet e tij ishin të fuqishme dhe ne hodhën aq sa mundi për të vazhduar ditën e nesërme, por ja që të nesërmen nuk mundi…(Qan). Pastaj ai këto tre javët e fundit është marrë vetëm me të vdekurit, me heronjtë e kombit shqiptar dhe ka bërë poema për Papakristo Negovanin, etj, etj, sepse e ndjente detyrim shpirtëror.

Kur dhe ku jeni njohur ju të dy?
Dhjetë vjet më parë kur unë shërbeja për vendosjen e rregullit dhe qetësisë në Tropojë. Unë kisha shkuar vullnetare nga Korça si ungjillore e krishterë, por njëkohësisht përplasjet luftërat, patjetër që do të më detyronin të isha në mbështetje të popullit tim, të popullit që po largohej nga Trojet e veta dhe u nisa atje për 10 vjet.

Nga jeni me origjinë ju, Elida?
Unë jam korçare. Në vitin 2002 unë isha ende në Tropojë me misionin tim dhe erdhën shkrimtarët dhe artistë për t'i dhënë kurajo Tropojës të ecë e të mos përkulet nga vështirësitë dhe kjo ishte një mbështetje e madhe për atë popull aq të vuajtur dhe aq fisnik.

Çfarë roli kishte profesor Perikliu në atë kohë që lidhje me misionin tuaj?
Perkliu ishte pjesë e grupit të shkrimtarëve dhe artistëve. Ishte bërë një organizim që kishte nisur nga kryetari i Lidhjes zoti Limoz Dizdari me disa shkrimtarë dhe artistë të shquar, poetë, arkitektë dhe historianë dhe kjo ardhje e tyre atje ishte një ndihmë e madhe në Tropojë për atë kohë. Dhe unë isha atje dhe unë u thashë "Mirëserdhët, qofshin të mbara këmbët tuaja në këtë tokë". Kjo ishte lidhja ime me Perikliun. Pastaj unë i futa te salla që ishte një qendër kulturore, ku të gjithë ata, artistët dhe shkrimtarët, etj, lanë librat e tyre dhe përshtypjet e tyre. Atje qe njohja jonë e parë që do të përfundonte më vonë në martesën tonë fatlume.

Siç duket nga rrethanat juve ju ka bashkuar një ndjenjë e njëjtë patriotizmi si ajo e viteve '30-'40, por në vitet 2000 sikur mungon kjo ndjenjë, ose nuk është aq e shprehur?
Po Perikliu si rrallëkush është vazhdues i idealeve të gjyshit të tij, por edhe i atyre që ishin para gjyshit të tij, rilindësve që dhanë gjithçka për kombin, dhe kjo është ajo që më bashkoi me Perikliun, dashuria për atdheun, mbështetja që ai i jepte brezit të ri, por edhe vizioni për të bërë një ndryshim dhe reforma në elitën shqiptare më tërhiqte. Edhe pse unë isha me diferencë moshe me të, unë Perikliun e kisha shokun, vëllanë, babanë, bashkëshortin tim, sigurisht dhe gjithçka që unë mora prej tij është dhuratë e perëndisë, dhe unë besoj se do ta ndjejë më vonë mungesën e tij, sepse është si puna e floririt Perikliu, sa më shumë kalon koha, aq më shumë e ndjej dhimbjen për humbjen e tij.

Ishte i lumtur ai që ti e ndihmoje në krijimtari, sepse një pjesë e krijuesve nuk e kanë këtë fat?

Po duke marrë parasysh që kjo ishte një kohë krize, duke pasur ato ulje ngritjet ekonomike dhe hallet e jetës, ai ishte i lumtur për ato që bënin bashkë. Por gjithsesi gjithçka ka qenë në shërbim të vendit tonë dhe gjithçka që ne bënim dilte për mirë. Unë vërtetë e ndihmoja atë, por gjithashtu edhe ai ishte mbështetësi im. Ishim në një vizion dhe në një rrugë për më të mirën edhe të kulturës edhe të ardhmes në këtë vend të dashur.

Po më ngelet merak, që thatë se atë ditë donte të krijonte kontakt me median për aktivitetin përkujtimor të Hil Mosit. Por ai zakonisht druhej, ishte shumë modest. Gjithë kjo modesti e tij, kur dihet që ai vdiq me vepra në dorë, si shpjegohet?
Është pjesë e kulturës së tij. Pjesë e kulturës që ai ka trashëguar nga brezi në brez. Ishte i thjeshtë deri më madhështi, njeri pa fjalë, njeri që gjente gjithmonë një mënyrë për të ndihmuar tjetrin, njeri që nuk donte të shante. Njeri që donte më të mirën për këdo.

Profesor Nasho Jorgaqi më tha që ka vepra të pabotuara, që s'i bëri dot për arsye financiare. Cilat vepra të fundit pati në dorë?

Të fundit la plot. Donte të përkthenet edhe 30 vjersha që kishte ndërmend të plotësonte veprën e Garsia Lorkës me rreth 300 faqe në prozë dhe poezi, përkthime. 90 për qind të veprës e ka kryer, ka mbetur dhe pak, por unë do t'ia botojë me atë që më la...

Çfarë ju tregonte nga jeta, për periudhën e gjatë që ka jetuar para se t'ju takonte ju?
Siç ishte kohë e mbrapshtë atëherë, ai ishte në gjendje të sfidonte kohën, dhe duke i kaluar gjërat gjysmë me shaka, gjysmë me humorin e tij. Ai ishte pozitiv në fakt. Mendonte gjithmonë më të mirën, edukonte brezin e ri, merrej me sport. Merrej pas muzikës, pas artit, letërsisë. Gjithçka që ai bënte ishte sfidë për të dhe kjo sfidë i bënte mirë atij në atë regjim.

Keni ruajtur ju në shtëpinë vepra ose dorëshkrime të gjyshit të Perikliut, Hilë Mosit?
Fatkeqësisht nuk kemi një vepër të plotë, sepse në atë kohë të vështirë, një punonjës i sigurimit të shtetit vjen tek shtëpia ku ishte bashkëshortja e tij, ia merre të gjithë dokumentacionin që ishte ruajtur nga gruaja e tij. Ne nuk e dimë nëse ai ka shkuar i plotë në arkivin e shtetit, sepse edhe gruaja e tij nuk ishte e vetëdijshme se çfarë vlere kishte për kombin, sepse siç thoshte Perikliu ishin ato seancat e mbledhjeve në Parlamantin Shqiptar, krijime të Hil Mosit, etj. Madje, sipas Perikliut kishte dhe krijime të Hilë Mosit në prozë të pabotura dhe nuk janë më. Kështu që një ditë i kam premtuar Perikliut që do të shkojë dhe do të shoh se çfarë dokumente kemi dhe do të gjejmë që t'ia plotësojmë Hilë Mosit veprën. Kjo është e domosdoshme.

Më falni se ndoshta kjo është një pyetje delikate, shkëputja nga bashkëshortja e parë erdhi si pasojë e problemeve që pati profesor Perkliu me të apo si pasojë e dashurisë që lindi mes jush?
Dashuria jonë nuk kishte fare lidhje me shkëputjen e martesës së parë, sepse ishte një ndarje që kishte ndodhur në vitin 1984, ndërsa unë hyra në jetën e Perikliut në vitin 2002. Thjesht unë nuk prisha punë, unë ndreqa punë, sepse bashkëjetova me një shok artist, një njeri të madh sipas meje. I qëndrova në krah këtij njeriu kur ai pati nevojë për përkrahjen dhe ndihmën e një gruaje.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print)
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës

‘Lonely Planet Italia’: Vizitoni Rivierën Shqiptare, një nga destinacionet magjike të Evropës