Rrëfimi i Kristo Çipës: Si e
ngritëm këngën e Ismail Qemalit

Rrëfimi i Kristo Çipës: Si e <br />ngritëm këngën e Ismail Qemalit
Grupi i Himarës është një nga perlat iso-polifonisë shqiptare. Kjo polifoni nuk është vetmja në vargun e perlave, por qëndron e veçantë se ka disa specifika me krijimin e zërit të tretë, me krijimin e kantilitetit, dëgjueshmërinë..", thotë muzikologu Eno Koço. Kristaq Çipa me grupin e tij, të vetëdijshëm për cilësitë e kësaj kënge erdhën në këtë 100-vjetor të Pavarësisë me një ambicie të madhe.

Të krijonin një këngë për Ismail Qemalin, që "të mos kishte shoqe tjetër". Dhe kënga u ngrit. Gjatë përfaqësimit të saj nga 13 deri më 15 tetor me grupet folklorike kombëtare kënga zuri vendin e parë dhe u vlerësua si kënga më e mirë për 100-vjetorin e pavarësisë. Grupi polifonik i Himarës synonte që kënga të ketë të njëjtën famë me "Vajzën e valëve", e cila është kënga që i jep në çdo vend të botës një identitet të veçantë këtij grupi polifonik. Kënga për 100-vjetorin titullohet "Ismail Qemal liria".

Eleni, pjesëmarrëse e grupit thotë se "sekretet e të kënduarit i kemi trashëguar nga të parët". "Kemi menduar ta mbajmë gjallë këngën me forcat tona, edhe pse s'kemi pasur ndonjë bashkëpunim nga pushteti, ose ndonjë nxitje e përkrahje, thotë ajo. Vetëm një fondacion nga UNESKO është kujtuar për ta, që u krijoi mundësinë të regjistrojnë këngët, por "ndihma nga Ministria e Kulturës, nuk kemi pasur". Kristo Çipa përjashton rastin kur ministër kulture ishte Bujar Leskaj, "i cili ka qenë në çdo hap me shqetësimet e këtij grupi dhe do që të ruajmë traditën", thotë ai. Duke biseduar kokë më kokë, me një nostalgji për këngët që kanë bërë epokë, ata menduan që ta ngrinin në një monument heroin e Pavarësisë Ismail Qemalin. Me ta është Harrilla, më i vjetri i grupit, "njeriu që ka brenda zemrës së tij polifoninë", siç thotë Cipa.

Si lindi ideja e këngës për Ismail Qemalin?
-Ishte koncept që u hodh para një viti në grupin tonë me synim që do të bëjmë një këngë për pavarësinë, por që të arrijmë të jemi grupi kryesor. Duke mbledhur njëherë motivet brenda natyrës së këngës bregase himarjote, ne mblodhëm motivet që ishim më epike, më historike, që ishin drejt marshit, pa prishur shtratin e shtruar të këngës himarjote, si marrësen, kthyesin, hedhësin e këngës, dhe disa herë kemi hedhur poshtë disa variante derisa nuk devijuam nga tradita dhe krijuam edhe diçka të re. Kjo këngë vjen nga natyra epike, duke kaluar në stoike dhe finalja e fundit është një tip marshi me katër vargjet e fundit të këngës. Nuk kemi prishur asgjë nga tradita, se fillojmë shtruar dhe vazhdojmë me kreshendeo.

Si ka qenë rrugëtimi i kësaj kënge deri në 28 Nëntor?
-Do të them njëherë si erdhi kënga në Festivalin e Iso-polifonisë në Vlorë. Vlora ka traditë që bën vit për vit festivalet e iso-polifonisë. Ne ishim përjashtuar nga ky festival. Na u desh të ndërhynim deri te kryetari i bashkisë së Vlorës për të qenë të pranishëm. Me ndërhyrjen e tij ne u futëm me tre këngë në natën e parë dhe që natën e parë kënga jonë korri shumë sukses, sepse Vlora e quan këngën himarjote si djepi i polifonisë. Natën e dytë kemi kënduar në mënyrën më cilësore të mundshme dhe gjithë spektatorët, juria në uniformitet vendosi që kënga jonë të shpallet Kënga Fituese e 100-vjetorit të Pavarësisë. Kjo çoi që ne të ishim në koncertin e 28 Nëntorit dhe ne mundëm. Duket në momentin e parë sikur nuk shkon polifonia, kur kemi një koncert me muzikë simfonike, operistike dhe këngë të muzikës së lehtë, por kur dëgjuam organizatorët këtë këngë menjëherë vendosën dhe thanë se kjo është bukuria e këtij koncerti.

Pra kjo ishte "qershia mbi tortë" e koncertit të Pavarësisë?
-Po shkëlqeu edhe mes muzikës klasike. Po ta shikosh me syrin e specialistit polifonia himarjote ka veçori që afrohen me operën, sepse është vetë kënga klasike e polifonisë. Këngëtarët himarjotë nga ngjyra e zërit janë tenorë dhe kjo e bënë lidhjen në atë mjedis. Edhe mënyra sesi ne e interpretuam atë natë krijoi një lloj harmonie të jashtëzakonshme. Marrëse e kësaj kënge është Lenica Çale, një këngëtare aq me përvojë, edhe me botë të madhe për këngën himarjote. Kthyes është Dhimitraq Bala, një kthyes i traditës që sjell risi të reja te kënga himarjote. Hedhëse është Eleni Mërkuri një nga hedhëset më të vjetra të polifonisë, e cila ka bërë një lloj novatorizmi. Ajo arriti hedhjen me shkallë që i jep një bukuri të jashtëzakonshme këngës. Harrilla është një nga këngëtaret më të vjetër të Himarës, ka iso të fuqishme dhe është baza e isos së këtij grupi.

Grupi juaj ka ngritur edhe këngën e 28 Nëntorit, që ka mbijetuar në dekada, kush e ka bërë?
-Meço Mukua, krijuesi i këngës himarjote që bënte këngët dhe tekstet e grupit të viteve '20-'30 të shekullit të kaluar. Maestro Zhani Ciko dhe zv.ministrja e Kulturës, zonja Zana Turku ishin aty, dhe na dëgjuan. Megjithatë ne e dinim sesi do të reagonin ata. Por, po prisnim Inva Mulën. Në momentin që e dëgjoi këngën, ajo në mënyrë respektive nuk nisi të fliste, por u çua në këngë dhe tha me zë të lartë: Bravooo! Ajo dha mendimin pa u konsultuar fare me ta, dhe ajo ishte dashamirësja më e madhe e kësaj kënge.

Si mbijeton grupi juaj përskaj një indiferentizmi të thellë zyrtar dhe shtetëror?
-Ajo që na ka bërë të mbijetojmë ka qenë niveli i këngës polifonike, po nuk mjafton, sepse vjen një moment që edhe ky nivel duhet të ruhet, ndaj duhet bashkëpunuar nga pushteti vendor dhe qendror, gjë që na ka munguar.


Ismai Qemal-liria!


“Buzëqeshur midis lotit
Vinte shekulli i stuhive
Natën po gremiste kombi
Hiqte mjegullën prej syve.

Ca burra të perëndishëm
Lëvizën boshtin e dheut
Trimat me gjak e qëndisën
Mëngjesin e mëmëdheut.

Të rënët ngriti shqiponja
Bot e vdekjes i pengonte
Nga Çamëri e Kosova
Drejt flamurit kombi shkonte.

Në dyert e kësaj bote
Kishim zë po s’na dëgjonin
Ndaj nëpër retë qiellore
Kërkuam takim me Zotin.

Dhe nga Zoti vjen Profeti
Plaku me flamur në gji
Brenda kombit më të vjetër
Shpalli shtetin më të ri.

Ismail Qemal-liria
Fati i Kombit që s’u shua
Ka 100 vjet Historia
Që mendjen ta kërkon hua.

Ju burrat e këtij kombi
Dëgjoni zërin e zemrës
Nëse Shqipërinë bashkoni
Hallall qumështi i Nënës.

Nga lindja në Perëndim
Jam krenar për kombin tim.”

(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi

Mero Baze: Disa këshilla për folësen e shkëlqyer Helena Kaçi