Një person është arrestuar në Shijak dhe dy të tjerë janë shpallur në kërkim, pasi akuzohen se kanë goditur me sende të forta një 25-vjeçar si dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër.
Mësohet se në pranga ka rënë Astrit Keçi, subjekt i OFL, i cili u arrestua në vitin 2018 nga policia shqiptare pasi kërkohej nga drejtësia italiane për trafik droge, ku ishte dënuar në mungesë me 30 vit e burg. Është e paqartë se kur, apo si, Keçi u lirua nga burgu në Itali, ku u ekstradua. Ndërkohë u shpallën në kërkim Xhulio Keçi dhe Kleart Keçi, të afërm të Astrit Keçit.
Këta persona dhunuan Denis Gjecin duke i shkaktuar dëmtime të lehta në trup, ndërsa, gjatë largimit nga vendngjarja, kanë qëlluar në ajër me armë zjarri në Shijak, duke prishur qetësinë publike.
Po ashtu është arrestuar edhe Fabian Calliku dhe u shpall në kërkim vëllai i tij shtetasi Amadeo Calliku, pais kundërshtuan policët gjatë shoqërimit të personave që mund të kishin dijeni për ngjarjen e ndodhur.
Nuk dihen ende arsyet se përse të rinjtë u konfliktuan, ndërsa policia ka nisur hetimet.