Mbrojtësi i Napolit, Amir Rrahmani, ka folur për mediet italiane rreth atmosferës në skuadrën napolitane dhe ndikimit të afrimit të madh të verës, Kevin De Bruyne, i cili iu bashkua të kaltërve pas një periudhe të gjatë te Manchester City. Në intervistën, kapiteni i përfaqësueses së Kosovës u shpreh i impresionuar nga mënyra se si ylli belg është përshtatur në ambientin e ri.

“Ai është një djalë i mirë dhe inteligjent, i cili u përshtat menjëherë me pjesën tjetër të ekipit, pjesërisht falë dhomës sonë të zhveshjes. Ne kemi një grup të hapur, që mirëpret çdo mbërritje të re. Kevin është një lojtar kyç për ne, mund ta çojmë Napolin në majë”, tha Rrahmani.

Mbrojtësi foli edhe për konkurrencën e fortë brenda skuadrës.

“Është normale në ekipet e mëdha që të ketë konkurrencë, por ajo është e shëndetshme. Të gjithë e mbështesim njëri-tjetrin, sepse e dimë që vetëm si grup mund të arrijmë sukses”, vijoi ai.

Rrahmani pranoi gjithashtu se ndihet si një prej liderëve të Napolit, falë përvojës së tij disa vjeçare në ekip.

“Po, e ndiej veten lider. Kam qenë këtu për shumë vite dhe tashmë janë të paktë ata që kanë vjetërsi. Secili ka mënyrën e vet për të udhëhequr, dikush më me zë, dikush më në heshtje”, tregoi Rrahmani.

Me një grup të bashkuar dhe me De Bruyne si 'armë të re', Napoli synon të mbrojtë titullin e futbollit italian dhe të bëjë mirë në Champions League.