Rrëfimi: Historia tragjike e nanave shkodrane, Angjelina Topalli, Hatixhe e Nafije Kopliku, Vehbije e Budije Bushati dhe Adile Kazazi, të cilat…

Rrëfimi: Historia tragjike e nanave shkodrane, Angjelina Topalli, Hatixhe e Nafije Kopliku, Vehbije e Budije Bushati dhe Adile Kazazi, të cilat…

Fatbardha Mulleti (Saraçi)/ Publikohen disa pjesë nga libri ‘Kalvari i grave në burgjet e komunizmit’, i autores Fatbardha Mulleti Saraçi, (e mbesa e ish-prefektit të famshëm të Tiranës, Qazim Mulleti), familja e së cilës që nga viti 1944 e deri në 1991-in, u persekutua nga regjimit komunist i Enver Hoxhës, ku vetë babai i Fatbardhës, Haki Mulleti, ish-funksionar i lartë i administratës shtetërore që nga vitet ’20 të shekullit të kaluar, u burgos dhe u internua familjarisht, deri sa ndërroi jetë në spitalin e Tiranës, i helmuar nga Sigurimi i Shtetit.

Në librin e saj “Kalvari i grave në burgjet komuniste’ i cili është frut i një punë disa vjeçare, autorja ka përshkruar me mjeshtëri historitë e panjohur të disa prej grave dhe vajzave shqiptare që vuajtën burgjeve dhe internimeve në regjimin diktatorial të Enver Hoxhës, duke filluar nga nëna e saj, Pertefe Mulleti, e me rradhë: Marie Deda, Hajrie Kazazi, Kushe Seknej, Mrike Pali, Zyliha Rusi, Roza Jakova, Fatime Dilaveri, Hatixhe Pipa, Marije Gjoka, Angjelina Topalli, Hatixhe Kopliku, Nafije Kopliku, Vebije Bushati, Budije Bushati, Adile Kazazi, Antonela Dostanishta, Nafije Stërmasi, Luçije Saraçi, Adile Meta, Qeuthere Meta, Feride Damnori, Vitore Ashta, Fetije Vuçiterni, Zehnije Gjylbegu, Xhyhere Kazazi, Luçije Malaj, Sadije Kazazi, Lezinë Toni, Zade Muka, Hava Repishti, Luçije Kurti, Rukije Bushati, Shaqe Logoreci, Qamile Myftija, Marie Ndokëllia, Rozë Çefa, Çilë Staku, Shaqe Marku, Lajde Arapi, Lutfije Barbullushi, Syme Muka, Zenepe Kraja, Fahrije Kazazi, Naxhije Curri, Nexhi Plaku, Lizë Vukeli, Bade Kjaraj, Hava Baçi, Xhehadire Boriçi, Vitobure Kalaj, Katerina Benusi, Sofije Baja, Lenë Pjetri, Dava Markagjoni, Mrika Markagjoni, Marta Gjonmarkaj, Bardha Gjon Markagjoni, Kristina Gjomarkaj, Çelestina Gjomarkaj, Mrika Pervizi, Prena Pervizi, Kune Miraka, Sulltana Dine, Vera Dine, Agime Dine, Hamide Çela, Vera Dine, Kadrije Cami, Sanije Sulaj, Meliha Sulaj, Vashe Kola, Prena Llesh Gjeçi, Gjystina Seku, Ilda Melgusha, Agime Pipa (Aranitasi) dhe shumë të tjera.

Njihet në popull ma shumë me mbiemrin Kastrati. Për të mund të thuhet se gjatë jetës së saj, fytyrën nuk e lau me ujë, por me lot. Jeta e saj ishte e pandashme me atë të nanës së vet, kurse jeta e këtyne dy fatkeqeve, qe aq e lidhun me Luigj Kastratin, djalin dhe vëllaun e tyne, pushkatue nga regjimi komunist, sepse kishte marrë pjesë në Lëvizjen Antikomuniste të armatosun të Koplikut në janar 1945.

A ka penë për të përshkrue momentin, kur nanë e vajzë morën nga burgu këmishën me njolla gjaku dhe gavetën e ushqimeve, në pjesën e brendshme të të cilës qenë ngjitun lëkura kambësh… me mish?

Do t’u duhej të duronin edhe ma shumë se aq. Ishte 25 marsi i vitit 1946. Atë mëngjes herët, pranë shtëpisë së tyne, qenë ndigjue fjalët: “Lamtumirë, nanë e motër!” Ajo britmë qe ndigjue nga kojshitë. Thirrja ishte lëshue nga kamioni që po çonte drejt ekzekutimit 14 të dënuem. Mbas pak ,qenë ndigjue breshnitë e pushkëve. Shkodra qe mësue, tashma, që të zgjohej me ato krisma ogurzeza. Gra e vajza, pleq e plaka, burra e fëmijë, me flokët e ngritun përpjetë nga tmerri, me shikime të përqendrueme drejt një pike imagjinare, që priste të konkretizohej, sulen drejt vendit që e njihnin edhe prej herëve të tjera: drejt vorrezave të Rëmanjit, se mos në mes të të vrarëve, kishte ndonjë njeri të tyne. Me ta edhe ato dy fatzeza. Shohin kufomat. Në fillim nuk dallojnë gja. Instinktivisht thotë: “Po, mjerë nanat e tyne!” Mandej… vetëm mandej gjëmoi një britmë në dy tone, që u doli nga të gjitha qelizat, një gjamë e llahtarshme, që i tronditi të gjithë. Aty, në mes të të tjerëve, ishte edhe ai. Shkojnë drejt tij që ta përqafojnë për herë të fundit, por nuk i lënë rojet. Atëherë, mes korit të vajeve, ato, si luanesha, përleshen me ta. Ma vonë morën vesh se plumbat në fillim s’e kishin kapur, prandaj e kishin qëllue me plumb mbas koke.

Nga ai moment, nanë e vajzë u ndanë. Shtëpia e plakës u ba vendi ku i qe këputë jeta të birit. Ditë, natë, në vajë. Deri sa vdiq, mbas 8 vjetësh. Ishin 8 shekuj, ndoshta ma shumë…!

Për Angjelinën, tashti do të fillonin dekadat e internimit, gjithmonë në zona në thellësi, pa pasë ndonjëherë të drejtë që të vinte në Shkodër, pa pasë asnjëherë të drejtë që të qante te ai vend, pasi vorri i të vëllait, nuk do të merrej vesh se ku ishte. Një jetë e tanë, me dy pellgje lotësh në vend të dy syve.

Urrejti gjithë kohën komunizmin. Atë ia ushqeu dhimbja e papërshkrueshme për vëllaun e nanën. Ajo u shpreh në vargje, në shumë vargje.

Hatixhe e Nafije Kopliku

(1896-1975), (1899-1950)

Këto pasardhëse të denja, përkatësisht bija të familjes së Bushatlinjve e të Bilalëve, u banë nuse e krijuen çerdhet e veta në familjen e Koplikejve, dy kunata me origjinë e me vend ardhje me tradita mikpritëse e nacionaliste. S’ka ma bukur! Kjo u pa sidomos gjatë luftës e mbas saj.

Shkodra ndoshta ishte qyteti ku egërsia komuniste u shfaq ma hapun e ma ashpër. Burgjet ishin mbushë plot e përplot me nacionalistë. Të tjerë ishin në kërkim. Ndër ta edhe Jup Kazazi, që gjen strehë në shtëpinë e Koplikejve, tek dajat e vet, si i vëllau, Seiti, që ishte strehue diku tjetër. Lidhjet në mes tyne do t’i banin pikërisht këto dy kunata e fëmijët e të zotit të shtëpisë, Rifatit.

Lëvizja Antikomuniste e armatosun e Postribës dështoi. Sigurimi, mbasi sigurohet se në atë shtëpi ishte nacionalisti dhe antikomunisti i vendosun, Jup Kazazi, e rrethon atë. Qëndresa e të gjithë familjarëve nuk ka përshkrim: “Jo, në shtëpinë tone, nuk ka njeri tjetër përveç neve”. Atëherë rreshtohen për mur të gjithë, nën kërcënimin e grykëve të armëve, që herë mbas here qëllojnë në ajër: “Do t’ju vrasim të gjithëve”! Ashtu të bashkuem: burra, gra e fëmijë nuk tregojnë. Në këto rrethana Jupi vret veten. Ishte data 17 shtator.

Familjarisht dërgohen në birucat e Sigurimit, për të nxjerrë prej tyne lidhjet në mes të nacionalistëve. Prapë heshtje.

Vuenin zemrat e nanave e vajzave. Tepër e vorfën kjo fjalë me pasqyrue momentin. Ashtu të vramë pritën dënimin: burri, Rifati, me vdekje, djali i tij, Ahmeti, që sapo kishte mbushë të 17-at, me 20 vjet, kurse djali tjetër, vetëm 15 ditë, megjithëse ishte veç 15 vjeç; vëllai i dytë, Shyqyriu me 5 vjet.

U vranë zemrat e dy nuseve të reja, por edhe u mobilizuen që të përballonin të ardhmen e errët. Nuk ishte vetëm buka që duhej sigurue për vete e për fëmijët, por edhe shpresa që duhej t’u jepnin të burgosunve.

Tek dhimbja e dashunia u gjet forca. E kjo force, mbajti Ahmetin baltave të Bedenit, Orman Pojanit, Rrogozhinës si dhe Shyqyrinë në burgun e Shkodrës. Punuan nuset me duert e tyne të shkathëta, sidomos qindisina për nuset e reja që do të martoheshin…! Eh, dikur kishin qindisë për vete..!

Nafija vdiq e re, tue lanë burrin të papunë e të papension si dhe dy vajzat, që vazhduen të qindisnin…!

Buzëqeshja sikur ishte ngri, derisa u shkri nga cicërimat e zogjve të vegjël, nipave e mbesave që mbushën shtëpinë. Ani pse vazhdonin të shiheshin kudo në rrethet pushtetarë me sy të keq, ani pse banin punë që shpërbleheshin shumë pak. Vetëm Sarija, vajza e Rifatit, vazhdoi shkollën Pedagogjike, kuptohet për të qenë kontigjent për në zonat e thella, derisa edhe atë e pushuan për shkak të biografisë. Punën e krahut u detyrue ta provonte edhe ajo, derisa vdiq e re. Burgjet që pësoi kjo familje nuk mund të harrohen, sidomos nga ata që e pësuen. Nga thellësia e shpirtit të tyne dolën vargjet:

“Ktu ngelëm e u harruem. E veç mëshira e grave tona n’provat e vështira, kah rritet malli, që s’e shojti nama, na lidhë ende me botë. E n‘se një rreze gazmendi dridhë një ças kta gurë varreze, asht qeshja e foshnjes që na bie e ama…”!

Vehbije e Budije Bushati

(1908 – 1975), (1924)

Nuk qe e thanë që ato ta gëzonin jetën. Dy kunata, si dy motra, ndoshta ma shumë se aq, përjetuen kalvarin komunist për disa dhjetra vjeçarë.

Ishin të martueme me Sheuki e Qazim Bushatin, që të dy nacionalistë të njohun në Shkodër. Sheukija ishte anëtar i ‘Ballit Kombëtar’. Si të tillë, ata qenë kundërshtarë politikë të regjimit të kuq, që u vendos mbas Luftës.

Ç’ndodhi me këto dy nuse të reja?

Budija sapo kishte lindë fëmijën e parë.

“Sa u gëzova,- thotë ajo, – kur në nandor 1944, më lindi djali, por sa hall ishte që me fëmijën 6 javësh, të shkoja e të takoja burrin në burg: pak ma vonë fëmija më vdiq, m’u fik shpresa e vetme. Mbeta qyqe. Më mbetej veç të punoja, që të mund të ndihmoja burrin, i cili kishte nevojë sidomos për ilaçe. E të mendosh se udhëtimi ishte jashtëzakonisht i vështirë. Menjëherë kuptoheshim ne rrezikzezat nga strajcat që mbanim, se po shkonim tek të burgosunit politikë, prandaj edhe njerëzit, sigurisht nga frika, na shmangeshin në të shumtën e herës me keqardhje”.

Kështu, nusja 23 vjeçare mbeti në familjen e burrit dhe bashkëjetoi me Vehbien (Baja), së cilës i kishin pushkatue burrin. Regjimi nuk u mjaftue me aq, por i nxori në rrugë të madhe, në shi. Të gjithë kishin frikë t’u afroheshin. Vetëm një fshatar nga Rrashkulla e Gruemirës, mori guximin t’i strehonte, jo pak, por 20 vjet. Ai nuk u tërhoq edhe kur i banë presion që t’i nxirrte nga shtëpia. Ma vonë ato u vendosën në fshatin Mjedë.

Gjatë gjithë kohës, të ardhunat e pakta nga puna në bujqësi, mezi mjaftonin për jetesën e tyne. Edhe ashtu duhej kursye, që të mund të ndihmoheshin Sheukija, që ma vonë doli nga burgu shumë i sëmurë dhe Shyqyrija, kunati i tyne. Në qytet vinin me leje, vetëm sa për të ble bukë (Zot, sa shtrenjtë që ishte e sa vështirë ta siguroje), ose për të pa Sheukinë në spital.

Fëmijët e Budijes, nxanës shumë të mirë, nuk u lejuen që të vazhdonin shkollën. Ata, bile edhe survejoheshin. Njena, Safeti, kujton: “Isha në grupin artistik të shkollës së Mjedës. Mësuesi ishte nga Shkodra dhe më kishte vue me këndue bashkë me grupin. Sa u vrava kur, në sy të mësuesit, më nxorën jashtë grupit. Ne s’kishim të drejtë as me këndue”.

Kështu, këto dy nuse, që u moshuen dhe u plakën së bashku, jetuen në harmoni e dashuni e në sajë të kësaj mbijetuen, tue fitue respektin e të gjithëve.

Adile Kazazi dhe vajzat e saj

(1907-1959)

Jeta e Adile Kazazit nuk mund të mendohet e shkëputun nga ajo e burrit të saj, Abdullah Kazazit dhe pesë vajzave të tyne. Familje sa e lumtun deri më 1944, aq fatkeqe mbas kësaj kohe!

Më 1946-ën, Abdullah Kazazi arrestohet me akuzën se kishte marrë pjesë në Lëvizjen Antikomuniste të Postribës. Për regjimin diktatorial, kjo qe koha e artë e likuidimit të kundërshtarëve të vet politikë. Në burg, një ditë, një polic i thotë: “Me këtë pushkë ta kam vra nipin tand, Halitin”! Ashtu, i lidhun e sulmon atë, por bie përtokë nga një goditje me kondakun e pushkës. Nuk çohet ma në kambë, se i qe thye shtylla kurrizore. E shkreta grue, të shkretat vajza (ma e madhja 20, ma e vogla 4 vjeçe). Kërkonin të takonin në burg të dashtunin e tyne, por nuk i lejonin. Nga burgu merrnin vetëm tesha të gjakosuna, për t’ia la… me lot. Deri një ditë që marrin vesht se qe pushkatue me 17 të tjerë. Ku ta qante grueja e mjerë e vajzat, kur vorri nuk i dihej? Sëmuret randë vajza e dytë, Syrija, me se të mjekohet, me se të ushqehet për të mposhtë sëmundjen e randë? Një tjetër kob: vdes adhe ajo. Dy mbrenda një viti. Zemra e të zezës nanë vetëm vuejtje provonte. E ashtu duronte, duronte, lutej e lutej, me shpresë për një ditë të bardhë…

Vajzat (Nebia, Gjylija, Remzija e Fejzija)) futen në punë. Duhej jetue…! Për to kishte vetëm punë krahu; ku të ishte ma larg, ku të ishte ma vështirë, ku të fitohej sa ma pak: në bujqësi. Sa në Qaf-Hardhi, sa në Trush, sa në Bajzë, sa në Aliej, herë në Shtoj e herë në Bardhej. Orë të tana në kambë: shkue, punue, ardhë, dimnit nëpër balta, verës nëpër pluhun, në të ftohtë e në të nxehtë. Herë në prashitje e herë në korrje, herë në hapje gropash e herë në mbjellje duhani. Nga mëngjesi deri në darkë. Bukë e gjak. Me dhambë të shtërngueme.

I përcillte Nanë Adilja, pa u zbardhë mirë e i priste në mbramje vonë, kokëuluna, të bashkueme, me zemra të vrame. Ditë për ditë. Për vite të tana. Për to s’pati shkollë për të vazhdue, për to s’pati lavdërime, për to s’pati shpërblime. Të heshtuna, të drobituna, të përbuzuna, të braktisuna e të nëpërkëmbuna nga regjimi, por edhe të nderueme nga populli i thjeshtë, që edhe ai vuente.

Nana e mjerë vetëm ofshante, zemra e saj vetëm përpëlitej. Derisa pushoi. Ashtu papritmas. E vetme në shtëpi, pa njeri pranë. Ashtu e gjetën vajzat…! Ishte viti 1959, i 15-ti vit i diktaturës, që bahej gati ta festonte me tam-tame, përvjetorin jubilar të sundimit të vet gjakatar.

Prapë në punë, në punë prej skllavi, deri në pension. Pa e gëzue jetën. Dy prej tyne pa fëmijë. Gjithnjë nën vëzhgimin e Sigurimit. Por gjithmonë shumë të mira e punëtore, të urta, të’ ndershme e të nderueme nga bashkëvuejtësit, gjithnjë me shpresën në zemër për vendosjen e demokracisë.

Antoneta Destanishta

(1913 -1987)

Kur “shtrigat filluen të bajnë dasëm”, Antoneta, ose Nineja, siç njihej në popull, së bashku me katër fëmijët e saj, ngarkohen në një kamion nga Sigurimi i Shtetit dhe udhëton drejt të panjohurës…! Në fakt ishte internim, të cilin do ta provonin mijëra familje, për shkakun e vetëm se baballarët, burrat apo vëllaznit e tyne, mendonin ndryshe nga komunistët. Katër fëmijë, ma i vogli 5 vjeç, në të ftohtit e janarit 1945, me sy të hapun nga çudia. Ndoshta atyne iu duk si lojë. Se fëmijëve të vegjël u pëlqen të hypin në makina. Të gjithë e dimë nga vetë jeta jonë. Po policët që i shoqnonin, çfarë donin, se ata, edhe këtë e dimë, nuk i donin edhe aq shumë…!

Familja Destanishta po internohej. Shkaku? I zoti i shtëpisë, Gjon Destanishta, ish-oficer xhandarmërie, me vendosjen e diktaturës komuniste, kishte “fluturue” në çerdhen e vet, në malet e Dukagjinit, për të organizue qëndresën popullore, kundër regjimit të sapo vendosun. U vra e mbet vorrhumbun, 25 vjet internim (1945-1970).

Në fillim në kampin e punës në Berat, mandej në Kuçovë, në Tepelenë e së fundi në Savër. Nga breshni në shi, të rrethuem me roje të armatosuna. Liri lëvizjeje vetëm brenda sektorit të kampit. Leje e veçantë nga Dega e Punëve të Brendshme, për çdo lëvizje tjetër. Në raste tepër të rralla. Pjesën ma të madhe të internimit, në Savër, fshat në rrethin e Lushnjes. Për dy gjana përmendet ky fshat në historinë e tij: gjashtë shekuj ma përpara, aty ku turqit kishin ba luftën e parë në Shqipni (“ku shkel turku, nuk shkel bari”) dhe së dyti, përmendet si vendi i mallkuem për mijëra kundërshtarë politikë të Enver Hoxhës. Baraka dërrase të mbulueme prej llamarine. Në një barakë- dy familje. Baltë e ujë në dimën, pluhun e thatësinë në verë. Dy herë apel në ditë: në mëngjes e në mbramje. Në rreshta të gjatë, ashtu, të këputun nga lodhja e ditës.

Fëmijët e Antonetës, vazhdojnë të kujtojnë sforcot e nanës së tyne, mandej edhe të vetat, për të sigurue bukën. E ajo nuk dilte. E atëherë, mbas orarit të punës, natën nën dritën e mekun të kandilit, do të thurte xhupa kundrejt dy racioneve bukë, që përpiheshin në çast. Nuk llogaritet puna angari për “komandën” (bajtje drush, uji, etj.).

Të gjithë e kujtojnë Ninën edhe për kurajon e madhe për të mbijetue. Për çudi, të internuemit kishin të zhvilluem ndjenjën e humorit. E ishte ai aq i mprehtë. Me të përballonin streset e përditshme. Bile ata thonin: “Ju, atje, e keni ma të zorshme se ne, sepse na e dijmë vedin, se jemi të izoluem, kurse ju jeni të izoluem në mes të njerëzve, sepse duhet të ruheni shumë”.

Mbas 25 vitesh, kthehet në Shkodër. I vendosin në një dhomë përdhese të shtëpisë së tyne, sepse kati i sipërm, qe i zanë nga disa “kuadro”. Nanës i qe përkulë shtati, por jo karakteri. E kur Sigurimi donte t’ia rekrutonte të birin, ajo pat thanë: “Rrezik e kena pasë, por ma mirë mbrenda e i nderuem, se jashtë e i turpnuem”!

Ashtu qëndroi derisa mbylli sytë përgjithmonë, tue lanë kujtimin e një gruaje heroike./Memorie.al

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos

Bruksel/ Në pritje të nisjes së Samitit, Rama takohet me Komisioneren e BE-së për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerimin, Marta Kos