TIRANE-  Në një intervistë për Shqiptarja.com Drejtoresha e Shtëpisë së Fëmijëve Parashkollorë të Shkodrës, Anjeze Gjeluci tregon vështirësitë në drejtimin e këtij institucioni, të cilin një muaj më parë e mori kur për 33 fëmijë jetimë nuk kishte as ilaçe, as veshëmbathje dhe as gaz për gatim.

Fundjavën që sapo kaloi 33 fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve Parashkollorë të Shkodrës patën  një mik të veçantë në mesin e tyre. Kryeministri Edi Rama së bashku me ministrin e Mirëqënies Sociale,  Erion Veliaj shkuan për t’i takuar.

Një vizitë e bukur për fëmijët, të cilët i kishin bërë vizatime si dhuratë për “xhaxhi Edin” ndërsa kryeministri i lejoi t’i preknin mjekrën.
 
Në takimin me Kryeministrin, deklaruat se sapo more detyrën  të është dashur të shlyeje një borxh të madh, sa ishte shuma e borxhit dhe çfarë faturash nuk ishin paguar?
Unë e drejtoj Shtëpinë e Fëmijëve Parashkollorë të Shkodrës që më datë 17.12.2013, pra gati 1 muaj e gjysëm.

Ditën e parë të punës më erdhën dy fatura ekstremisht të larta. Me aq sa kam hulumtuar nga faturat e kaluara, Shtëpia e fëmijes ka qenë një nga institucionet ku është abuzuar sistematikisht nga organet vendore e shtetërore parardhëse. Mbasi vërej se shpesh herë se Shtëpia e Fëmijës është tarifuar e gjobitur njësoj si një biznes i madh ,dhe duhet të kemi parasysh se Shtëpia e Fëmijës nuk është institucion fitimprurës,përkundrazi.  Ajo që të bie në sy ishte taksa e pastrimit e cila së bashku me kamatvonesën ka shkuar në shifrën prej 180 mijë lekë të reja.  Është e papranueshme  Shtëpia e fëmijës paguan taksën e pastrimit me një tarifë si një biznes i madh, ndërsa borxhi i papaguar kapte shumën 950 mijë lekë të reja.

rama me femijet ne shkoder
(Në Foto: Kryeministri Edi Rama dhe Anjeze Gjeluci (djathtas) më 25 janar 2014 te Shtëpia e Fëmijëve Parashkollorë në Shkodër)

 
E pagove këtë debi?
Tani po vihet në lëvizje fondi i buxhetit të ri, pra 2014, i cili është rritur mbi 30 % . Do të paguhet çdo faturë, sepse për ndryshe bllokohen ushqimet e sekuestrohen të ardhurat e shpenzimeve të femijëve. Jemi në negociata me prefektin për të paguar vetëm tarifën e pastrimit, dhe jo kamatvonesën e cila shkon në 170 mijë lekë. Mendoj që duhen rishikuar ligjet për këto institucione që nuk janë fitim-prurëse.
 
Si ishte kontakti i parë , kushtet e jetesës, fëmijët? Ushqimi…?
Dita e parë ishte sa e bukur edhe e vështirë. Ushqimi linte për të dëshiruar,duke qenë buxheti i limituar ekstrem. Me buxhetin 2013 janë paguar: fatura energjie elektrike, ujë, telefon,dhe ushqime vetëm mish pule e sallam me mish pule.
Dua të falenderoj Fondacionin “Shpresë për botën” -sepse kanë ndihmuar shumë në rritjen e këtyre femijëve, mbasi me shtetin nuk di si do ia bënte ky institucion.
Jam shokuar...as ilace, as veshmbathje, as argëtime, as mjete shkollore, as gaz për gatim...Asgjë tjetër.

Mendova kjo shtëpi ka nevojë për një frymë tjetër.  Javën e parë i vendosa vathë vajzave, solla një ekip parukieresh për t’i dhënë një pamje të re bebushave, muzikë të përzgjedhur në çdo cep të shtëpise, albume me foto profesionale ... Donatorët më ndihmuan me furnizime me ilaçe, mjete shkollore, batanije, çarçafe etj
Dua të theksoj këtu dy operacione kirurgjikale që iu mundësuan dy vajzave tona nga “Motrat e udhës shpirtërore” .Ku njëri u krye me sukses, e tjetri pritet të realizohet këtë të enjte. Na uroni Fat !

rama me femijet
 (Në Foto: Kryeministri Edi Rama me fëmijët e Shtëpisë së Fëmijëve Parashkollorë në Shkodër, 25 janar 2014 )
 
Sa është buxheti që ju është akorduar dhe me shlyerjen e borxhit sa ju ngelet..?
Nga 540000 lekë të reja ,është bërë 730000 lekë. Plus shpenzimeve operative . Por  di të them që Shërbimi Social Shtetëror po na ndihmon shumë me Donatorë, sepse ato janë një pjesë e rëndësishme për ecurinë e shtëpisë sonë.
 
Cili është objektivi juaj?
Objektivi kryesor i institucionit tonë është rikthimi i fëmijëve në familjen e tyre biologjike. Kjo është lufta më e madhe për ne. Të fuqizojmë ekonomikisht familjet dhe për rrjedhojë edhe rikthimin e fëmijëve në familjen e tyre biologjike. Nëse kalon një periudhë e konsiderueshme, që prindi nuk interesohet për fëmijën, atëherë automatikisht, fillojnë proçedurat e birësimit. Më intrigon më shumë në këtë periudhë  ndërtimi i një kopshti në oborrin e institucionit , meqë numri i fëmijëve është 33.

Formojnë dy grupe, e duke qenë se shtëpia ka fëmijë parashkollorë,  kanë të drejtë që në moshën 3 vjeçare të ndjekin mësimet e para. Besoj që me ndihmën e gjithë dashamirësve, politikanë, biznesmenë,apo edhe qytetarë të thjeshtë,me nje kontribut sado të vogël, ta realizojmë këtë dëshirë që është totalisht në favor të këtyre fëmijëve.

rama me femijet ne shkoder
 (Në Foto: Vizatimi i një prej femijëve të Shtëpisë së Fëmijëve Parashkollorë në Shkodër, si dhuratë për Kryeministrin, 25 janar 2014 )



Shkrimi u publikua sot (30.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)