Rrëfimi i Eda Zarit:
Shqipëria dhimbje e buku

Rrëfimi i Eda Zarit: <br />Shqipëria dhimbje e buku
Eda Zari po i përkushtohet më shumë mëmëdheut këto kohë. Ardhja e saj e fundit ishte në mars, por ajo ja ku është sërish në Tiranë. Shtysa? Toka incognita, fushata promovuese albumit të nëntë, dhe disa projekte në finalizim e sipër. Prania e shpeshtë i ka dhënë dorë të zbojë pak mallin e njerëzve që jetojnë larg vendlindjes, por syri vazhdon të jetë i uritur. “Ke parasysh kur vjen në shtëpinë tënde e shikon çfarë mungon ose çfarë është shtuar?
Më kap një tjetër ndjesi. Më ngazëllejnë rrugët, më ngazëllejnë kujtimet, një shkolle, një rrugë, një pemë, që edhe mund të jetë e prerë. Por i kam të fotografuara, sepse kam një memorie fotografike.
Është edhe ajo ana pozitive që më mbush, më ngazëllen dhe më bën të ndihem fëmijë i vogël në kasollen e vet. Nga ana tjetër janë edhe ato gjëra që deri diku edhe dhembin, apo nuk i shkojnë idesë sime…. Nuk e di, një ndërtesë e paqëlluar, njerëz që sillen në mënyrë anonime me njëri-tjetrin, komshinj që mund të kenë patur një tjetër kulturë të komunikimit, ndërsa tani dikush mbyll derën, ai që është në kat të pestë nuk e njeh atë që është në kat të parë, ….ndryshe nga sa ka qenë më parë.”

Ndryshe nga dikur por jo në krahasim me jashtë..
Po po… por unë nuk do ta uroja që ta kishim kaq të theksuar. Sepse kultura e miqësisë që kanë njerëzit me njëri tjetrin duhet të kultivohet. Por ky është edhe ritmi i jetës ndoshta edhe i huazuar pak nga jashtë. Njerëzit kanë problemet e tyre, dëshirat, interesat. Perspektivat e jetës janë fokusuar ndryshe. Nuk fajësoj askënd sepse është shumë e natyrshme dhe njerëzore.Nuk vij me kritikë, e dua vendin kështu siç është.

Cfarë të jep energji pozitive këtu?
Eshtë shumë e gjerë kjo gama që më ushqen. Do të thoja që është thjesht një dëshirë e mirë për t’i parë gjërat me dashuri, që jo shpesh ndodh…. Kur i shoh kështu, është si të bësh një sy qorr dhe një vesh shurdh, që prapë nuk është shumë mire sepse çdokush duhet të ketë një opinion, një kritikë konstruktive. Pastaj është familja, njerëzit që ke lënë, këtu, janë shokët, miqtë. Nuk më ushqen ndonjë gjë e piketuar. E di që kthehem prapë tek ai malli që kanë njerëzit kur jetojnë jashtë, por unë do ta vija më shumë peshën tek dashuria, tek cështjet e zemrës, tek ato gjëra që të lidhin, që i ke lënë këtu përreth. Mund të jetë një mik, mund të jetë një vend, mund të jetë një varr, mund të jetë një gur, mund të jetë një dashuri e humbur.. nuk e di…Këto gjëra më ngacmojnë, më bëjnë që të kthehem me dëshirë dhe ta kërkoj e ta gjej edhe atë ekuilibër që kam.
Ja përshembull dita e djeshme më ngacmoi shumë. Ju e dini që këtu kam varrin e vëllait dhe të babait. Vëllai është vrarë në mënyrë shumë dramatike, teksa kalonte kufirin gjatë diktaturës. Shkova dhe pashë që rreth varrit ishte rritur shumë gjelbërimi. Fëmijët përreth kërkonin lekë apo bonbone. Njëri prej tyre kishte nje sqepar në dorë. Futa dorën në xhep, I dhashë ca para dhe mora sqeparin dhe fillova të pastroj. Mund të kem ndenjur të paktën një orë, duke pastruar dhe duke folur me tim vëlla. Ai ka qenë piktor. Ç’ndodhi me mua? Fillova ndiej ajër dhe mu mbushen mushkëritë plot…. Nganjëherë më duket vetja si shumë mëkatare dhe kur shkoj në varreza tek im atë apo vëllai, më ndodh që kur laj varrin ose kur heq barin apo kur i qaj hallet, lehtësohem. Thjesht idea që një shpirt gjendet aty, më duket sikur më lan mëkatet. … Kjo më ndihmon dhe kjo është ajo pika kur them: “Hej kthehem edhe për këtë! Kthehem edhe për shkuar aty, për të larë mëkatin, për të folur me ta, për t’i takuar!”. Kur shkova tek im atë pak metra më sipër, më ndodhi një tjetër gjë interesante. Personi që më shoqëronte më tha që duhet t’i ndizja një cigare ashtu siç bën gjithmonë nëna ime.
Unë nuk e pi cigaren, nuk e kam futur asnjëherë në gojë, nuk e kam mbajtur as në gishta, ndërsa babai im e ka pirë gjithmonë… Më dha çakmakun dhe e ndeza. Ia vura mbi varr dhe ajo që filloi të digjej aq mirë dhe mendja më thoshte:”Sa i pihet tani babait një cigare!” Dielli binte, cigarja digjej dhe unë isha në kujtime. Në atë pikë pata paqe me veten.

Në këto momente vjen frymëzimi për të krijuar ?
Larjen nuk e lidh me frymëzimin, nuk e lidh me spunton që mund të më japë ajo situatë, thjesht ndihem në paqe me veten. Ndihem mirë, rehatshëm, kurse nëse do t’i hidheshim atyre gjërave që më ngacmojnë, kjo ndodh gjithmonë kur jam në fazë të zezë, në skëterrë e sipër dhe jam në një tunel,,,,, aty fillon pjesa krijuese. Në fazën rozë, ku jam në qiell të shtatë,nuk dua të di kë kam përreth dhe nuk krijoj, sepse nuk më bëhet të krijoj. Në këtë fazë jam njeriu më pak kreativ dhe më pasiv . Ndonjëherë i gëzohem edhe asaj që është diell, por në në koshiencë i gëzohem edhe anës së errët. Nuk e detyroj veten të futem tek ai tuneli që të jem më kreative. Çdo gjë vjen vetë dhe ajo më jep dëshirën për të krijuar. Aty e kam substancën dhe jo tek lumturia. Atë e shijoj, i ngazëllehem, e jetoj. Nuk zgjat shumë, mund të jetë një orë , dy orë, mund të jetë një ditë maksimumi. Pastaj ajo qetësia me shpirtin dhe sadisfaksioni është e vazhdueshme.

Toka Incognita, është një album i gëzueshëm në fakt.
“Toka Incognita” nuk ka të bëjë me anën e zezë. Ka qenë një kreativitet më shumë muzikal, më shumë inspirues, ngacmues. Është ardhja këtu që nuk të ballafaqon vetëm të ngrënin e të pirin, por edhe me një kulinar tjetër që është muzika. Ajo jeton në shtëpinë time, është pjesë e familjes sime dhe më rrethon. Hyj aty në atë pellg, lahem,.shplahem, marr c’kam për të marrë, dal…Idea ishte për ta bërë një album me të cilin unë gjithmonë derisa të shkojë jeta ime, të di ku të identifikohem, të kënaqem, të mos mbyll sytë e të them: “Të lutem, mos ma vër atë se ka qenë një fazë katastrofale e imja!”, por ta dëgjoj me dëshirë. Edhe ata njerëz që e dëgjojnë sikur dhe dy vetë të ndiejnë që ka sinqeritet, që është muzikë që nuk gënjen dhe që ajo lloj muzike ka nivel shumë pretendues muzikor, një nivel të caktuar që publiku që nuk e dëgjon duke pirë kafe, por ulet dhe preokupohet.

Thuhet që albumi është një martesë mes xhazit dhe isopolifonisë. Ka funksionuar kjo martesë?
Po. Është një martesë, madje jo vetëm, por që në fillesat e para ka pasur një pllenim të jashtëzakonshëm. I jemi dedikuar motiveve që janë të marra nga isopolifonia shqiptare, muzika keltike dhe I kemi përpunuar duke mos ia hequr apo shtuar vlerat, por vetëm për t’ia treguar ato. Krahas kësaj kemi vënë identitetin tim tjetër muzikor që është xhazi. E gjithë substanca përreth është shumë unike dhe të paktën nga jehona që ka patur , albumi cilësuar sa autentik aq dhe unikal. Si duket ka qenë edhe pjekja e mirë muzikale, për ti dhënë më shumë strukturë këngëve e për ta bërë më të përshtatshme edhe për një të huaj që e dëgjon dhe nuk i kupton fjalët. Ka qenë goxha mirë. Kemi bërë një gjë që ka këmbë e këpucë bashkë.

Si po shkon turi?
Kemi patur dy koncerte në Tel Aviv, kurse në Kinë kemi dhënë koncert në Operan e Shangait. Një mrekulli që më inspiroi. Më ka bërë përshtypje disiplina e atyre njerëzve dhe reagimi I tyre. Kënga “O shpirt sa të du”, një baladë që unë e kam trajtuar në një tjetër formë tek njerëzit shkonte këndshëm edhe pse nuk i kuptonin fjalët dhe thithej. Turi vazhdon. Kemi dhe disa plane për këtu në Shqipëri. Pastaj do të vazhdojmë në vendet baltike, pastaj prapë në Gjermani, Austri, Zvicër.

Përveç skenës të shijojnë shumë edhe udhëtimet…
I shijoj edhe nëpërmjet fokusit të kameras. Kam pesë vjet që merrem me fotografi. E kam hobi që po bëhet serioz. Para ose pas provave kam kohë të fokusoj, sidomos gjërat e vjetra. Nuk e di pse jam kaq e fiksuar pas tyre. Mund të jetë një mur, mund të jetë një histori, një person, që ka një pamje të caktuar që më inspiron. Nuk ka pse të jetë spektakolare. Kam disa albume, dhe i bëj me shumë dëshirë madje kam filluar te merrem edhe me printime sa që shumë njerëz më thonë, ti po merresh me muzikë apo me fotografinë.

Cilin nga vendet ke fiksuar më tepër…
Brazilin. Ndoshta nga diversiteti që ka vendi, aty ku mendon që është parajsa po aq afër është edhe ferri. Po ashtu edhe në Shangai, ferri ishte në një tjetër formë sepse kishte një lloj lirie fjale, dhe e gjitha kjo lë struktura brenda meje. Deti i Vdekur është një gjendje tjetër, kur fillon të trillosh, dhe bëhesh njësh me të. Kurse Shqipëria është dhimbje, dhimbje e pritje nga unë…. Mbetet dhimbje. Jam në një dilemë që nuk di çfarë emri t’i vë. Nuk e përcaktoj dot se çfarë kam. Gjithmonë kur vij këtu më kap një mall, I pakuptueshëm… pastaj vë re ritmet e ndryshme. Aty ku ecet shpejt, është edhe një ritëm i ngadaltë dhe kjo ma prish atë balancën dhe më shkakton një dhimbje që do t’ia lë kohës për ta kuptuar.
Unë kam pasur një dajë dhe ai thoshte se ”Eshtë art kur vjen në një moment të jetës dhe zbulon bukurinë e dhimbjes”. Nuk e di, unë mendoj se e kam zbuluar atë. Ja ta krahasoj me shkuarjen time tek varri. Është dhimbje e tëra, krijohet tablo e një femre që ka përjetuar shumë gjëra, humbje , një personi që është shumë e fortë, por edhe një nënë me fëmijë, dhe e shikon duke pastruar dhe duke folur me veten. Ajo është bukuri e atij momenti sepse ti shprehesh, sepse ti e xhërdhit, si ajo pulovra që e pasi e bën pe, fillon ta bësh një triko tjetër. Kur e përjeton, je më e qartë, më e kthjellët. Më ndihmon për të bërë diçka më të bukur rreth vetes, jetës sime, personit tim, për tu qartësuar në cepat e trurit tim.


Për folkun

Këngëve të albumit të saj të ri, preferon ndonjëherë tu vërë nëntitull. “O shpirt sa të du” këngëtarja ua rekomandon atyre që duan të thonë fjalët më të thella të shpirtit. Ndërsa “Kroi” lasgushian është skena më interesante ku mund të njihen në mënyrë shumë të sinqertë mashkulli e femra. Por jo vetëm. Histori misterioze rrjedhin bashkë me ujin, simbol i pastërtisë që dhuron paqe. E preferuar për Edën është kënga “Zymbylat” ose tabloja më e bukur e të thënit “Të dua”. Këtu biseda shkon drejt raportit artistë-folk. Eda këndon nën zë pjesë nga “Zymbylat “ dhe komenton:” Të mendosh që është thjesht një tekst popullor që në shumicën e rasteve quhet këngë ahengu. Por ajo është kaq klasike, elegante …” Ajo do të donte që artistët e rinj të merrnim më shumë nga arti popullor, por sërish nuk i pëlqen të gjykojë…”Nëse do të flisnim nga fokusi im, çfarëdo që të jetë folk i pashkruar, nëse ti e sjell në një frymë të sa më të sinqertë dhe të përshtatshme për dëgjuesin e ri, unë mendoj se njerëz të janë mirënjohës” thotë ajo. Nuk e quan veten misionare të këtij vizioni, por thekson …”mendoj se gjithsekushi nga ne po të bënte një punë të sinqertë, të ruante këtë estetikën dhe elegancën e folkut do të bënte një punë shumë të këndshme”.


Një mendim për Rona Nishliun dhe Eurosong

“Nëse do të flisnim për Ronën nuk ka asnjë lloj komenti, ka një soul magjik, një potencial të jashtëzakonshëm, dhe dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. Talenti është talent.Për mua Rona është artiste e plotësuar. Nëse flasim për Eurovizionin. është një festival ku unë që fëmijë kam dashur të këndoj. Disa herë janë hedhur propozime, por nuk dua sepse është një festival gjeopolitik dhe duke qenë se ka këtë format nuk kam pse shkoj. Aty flitet gjithmonë për koshmillëkun. Ka kohë që nuk e shoh, pavarësisht se kur u bë vjet festivali në Duseldorf, unë isha pjesë e delegacionit. U bë goxha punë, por prapë unë i mbetem idesë që ai nuk është festival që të prezantohesh si këngëtar, si artist, si kompozitor.


(Intervista u botua ne te perjavshmen "Fundjava" te Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm humbin jetën pas rrëzimit të helikopterit! Asnjë i mbijetuar nga ata që ishin në bord

Presidenti iranian Raisi dhe ministri i Jashtëm humbin jetën pas rrëzimit të helikopterit! Asnjë i mbijetuar nga ata që ishin në bord