TIRANE- Informatizimi i shpërndarjes së shpërblimit të pleqërisë, ka krijuar që prej disa ditësh radhë të gjata në të gjithë sportelet ku të moshuarit tërheqin pensionet e tyre. Pikërisht për këtë arsye, duke filluar nga 1 prilli, të gjithë pensionistët në Tiranë, do ta marrin pensionin e tyre mujor në një datë të caktuar, sipas një grafiku të hartuar nga Posta Shqiptare. Kjo nismë do të fillojë të aplikohet për të shmangur radhët e gjata të pritjes së pensionistëve në sportele, të cilat kohët e fundit kanë shkaktuar një kaos të vërtetë. Drejtori i Postës Shqiptare, Arqile Gorea, ka shpjeguar dje se fillimisht ky do të jetë një proces pilot që do të shtrihet vetëm në Tiranë, dhe më pas në të gjitha rrethet e vendit. “Ne shpresojmë që në 1 prill do të startojë projekti pilot. Këta pensionistë që jetojnë jashtë ose kanë nevoja urgjente, mjafton të kenë dokumentacionin përkatës të justifikimit për këto, ata do ta marrin brenda ditës. Nëse ikën data ne kemi lënë ditën e shtunë, pasi punojmë dhe ditë të shtunë”, - ka shpjeguar dje Arqile Gorea, drejtor i Postës Shqiptare, skemën e re që do të aplikohet për t shmangur radhët e gjata. Sipas tij, po punohet nga ana e Postës Shqiptare, që të rritet dhe numri i pensionistëve që marrin pensionin nëpërmjet shërbimit postar në banesat e tyre. Numri i tyre aktualisht shkon në 156 mijë ose rreth 30 për qind e numrit të përgjithshëm të pensionistëve në mbarë vendin. Këtë fundjavë, ka pasur një grumbullim të madh të pensionistëve përpara sporteleve të caktuara, të cilët megjithëse, kanë pritur për më shumë se dy orë nuk kanë mundur të marrin shpërblimin mujor. Sipas drejtuesve të ISHSH-së, nuk bëhet fjalë për mungesë fondesh, por vonesat kanë ardhur për shkak se po punohet për informatizimin e shpërndarjes së pensioneve.
(sg/shqiptarja.com)
/Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)











