Organizata jo-qeveritare INFOÇIP ka reaguar lidhur me rregulloren e re të GJKKO duke kërkuar heqjen e të gjitha parashikimeve për median, pasi duhet të mbrohet aleanca media-gjyqësor që i shërben interesit publik.

Në deklaratë, përmenden pikat që cenojnë lirinë e medias pasi krijon kushte për privatizim të sallës së gjyqit dhe eliminon mbikëqyrjen e pavarur publike apo mediatike. Gjithashtu, asgjëson të drejtën e publikut për të ndjekur proceset penale, e sheh median si pengesë dhe cenon lirinë kushtetuese të saj, ndërsa proceset burokratike si hedhja e shortit apo kërkesat me shkrim për të ndjekur seancat, zbehin rolin e medias.

Deklaratë publike për rregulloren e GJKKO — Ja pikat e errëta që cenojnë lirinë e medias

Qendra për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP, u njoh me tekstin e Rregullores që ka hartuar GJKKO me titull: “Për sigurinë, rendin, solemnitetin dhe rregullat e sjelljes në ambientet e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, miratuar me vendim të Këshillit të Gjykatës nr. 49, dt. 17.07.2026.

Përmes këtij reagimi zyrtar, INFOÇIP shpreh shqetësimin e thellë për parashikimet që kjo rregullore përmban sa i takon aksesit të medias në këtë gjykatë. Përfshirja e rregullave për marrëdhëniet Media-Gjyqësor në këtë rregullore është jashtë objektit që ajo i cakton vetes. Kjo marrëdhënie ka marrë një zgjidhje përfundimtare në Udhëzuesin Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, të miratuar nga KLGJ dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 182, në datën 16 dhjetor 2023.

Rregullorja e GJKKO përmban parashikime që bien ndesh jo vetëm me rregulloren e KLGJ, por edhe me Kodin e Procedurës Penale, madje duke u kthyer në një precedent të rrezikshëm për cenimin e parimeve kushtetuese të hierarkisë së normës ligjore dhe të shtetit ligjor.

Rregullorja e GJKKO krijon kushte për privatizimin e plotë të sallës së gjyqit dhe eliminimin e çdo forme mbikëqyrjeje të pavarur publike apo mediatike. Ajo eliminon të drejtat e palës nën akuzë në procesin penal, duke rënë ndesh me parashikimet e Kodit të Procedurës Penale, por edhe me parashikimet e Udhëzuesit Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, të miratuar nga KLGJ (neni 14), kur vetë pala e akuzuar jep pëlqimin për regjistrimin dhe publikimin në media të deklarimeve që bën në sallën e gjyqit.

Rregullorja e GJKKO asgjëson të drejtën e publikut për të ndjekur përmes medias procesin penal në ngarkim të personave të zgjedhur apo funksionarëve të lartë. Në këtë rast, publiku është në cilësinë e viktimës së veprës penale dhe kufizimi i mediave në sallën e gjyqit cenon drejtpërdrejt dimensionin publik të gjykimit, duke rënë haptazi ndesh me Kushtetutën dhe kodet e procedurës në RSH.

Rregullorja bën parashikime skrupuloze për sendet e ndaluara në sallën e gjyqit, duke rrezikuar që publiku ta perceptojë GJKKO si shtojcë e një institucioni penitenciar, ku kufizohen liritë dhe jo si një institucion drejtësie me tagra të posaçme ligjore që mbron dhe garanton të drejtat e shtetasve.

Bazuar në parashikimet ekstensive për Median në GJKKO, si dhe duke analizuar teknikën e formulimit të neneve, mund të kuptohet se autorët, në vend që ta trajtojnë median si një aleate në mbrojtjen e interesit publik, madje edhe të vetë gjykatës, e shohin atë si një pengesë, madje si një kundërshtar që duhet kufizuar, në rastin më të mirë. Kjo pikëpamje është anakronike; Gjyqësori dhe Media janë aleatë të natyrshëm në mbrojtje të interesit publik nga shpërdorimi që i bëhet këtij të fundit nga pushtetet e tjera. Premisa sipas së cilës Media prezumohet aleate e krimit dhe e të korruptuarve, dhe jo aleate e Publikut, i cili ka të drejtë të informohet mbi procesin penal, duhet eliminuar përmes anulimit të vendimit që ka miratuar këtë rregullore.

Rregullorja duhet të bëjë parashikime rigoroze që media të ketë vendet e saj të garantuara në sallën e gjykimit penal. Parashikimet relative se Media ka vetëm vendet bosh që mund të mbeten në sallë, pasi ulen familjarët dhe palët e tjera të interesuara, janë problematike. Ato do të thellojnë ndasitë midis Pushtetit Gjyqësor dhe Pushtetit Mediatik, duke sjellë efektin e kundërt për vetë GJKKO, e cila e ka interes thelbësor rritjen e besimit të publikut në veprimtarinë e saj në mbrojtje të ligjit dhe vetë interesit publik.

Liria e Medias është e garantuar në RSH, por kjo Rregullore bën një kufizim të rreptë të garancisë kushtetuese, teksa bën rregullime jashtë fushës së veprimtarisë së vet. Rregullorja duhet të garantojë përputhshmërinë integrale të saj me parimet kushtetuese në fuqi në RSH. Përmes parashikimeve në këtë Rregullore, administrata e GJKKO merr tagrat e Gjykatës Kushtetuese që verifikon respektimin e parimit të lirisë së medias.

INFOÇIP konstaton me shqetësim se Rregullorja i cakton detyrim Medias që seanca të ndiqet me kërkesë paraprake. Kjo kërkesë nuk aplikohet edhe për familjarët e të pandehurve apo të viktimave të krimit. Media është mbikëqyrëse direkte e interesit publik dhe raporton tek ky i fundit; kur interesi publik është dëmtuar përmes veprimtarisë së dyshuar kriminale, media në sallën e gjyqit është e vetmja mënyrë që ajo sallë të zgjerojë në mënyrë eksponenciale arritjen e audiencës dhe një zbatim efektiv të parimit të publicitetit gjyqësor. Gjykata ka nevojë për mbështetjen e publikut në çështje me profil të lartë politik. Është e habitshme se përse GJKKO nuk zgjedh ta sigurojë këtë mbështetje përmes Medias.

Hedhja e shortit për të përcaktuar se cila media ndjek seancën është një mekanizëm anakronik në epokën e transmetimeve dixhitale dhe nuk duhet të gjejë vend në këtë rregullore. Koncepti “media e autorizuar”, që përdoret në këtë rregullore, është diskriminues në thelb. Të gjitha mediat kanë të drejta të barabarta te informacioni gjyqësor, i cili, në procesin penal, është në mënyrë domethënëse informacion publik, sikurse implikon vetë parimi i publicitetit të gjykimit penal.

Lidhur me transmetimin audio-viziv, Rregullorja e GJKKO bie ndesh me rregullat që KLGJ ka adoptuar për këtë qëllim në Udhëzuesin Standard të Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, të miratuar nga KLGJ dhe të publikuar në Fletoren Zyrtare nr. 182, publikuar në datën 16 dhjetor 2023. Kjo e fundit lejon transmetimet audio me mjete që përdor gazetari, përfshirë celularin, sa kohë që ruhet rendi dhe qetësia në sallën e gjyqit dhe sa kohë kjo nuk bie ndesh me kërkesat e palës nën gjykim.

Mbajtja e regjistrave për median dhe praninë e saj në gjykatë, sikurse parashikohet në këtë Rregullore, rezonon me praktika intimiduese, që, në vend që të promovojnë, kufizojnë lirinë e medias dhe njëkohësisht rrisin ngarkesën administrative të vetë GJKKO. Regjistrat e hyrjes, që administrohen nga personeli i sigurisë, janë të mjaftueshëm për të garantuar një mbarëvajtje të kënaqshme të procesit gjyqësor dhe, në tërësi, të ndërveprimit media-gjykatë (neni 94). Mbajtja e regjistrave edhe në format elektronik për veprimtarinë e gazetarëve cenon lirinë e tyre.

Rregullorja e GJKKO asgjëson të drejtën e palës nën akuzë/gjykim për të lejuar ose mohuar median në sallën e gjyqit, një e drejtë kjo e cila njihet nga rregullorja ekzistuese e KLGJ.

Neni 98 i Rregullores së GJKKO ka trajtat e parashikimeve të Kodit Penal apo Administrativ. Sanksionet e çdo natyre, ndaj secilës palë që paraqet interes për të ndjekur procesin penal në sallën e gjyqit, i cili është publik në thelbin e tij, mund të caktohen vetëm me ligj që miratohet me shumicë të cilësuar, konform parashikimeve të nenit 81 të Kushtetutës, i cili evokon rezervën e shprehur të Kuvendit, që është pushtet më vete (dega legjislative). Veshja e kompetencave të Kuvendit nga GJKKO është një tejkalim i parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve të RSH.

Rregullorja e GJKKO është më e gjata në gjithë historikun e rregulloreve të institucioneve të shtetit shqiptar, me plot 162 nene. Pa hyrë në brendinë e parashikimeve, në kuptimin e teknikës legjislative, kjo Rregullore, përveçse ngjan me një Kod, krijon mbirregullim, mbivendosje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloret e tjera (KLGJ), si dhe ndotje legjislative, që nuk i shërben harmonizimit të roleve të aktorëve që ndërveprojnë në një shoqëri të hapur dhe demokratike. Rregullorja, në vend që të forcojë, zbeh rolin e medias në raportimin e procesit penal nga gjykata, duke shkaktuar një dobësim të vetë Medias si Pushtet i Katërt.

Rregullorja mbyll sallat e gjyqit për gazetarët e pavarur dhe i kthen ato në territore me juridiksion ekstraterritorial dhe ekstraligjor për gjyqtarët e GJKKO, të cilët përdorin Gardën dhe Policinë jo për administrimin efektiv të gjyqit, por për administrimin ekskluziv të medias në sallën e gjyqit.

Qendra për Çështjet e Informimit Publik, INFOÇIP rekomandon heqjen e të gjitha parashikimeve me objekt Median nga Rregullorja e GJKKO/2026 dhe restaurimin e parimeve dhe parashikimeve që përmban Udhëzuesi Standard i Marrëdhënieve të Gjykatave me Publikun dhe Median, miratuar nga KLGJ në dhjetor 2023. INFOÇIP i bën thirrje KLGJ të jetë në mbrojtje të interesit publik dhe të advokojë një marrëdhënie miqësore Media-Gjyqësor, duke marrë masa për eliminimin e akumulimeve. Gjyqësorit i intereson një Media që është aleancë me të, pasi që të dyja pushtetet janë vija e parë dhe e fundit e mbrojtjes së interesit publik nga abuzimi i pushteteve të tjera dhe i grupeve kriminale.


Lajmi kryesor:

GJKKO censurë mediave, Reporterët pa Kufij për Report Tv: Rregullorja e re i trajton gazetarët si të dyshuar! SafeJournalist: Të pezullohet