MIRDITË - Është përjetuar mrekullisht dje, ritual i bekmit të ushqimeve në katedralen e Rrëshenit, nga ipeshkvi i Dioqezes, monsinjor Cristoforo Palmieri. Para këtij momenti, të ardhurit e shumtë, kane qenë pjesë e Lutjes, prirë nga bariu i tyre, ndërsa më pas është bërë bekimi i ushqimeve, i qindra personave që ishin grumbulluar me ushqimet e Pashkës, tek hyrja e Katedrales.

Mbi të gjitha, me rëndësi ishin lutjet e përshpirta dhe përcjellja e një mesazhi human një ditë para Pashkës së Madhe, pikërisht atë që ka të bëjë me humanizmin njerëzor, për ta drejtuar vëmendjen dhe tek ata që nuk kanë, ashtu siç Jezu Krishti, u kryqezua dhe vuajti ekstremisht për të mirën e njerëzimit.

PASHKËT

Pashkët janë festim i kthimit në jetë të Krishtit, mbas kryqëzimit të tij. Zakonisht festohen të djelën e parë mbas hënës se plotë. Kjo mund të jetë një e diele ndërmjet 22 marsit e deri më 25 prill. Ky festim konsiderohet më i shenjti prej festave të krishtera.

Sipas shkrimeve, varri i Jezu Krishtit është gjetur i zbrazët tri ditë mbas vdekjes së tij. Mbas kësaj ngjarjeje, përcjellësit e tij e kanë parë dhe kanë folur me të, kështu që të krishterët besojnë që edhe ata mund të fitojnë jetë te re mbas vdekjes.

Pashkët janë festimi i këtij besimi. Para shumë vjetëve, Pashkët janë festuar me ardhjen e pranverës. Lulëzimi i luleve, zgjimi i kafshëve dhe kthimi i zogjëve, ka kthyer jetën në tokë. Kjo ringjallje pranverore simbolizon jetën e re që të krishterët fitojnë për shkak të vdekjes së Krishtit në kryq dhe kthimit të tij në jetë.

KREZHMET

Krezhmët janë 40 ditë para të dieles së Pashkëve. Të dielat nuk janë të numëruara, sepse ato janë ditë të Zotit dhe duhen të festohen. Krezhmë është kohë kur disa ushqime nuk përdoren, kohë për lutje dhe për pendim.

Kjo kohë është për të përkujtuar 40 ditë të qëndrimit të Jezusit në pyll. Një kohë, Krezhmët kanë qenë më ndalesa më të mëdha se sot, ka qenë e lejuar vetëm një gjellë në ditë, pa mish, peshk, vezë dhe produkte prej qumështit. Sot, më tepër insistohet në lutje dhe punë mirëbërëse.

BEKIMI I USHQIMIT

Gjithmonë ka qenë traditë, që ushqimet e ndaluara gjatë Krezhmëve të bekohen nga prifti para se të hahen në ditën e Pashkëve, sidomos mishi, vezët, djathi etj. Sipas besimit popullor, ata që kanë hëngër këto ushqime para bekimit, kanë qenë të dënuar nga Zoti.

VEZËT E PASHKËVE


Një prej simboleve më të vjetra pranverore në botë është veza. Romakët e vjetër patën shkruar: Çdo gjallesë vjen prej vezës. Forma ovale e vezës simbolizon formën e pikës së shiut dhe të farës. Këto të dyja kanë qenë elemente të rëndësishme për jetën.

Veza premton jetë të re si pranvera, zogjtë dhe shumë kafshe që çelin prej vezësh. Në Angli, anëtarët e familjeve mbretërore i kanë dhuruar njëri-tjetrit vezë të lara në ar, si dhuratë për Pashkë. Dekorues i njohur i vezëve për Pashkë, ka qenë Peter Carl Faberge. Ai ka dizajnuar vezë prej arit, argjendit dhe prej gurëve të çmuar për mbretër në Evropë dhe në Rusi.

Vezët, gjatë kohës së Krezhmës, kanë qenë të ndaluara, ato janë sjellë në sofër në ditën e Pashkëve, të ngjyrosura me ngjyrë të kuqe që simbolizonte gëzimin e Pashkëve. Kjo traditë nuk është vetëm e Kishës Katolike (Latine), por edhe e Kishës Orientale (Ortodokse, Provosllave).

SIMBOLI

Lepuri, kafsha që lidhet me Pashkët

Veç shumë simboleve të Pashkëve, ekziston edhe një kafshë që lidhet ngushtë me këtë festë të madhe për gjithë besimtarët e krishterë. Bëhet fjalë për lepurin, i cili është edhe ai simbol i kësaj dite të madhe.

Sipas legjendës evropiane, lepuri kurrë nuk ka fjetur, por gjithmonë ka ruajtur dhe ka shikuar kafshët tjera. Kështu, lepuri u bë simbol i hënës. Lepuri është i lidhur me Pashkët, sepse data e këtij festimi varet prej hënës së plotë.

Në Egjipt, njerëzit kanë besuar, që lepuri ka qenë shkaktar i jetës së re në pranverë. Ndërsa në Angli, perëndesha e pranverës, Eastre, kishte lepurin si simbol tokësor. Pikërisht nga kjo perëndeshë, rrjedh emri i Pashkëve në anglisht, Easter.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 31.03.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)