TIRANE, 19 Dhjetor/ATSH/- Tashmë është kthyer në traditë përzgjedhja e nënoficerit më të mirë të vitit në Forcat tona të Armatosura.
Për këtë qëllim, në sheshin qendror të garnizonit "Skënderbej" u zhvillua një ceremoni e veçantë.
Për të ardhur deri këtu, për të dytin vit radhazi, me iniciativën e trupës së nënoficerëve, mbështetjen e kuadrit drejtues e komandues, bashkëpunimin ndërmjet komandave të njësive dhe asistencën e Zyrës së ODC, u zhvillua procesi i përzgjedhjes së nënoficerit më të mirë për vitin 2014 në të gjitha komandat e Forcave dhe të njësive të tjera ushtarake.
Në përfundim të këtij procesi, 21 nënoficerët më të mirë të përzgjedhur në Forca dhe në njësitë ushtarake, u ballafaquan në konkurrimin final për t'u përzgjedhur si nënoficeri më i mirë i vitit në rang Force të Armatosur.
Pas përfundimit të testimeve, vlerësimit të aftësive të shfaqura nga konkurrentët u bë renditja në bazë të listë - meritës. Rreshter Arsino Demiri, me detyrë instruktor përgjegjës në Akademinë e Nënoficerëve "Thomson" u përzgjodh nënoficeri më mirë i vitit 2014 për Forcat e Armatosura.
Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i FA, gjeneralmajor Jeronim Bazo, pasi përshendeti trupën e nënoficerëve për iniciativën e marrë, vuri në dukje progresin e bërë në kualifikimin, vendosjen e kritereve për avancimin në gradë, si dhe nevojën e transformimit të kësaj trupe në nivel më të lartë dhe në standardet e kërkuara nga NATO.
Më pas, gjeneralmajor Bazo i dorëzoi rreshter Arsino Demirit çmimin e vendit të parë, me moton "Nënoficeri i vitit 2014 - Stërvit dhe Udhëhiq", si dhe certifikatën e vlerësimit "Nënoficeri i vitit 2014 për FARSH" me motivacionin "Për performancë të shkëlqyer në realizimin e detyrave të ngarkuara, rezultate të larta në kualifikime, trajnime e stërvitje dhe kontribut në shërbim të FARSH për vitin 2014".












