Rreth 150 kilogramë lëndë narkotike kanabis është gjetur e fshehur me kujdes dhe e ndarë në pjesë, në gomonen e fundosur ditën e djeshme në ujërat midis Igumenicës dhe Korfuzit, në vendin e quajtur Prasoudi. Report Tv, ka siguruar dhe foton e gomones me të cilën dyshohet se po transportohej lënda narkotike.
Në brendësi të saj skafet e policisë detare gjetën 50-vjeçarin Edmond Musa, i njohur si ‘Çimoni’, i cili më parë rezulton i skeduar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Musa është dërguar menjëherë në spital ku dhe po merr ndihmë mjekësore.
Edmond Musa gjithashtu është arrestuar nga autoritetet, i akuzuar për veprat penale “kalim i paligjshëm i kufirit” dhe “mbytje të mjetit lundrues”. Duke pasur dyshime, policia është rikthyer dhe njëherë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur gomonia e fundosur si dhe lënda narkotike e fshehur.
Ndërkohë një hetim ndërkombëtar ka nisur për trafikim të lëndëve narkotike nga Shqipëria në Greqi.
Komente









